Shqipëria

Si të aplikoni nga Shqipëria për një vizë pune në Gjermani

Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar kriteret e reja, se si mund të fitoni një vizë pune. Kështu, të interesuarit duhet të marrin në konsideratë që caktimi i takimit për vizë lihet vetëm për një person. Për këtë arsye takimet për bashkëshortët dhe fëmijët, pavarësisht nga mosha e tyre, duhet të lihen më vete.

Caktimi i terminit në ambasadë: “Në çështje vizash ambasada nuk bashkëpunon as me agjenci udhëtimi, kancelari avokatie apo një operator tjetër komercial dhe nuk u ofron atyre asnjë privilegj. Rezervimi kryhet përmes vetë aplikuesit”, thuhet në njoftimin e ambasadës, transmeton albinfo.ch.

Më tej shpjegohet se caktimi i ditës dhe orës së aplikimit është pa kosto, ndërkohë që aplikantët pa një takim do të refuzohen.
Regjistrimi i shtetasve shqiptarë: Shtetasit shqiptarë duhet të regjistrohen në listë, e cila është e ndarë në kategoritë: Bashkim familjar, kartë blu, punësim § 26 II, Au-Pair, kërkim të vendit të punës, formim profesional, punësimi si staf në shëndetësi, student, bursant, kurs gjuhe, nxënës, shkencëtar, vit social vullnetar.