Uncategorized

Mësimi tërë ditor, i pazbatueshëm në Prishtinë

Ishte aplikuar një pilot-projekt në disa shkolla të Prishtinës për mësimin tërë ditor, por pa kaluar ende testi, është konstatua se në Kosovë nuk ka kushte teknike për të aplikuar këtë nivel mësimi

Dy vjet më parë ishte lansuar një ide që në Kosovës, sikurse në shumë vende të Evropës, të aplikohet mësimi gjithë ditor për nxënësit e shkollave fillore. Për këtë ishte aplikuar një pilot-projekt në disa shkolla të Prishtinës, por pa kaluar ende testi, është konstatua se nuk ka kushte teknike për të aplikuar këtë nivel mësimi.

Drejtuesit e shkollave, të cilët nuk dëshirojnë të flasin, kanë thënë jozyrtarisht se ky është një vendim i komunës, edhe pse vështirë i aplikueshëm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Valmir Gashi, tha për Radio Kosovën se Ministria nuk ka marrë vendim për ndërprerjen e këtij procesi, por ka filluar analizimin e gjendjes në terren për kushtet e nevojshme të zbatimit këtij projekti në shkollat fillore në gjithë vendin.

“Ministria nuk ka marrë asnjë vendim që në këto shkolla të ndërpritet. Ndërsa, lidhur me shkollat e tjera, Ministria në takimin që ka pasur me Drejtoritë Komunale të Arsimit në nivel vendi, ka kërkuar të sjellin informacionet e detajizuara se sa plotësohen kushtet për të filluar mësimi tërë ditor. Jemi të vetëdijshëm dhe prandaj kemi kërkuar të shohim si janë mundësitë. Në ato që janë mundësitë të fillohet dhe në ato që nuk janë të plotësohen kushtet pastaj të fillohet mësimi tërë ditor”, theksoi Gashi.

Por, njohësit e çështjeve të arsimit shprehen se nuk është koha për realizimin e këtij projekti.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, tha se sipas vlerësimeve është dëshmuar që ky proces është i vështirë për tu menaxhuar.

“Përfundimi jonë ka qenë që një iniciativë e tillë nëse vendoset për tu marrë në nivel të vendit, është e ngutshme dhe duhet të vlerësohet në mënyrë më serioze ne mënyrë që tokemi një proces më të mirë të implementuar. Mangësia kryesore e mësimit gjithë ditor është mungesa e infrastrukturës, ku nxënësit janë të detyruar të qëndrojnë tërë ditën në të njëjtin ambient në të njëjtën klasë”, tha Qehaja.

Prindërit e nxënësve që janë pjesë e këtij pilotimi, shprehin pakënaqësi, pasi thonë që shkollat nuk ofrojnë kushtet e duhura.

Antigona Musa është e shqetësuar me faktin se shkolla nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe se ushqimi është i mangët për fëmijët.

“Orari gjithë ditor te fëmija im ndikon, pasi është shumë i lodhur. Shkolla nuk ka kushte, pastaj ushqimi, qëndrimi  gjatë, mosushqimi i rregullt. Po të plotësoheshin kushtet, pse jo edhe fëmija im të vazhdojë orarin gjithë ditor sikurse në shkollat e perëndimit”, tha Musa.

Pilotimi i mësimit gjithë ditor, është realizuar në shkollat: “Afrim Gashi”; “Emin Duraku”; “Faik Konica”; “Ganimete Tërbeshi”; shkolla “Model” dhe “Pjetër Bogdani”.