Shkurt.ch

Sommaruga: Partneriteti për migracion me Tunizinë, shembullor

Nga viti 2011 Zvicra e ka mbështetur Tunizinë me rreth 100 milionë franga. Ndërsa parashihet që  deri në vitin 2020 mbështetja të vazhdojë në të njëjtën lartësi

Në ditën e dytë të vizitës së saj në Tunizi, ministrja federale e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka folur në superlativ për partneritetin në fushë të migracionit, që dy vendet e kanë lidhur pesë vite më parë. Sipas saj, Zvicra dhe Tunizia përmes kësaj kanë arritu t`i kalojnë me sukses disa nga sfidat, thuhet në një komunikatë shtypi të Departamentit Federal të Drejtësisë.

Menjëherë pas revolucionit, në fund të vitit 2010 dhe në fillim të atij 2011, disa mijëra refugjatë nga Tunizia, shumica meshkuj të moshës së re, kishin kërkuar azil në Zvicër. Për të penguar këtë fluks, Zvicra kishte përpiluar një program bashkëpunimi me Tunizinë, shkruan albinfo.ch. Ky program parashihte kthimin në vendin e tyre dhe arsimimin profesional për këta të rinj. Sipas të dhënave zyrtare, përmes këtij programi është arritur të kthehen në vendin e tyre dhe të ndihmohen më shumë se 1600 azilkërkues tunizianë.

Nga viti 2011 Zvicra e ka mbështetur Tunizinë me rreth 100 milionë franga. Ndërsa parashihet që  deri në vitin 2020 mbështetja të vazhdojë në të njëjtën lartësi. Me këto para, Zvicra dëshiron të krijojë perspektiva pune për tunizianët e rinj, para së gjithash përmes sigurimit të “Know-how” në arsimimin profesional.

Gjendja sa i përket migracionit në Tunizi ka shënuar përmirësim të madh gjatë pesë viteve të fundit. Kjo sidomos në raport me Zvicrën. Kështu, numri i shtetasve të Tunizisë që kanë kërkuar azil në Zvicër gjatë vitit të kaluar ka qenë vetëm 252.

Ministrja federale gjatë qëndrimit në Tunizi ka vizituar edhe projekte të ndryshme që mbështeten nga Zvicra. Njëri ndër ta është një qendër e drejtuar nga Organizata Joqeveritare “Terre d`Asile Tunisie”, e cila migrantëve u ofron këshilla juridike.

Sommaruga ka takuar sot në Tunis, ministrin e brendshëm të Tunizisë, Lotfi Brahem dhe ministrin e jashtëm, Khemaiers Jhinaoui.

Pas këtyre takimeve ajo ka deklaruar para mediave se refugjatët nuk përbëjnë vetëm një “problem” me të cilin duhet ballafaquar çdo ditë. Ata paraqesin po ashtu edhe një pasurim ose përforcim, ka thënë ajo, në kuptimin që tashmë e ka përdorur kancelarja gjermane Angela Merkel në raport me refugjatët

Sommaruga do të takojë edhe përfaqësues të organizatave që merren me refugjatët si IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracion) dhe UNHCR (Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë.

Ndërsa në kuadrin e qëndrimit të ministres zvicerane në Niger, të mërkurën, ajo, veç tjerash, do të vizitojë një qendër tranziti të refugjatëve atje. Nigeri, si një vend i rëndësishëm transiti i refugjatëve drejt Mesdheut dhe më tutje Evropës, merr pjesë po ashtu në takimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun Qendror.