Gjuha

Mahir Mustafa: “Gjuhaime.com, një portal sa për sy e faqe”

"Ky portal, thjeshtë, është vendosur në internet si ndonjë frut i papjekur në treg” thotë pedagogu Mahir Mustafa

Jo të gjithë e kanë mirëpritur portalin “Gjuha Ime”, projektin e promovuar ditë më parë nga Ministria e Diasporës..Portali në fjalë, i cili ka për qëllim mësimin bazik të gjuhës amtare dhe zhvillimin e njohurive të përgjithshme për fëmijët tanë, në veçanti për ata në diasporë, është vlerësuar nga pedagogët arsimorë në Zvicër, si një veprim i pakoordinuar institucional, të cilin do të duhej ta implementonte Ministria e Arsimit e jo e Diasporës.

Mahir Mustafa, pedagog edhe njëri prej bartësve për dy dekada i mësimit shqip në Zvicër, në një intervistë për albinfo.ch tha se nuk përjashtohet mundësia që portali “Gjuha Ime” të arrijë ndonjë efekt vetëdijesimi te të rriturit, të cilët nga pakujdesia për gjuhën janë duke i kontribuar përkeqësimit të saj, se sa atyre që u dedikohet.

Mes tjerash në këtë intervistë, pedagogu Mustafa, i cili punon edhe në sistemin zviceran të arsimit, ka deklaruar se një projekt i tillë nuk ka qenë prioritet, por sipas tij, çështje imediate mbetet përfshirja e sa më shumë nxënësve në shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në Diasporë.

Sipas Mustafës, me mësimin plotësues duhet të merren seriozisht të gjitha ministritë e arsimit, ambasadat e konsullatat të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Pedagogu që ishte për 20 vjet në shërbim të shkollës shqipe në diasporë, është shprehur skeptik se me këto struktura të politizuara nëpunësish në Ministritë e Arsimit dhe me këtë kuadër ekzistues të shkollave shqiptare në diasporë, me theks të veçantë në Zvicër, mund të arrihet institucionalizim i denjë i këtij procesi.

Albinfo.ch: Si e keni pritur ju si pedagog dhe njëri prej bartësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për dy dekada në Zvicër, lansimin e projektit nga Ministria e Diasporës: “Abetarja elektronike” përkatësisht portalin “Gjuha ime”?

Mahir Mustafa: Pyetjes suaj do të përgjigjem sipas këndvështrimit dhe pikëpamjeve të mia individuale, sepse bartës zyrtar i shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër është LAPSH-i “Naim Frashëri”.  Aktivizimi i portalit „Gjuha ime“ në internet nga Ministria e Diasporës ngjan me aktivizimin e fishekzjarrëve spektakulare nga njerëz entuziastë, të cilët duke menduar se kanë bërë diçka madhore, nuk arrijnë të durohen e të marrin mendime edhe nga ekspertë të fushës së arsimit e pedagogë të mediave, së paku për tu marrë vesh me ta. A bën? A ia vlen? A u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të dedikuesve, etj., etj…

Për fat të keq, siç ka ndodhur shpesh herë, njerëzve të papërmbajtur nga euforia bajraktarësh nuk ju durohet. Plotë entuziazëm e ndezin, pa le të dalë ku të dalë, dhe festojnë që të vetëjustifikohen.

Mendoj se për këtë portal, në veçanti për abetaren elektronike, janë gëzuar tash për tash vetëm ata, të cilët janë të përfshirë në këtë projekt. Për dallim nga fishekzjarrët, të cilët kur ndizen zgjojnë kureshtjen dhe tërheqin vëmendjen e vizitorëve ose kalimtarëve të rastit, supozoj se aktivizimi i këtij portali nuk do ta arrijë as këtë efekt. Ndërtimi jo atraktiv i faqes, udhëzimet vizuale jo të vetëkuptueshme, manovrimet e shumta që duhet bërë duke klikuar, shterpësia e materialeve, përdorimi i fletoreve të punës në format pdf, kualiteti i dobët teknik, pa e spikatur aspektin e rëndësisë së parimeve didaktike të domosdoshme për hartimin e një libri, faqet e pakompletuara – në përpunim, nuk besoj se do të arrijnë ta tërheqin vëmendjen e shfrytëzueseve, të cilëve ju dedikohet abetarja elektronike.

Thjesht, ky portal është vendosur në internet si ndonjë frut i papjekur në treg. Frutat e papjekura nuk preferohet t’ju ofrohen konsumatorëve, aq më pak fëmijëve, sepse dihet që ato janë të dëmshme. Dhe për çudi ai nuk ofrohet e administrohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, përgjegjëse për fushën e edukimit dhe të arsimit, por nga Ministria e Diasporës. Sa janë marrë vesh këto dy ministri me njëra-tjetrën, duke mos e harruar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, me përfaqësitë e saj diplomatike jashtë Kosove, një zot e di, por efekti për momentin është ky që është. I dobishëm apo i dëmshëm, mbetet të shihet. Megjithatë në krahasimin që bëra më lartë dihet që tash se, për dallim nga fishekzjarrët, të cilët edhe pse arrijnë efekte ngazëllimi, janë të dëmshëm për ambientin, portali i vendosur në internet nuk do ta ketë këtë efekt. Ai për një kohë do të ketë efekt vetëkënaqësie, siç ka ndodhur me projektet e mëdha të ministrive të Arsimit të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, kur është fjala për hartimin dhe bërjen e abetares së përbashkët. Vite me radhë Ministritë tona mbetën duke u marrë me projektet e mëdha të abetares, thuajse nxënësve tanë ju dashka dhe ju mjaftuaka vetëm abetarja e shtypur apo elektronike.

Këta të Ministrisë së Diasporës, edhe pse nuk janë të parët, së paku mund të lavdërohen, se kanë arritur ta bëjnë abetaren elektronike.

Pa u zgjeruar edhe më shumë, portali “Gjuha ime” lë përshtypjen e një veprimi të pakoordinuar institucional. Ndoshta për shkak se Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Teknologjisë e Kosovës, në raport me shkollat shqiptare në diasporë, është dhënë kohëve të fundit pas punëve dytësore, si p.sh. të vizitave në diasporë dhe të ndarjes së mirënjohjeve mësimdhënësve që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e mësimit dhe të sukseseve të arritura, si p.sh. shpërblimi i mësuesve, të cilët nga viti 2000 e këtej nuk kanë arritur ta shtojnë numrin e nxënësve në klasat e tyre, ndër ta edhe të tillë, të cilëve ju kanë mbetur katër apo pesë nxënës, ose të tillë që pa fije turpi kanë bërë manovra të papëlqyeshme me përmasa keqpërdorimi me tekstet, të cilat kanë qenë në përdorim, deri sa, falë kontributit të madh të z. Basil Schader dhe projektit të tij, respektivisht të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, janë botuar këto të rejat.

Në vend se MASHT ta intensifikonte punën e saj në ngritjen profesionale të mësimdhënësve, aftësimin e tyre për përdorimin e fletoreve të punës, për të cilat ka shumë për të thënë, ajo vazhdon të kënaqet me organizimin e grumbullimit të mësuesve shqiptarë nga diaspora dhe ndejave të tyre verore dy-tri ditore bashkë në ndonjë qytet shqiptar, ose të endjeve nga një qytet në një tjetër, gjoja për përvetësimin e gjeografisë dhe mësimin e historisë, sipas konceptit ala- Gashi.

Në vend se MASHT ta angazhonte një ekip të mirë mësimdhënësish dhe ta përdorte librin “Abetare e Posaçme” të autores Urti Osmani për të realizuar mbi bazat e saj orë mësimore nga distanca, të cilat do të mbaheshin (emetoheshin) në orare të caktuara në faqen e vetë elektronike ose në RTK- si televizion publik, në të cilin hisen e vetë duhet ta ketë edhe diaspora, ose në vend t’ua ofronte mësimdhënësve shqiptarë në diasporë “Abetaren e Posaçme”, një libër jo vetëm i dobishëm por i domosdoshëm për mësimdhënësit e nxënësit shqiptarë në diasporë, ajo heshtazi i ka hapur rrugë Ministrisë së Diasporës për të vepruar si ka vepruar.

Shfrytëzoj rastin të apeloj te mësimdhënësit shqiptarë në diasporë që t’i bëjnë kërkesë MASHT të Kosovës, MASH të Shqipërisë e MA të Maqedonisë e Ministrive të Diasporës për ta përfshirë librin “Abetare e Posaçme” si pjesë përbërëse e projektit të tekst-fletoreve për nxënësit jashtë atdheut, sepse ai është libri më i arritur, që deri tash është botuar për nxënësit shqiptarë në mërgim, por i cili për shkaqe të panjohura, së paku për mua, qëndron në depon e shtëpisë botuese “Printing Industry” në Tiranë.

Ky libër do të ishte një bazë jashtëzakonisht e mirë për ndonjë projekt serioz medial si p.sh. abetarja e digjitalizuar apo elektronike me seanca videokonference, realizime orësh mësimore nga distanca etj.

albinfo.ch: Megjithatë sa do të ndihmon procesin mësimor në diasporë një projekt i tillë tashmë konkret nga institucionet kosovare, kur shifrat flasin për shumë fëmijë që nuk dinë të flasin shqip, e mos të flasim për shkrim-lexim?

Mahir Mustafa: Sa do ta ndihmojë ose dëmtojë portali “Gjuha ime” çështjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë mbetet të shihet. Mundësitë e efekteve negative, për sa i përket përfshirjes së fëmijëve të moshës shkollore, më duken tash për tash më të mëdha se efektet pozitive të portalit. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që portali të arrijë ndonjë efekt vetëdijesimi te të rriturit, të cilët nga pakujdesia për gjuhën janë duke i kontribuar përkeqësimit të saj. Mendoj se për këtë pohim timin nuk nevojiten analiza të thella. Mjafton të vizitohen forumet e ndryshme elektronike, apo edhe komentet e lexuesve të faqes tuaj, dhe të shihet niveli e kompetenca gjuhësore e bashkëbiseduesve, komentuesve apo interpretuesve të lajmeve, bisedave, debateve etj…

Ndoshta pikërisht kjo gjendje, e cila prezantohet me të madhe nëpër forume, mund të kishte qenë arsyeja përse Ministria e Diasporës është nxituar me aktivizimin e portalit, jo të kompletuar në internet.

albinfo.ch: A ishte ky prioritet apo i duhet diçka tjetër mësimit plotësues në gjuhën shqipe në këtë kohë krize në Diasporë me një numër të vogël nxënësish?

Mahir Mustafa: Prioritet?! Jo, assesi. Qëllimi kryesor dhe më i rëndësishmi, që nga hapja e klasave të para e deri sa të jetë nevoja për mësim plotësues në gjuhën amtare, d.m.th përherë, ka qenë, është dhe do të mbetet përfshirja e sa më shumë nxënësve në shkollat shqiptare të mësimin plotësues në gjuhën amtare. Ministritë e Arsimit dhe Shkencës, Ministritë e Punëve të Jashtme, veçanërisht Ambasadat dhe Konsullatat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë dhe Ministritë e Diasporës duhet të merren më seriozisht me çështjen e mësimit plotësues për fëmijët shqiptarë jashtë atdheut. Ato duhet së pari të takohen, të bisedojnë, të merren vesh dhe të hartojnë strategji veprimi për zhvillimin dhe përfshirjen e fëmijëve të moshës shkollore në mësimin plotësues në gjuhën amtare. Ato e dinë mirë se sa i madh është numri i fëmijëve që nuk e ndjekin mësimin plotësues, prandaj urgjentisht duhet të reagojnë ndaj nevojave të mëdha, me të cilat përballen bartësit e shkollave shqiptare në diasporë: Lidhja e Arsimtarëve-LASH, Këshillat e Arsimtarëve-KASH apo Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë -LAPSH. Pa e nënvlerësuar rëndësinë e mësimit nga distanca, i cili zhvillohet me ndihmën e teknologjisë moderne dhe të vetëmësimit, më duhet të theksoj se mësimin në shkollë, nga njëri-tjetri e me njëri-tjetrin, nuk mund ta zëvendësojë asnjë lloj mësimi. Secili nga ne duhet ta dijë që fëmijët kanë nevojë për shumëçka, por mbi të gjitha, ata kanë nevojë për fëmijë të tjerë, shokë e shoqe, për të mësuar bashkë me njëri-tjetrin.

Pa pretenduar kthim prapa, më duket e domosdoshme që Ministrive përkatëse t’ju rikujtohen vendimet e Konferencës së Parë Kombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë. Bazuar në konkluzionet e Konferencës dhe kërkesat e saj, jam i bindur se mbajtja e Konferencës së Dytë Kombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë është hap i domosdoshëm, që bashkërisht të punohet në përsosjen organizative e përmbajtjesore të shkollave shqiptare në diasporë.

Secila ministri duhet të jetë e vetëdijshme se asnjëra prej tyre, nuk do të arrijë që vetëm, pa një koordinim gjithëkombëtar dhe bashkëpunim bilateral me shtetet mikpritëse, t’ju përgjigjet e t’i plotësojë nevojat e qindra mijëra fëmijëve të moshës shkollore në diasporë, duke mos i harruar edhe nevojat e mësimdhënësve që e zhvillojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare.

albinfo.ch: Ju keni ngritur zërin disa herë për institucionalizimin e këtij procesi, por a ka lëvizur diçka në këtë drejtim?

Mahir Mustafa: Është e vërtetë se 20 vjet radhazi kam qenë dhe do të vazhdoj të jem në shërbim të shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, respektivisht në shërbim të fëmijëve të moshës shkollore, sepse për angazhimin tim në fushën e edukimit dhe arsimit më ka detyruar zanati im i mësuesit, pedagogut, docentit etj. Që nga hapja e klasave të para të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, por jo vetëm në Zvicër, qëllimi parësor ka qenë institucionalizimi i formave të organizuara vullnetare. Në këtë drejtim është arritur herë ngritje, herë ka pasur rënie, që ka rezultuar, edhe në numrin e nxënëse vijues, edhe në kualitetin e mësimdhënies. Duke e ditur se institucionalizimin e bëjnë njerëzit, ekspertët e fushës së edukimit dhe arsimit, jam ca skeptik se me këto struktura të politizuara nëpunësish në Ministritë e Arsimit dhe me këtë kuadër ekzistues të shkollave shqiptare në diasporë, me theks të veçantë në Zvicër, mund të arrihet institucionalizim i denjë.

Treguesit e institucionalizimit të shkollave shqiptare në diasporë, kurrikula (programi mësimor), tekstet mësimore, kuadri arsimor, dokumentacioni administrativ, pedagogjik, didaktik, aftësitë integruese në sisteme të rregullta të arsimit e të tjerë, dhe dukuritë negative organizative të bartësve të shkollave shqiptare, flasin për fat të keq për një gjendje jo të favorshme e për një arritje jo të kënaqshme institucionale. Megjithatë shpresoj se si në vendet tjera evropiane: Suedi, Norvegji, Austri etj., edhe në Zvicër, do ta përfshijë shteti mësimin plotësues në sistemin e rregullt arsimor dhe do të kujdeset që mësimin ta zhvillojnë mësimdhënës të aftë, jo vetëm të kualifikuar me diploma para 20 – 30 vjetësh, por edhe të tillë që kanë ndjekur seminare, kurse e studime për përsosje profesionale dhe janë aftësuar për ta dashur profesionin e zgjedhur, për ta ushtruar atë me pasion e jo për zor, e për të zhvilluar mësim kualitativ sipas nevojave dhe pritjeve të nxënësve që rriten në shtete me shumë mundësi.

Uroj që në një të ardhme të afërt të arrihet kjo dëshirë e shumë arsimdashësve dhe nevojë e domosdoshme e shumë prindërve dhe nxënësve shqiptarë në Zvicër!