Feja
Rejhan Neziri: “Do t’i qasemi seriozisht ekstremizmit në Zvicër”
Kreu i Unionit të Imamëve Shqiptar në Zvicër premton të investohet në kthimin e besimit të shembur ndaj myslimanëve
Me themelimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë konsolidohen radhët e imamëve në Zvicër rreth një platforme të përbashkët për veprim sa më efikas në kontekstin zviceran.
Kreu i sapozgjedhur i këtij Unioni, Rejhan Neziri, imam në Bashkësisë Islame Shqiptare “Hëna e re”, në Kreuzlingen, thotë në intervistën e parë për albinfo.ch se tashmë gëzojnë përkrahjen e shumicës së imamëve dhe se do t’i qasen seriozisht ekstremizmit apo fanatizmit fetar islam në Zvicër, i çfarëdo lloji qoftë ai.
Po ashtu, pohojnë të jenë të hapur për të gjithë, madje edhe për të shumëpërfolurin, zviceranin e konvertuar në islam, Nicholas Blancho, nëse ky i fundit i përshtatet statutit të tyre.
”Nuk kam dëgjuar akoma që ndonjë xhami apo qendër islame shqiptare të jetë anëtare në Këshillin që e udhëheq zvicerani Blancho”, thotë kreu i imamëve shqiptarë në Zvicër, Rejhan Neziri.
Po ashtu, imamët shqiptarë nuk do të mbështesin as iniciativën e tij për një kundërreferendum për lejimin e ndërtimit të minareve në Zvicër, duke e cilësuar këtë nismë të dështuar, por do të punojnë, siç thotë kreu i hoxhallarëve shqiptarë për kthimin e besimi të shembur ndaj popullatës myslimane që jeton në Zvicër.
“Problem që herë pas here paraqitet si i madh e me pasoja është mungesa e dallimit si nga ana e myslimanëve, ashtu edhe e jomyslimanëve, midis fesë dhe traditës kulturore, midis Islamit dhe traditave të ndryshme të popujve që i takojnë fesë islame”, thotë mes tjerash në këtë intervistë kryetari i Unionin të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.
Albinfo.ch: Kjo nismë për unifikimin e komunitetit islam shqiptar nëpërmjet Unionit, a mund të themi se ka rezultuar me mungesën e një organizate qendrore, ku do të përfaqësoheshin interesat e myslimanëve shqiptarë në Zvicër, apo mund të themi se myslimanët shqiptarë janë të përçarë mes tyre?
Rejhan Neziri: Që në fillim dëshiroj të theksoj se ky organizëm është Union i imamëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër dhe nuk është Union i xhamive apo i qendrave islame shqiptare këtu. Qëllimi i themelimit të këtij Unioni para së gjithash është konsolidimi i radhëve tona si imamë dhe krijimi i një platforme të përbashkët për veprim sa më efikas në kontekstin zviceran. Pra, ne në plan të parë jemi të fokusuar në veprimtarinë dhe funksionalitetin e udhëheqësve shpirtërorë, respektivisht të imamëve shqiptarë. Themelimi i Unionit është paraqitur si rrjedhojë e takimeve të rregullta mujore që ne si imamë i kemi realizuar në mënyrë joformale qe afro dy vjet. Andaj, edhe u pa e rrugës që këto takime ta marrin formën që e kanë sot.
Albinfo.ch: A mendoni se Unioni është gjithëpërfshirës dhe keni përkrahjen e të gjithëve në Zvicër, si është pritur një lajm i tillë, a ka ndonjë reagim qoftë të institucioneve zvicerane apo organizmave të tjerë?
Rejhan Neziri: Pranë vetes kemi afro 30 imamë shqiptarë që thuajse rregullisht kanë marrë pjesë si në takimet tona të mëhershme, ashtu edhe me rastin e themelimit të Unionit. Sipas të dhënave që zotërojmë ne, në Zvicër për momentin veprojnë diku rreth 35-40 imamë shqiptarë. Numri i mbetur i imamëve nuk është i përfshirë në të dhe nuk e dimë qëndrimin e tyre rreth Unionit. Mirëpo, po e theksoj se ne jemi të hapur për të gjithë imamët shqiptarë që pajtohen me statutin tonë, me filozofinë dhe synimet tona, natyrisht duke e ndjekur procedurën e rregullt për anëtarësim në Union, të paraparë në pikën 4.3 të statutit. Për themelimin e Unionit i kemi lajmëruar Bashkësitë Islame të vendlindjes, prej të cilave akoma nuk kemi ndonjë reagim zyrtar, si dhe popullatën shqiptare në diasporë dhe vendlindje nëpërmjet medieve shqiptare këtu dhe atje, e cila kryesisht ka shprehur kënaqësi të veçantë për një hap të këtillë, madje për shumë prej tyre kjo është konsideruar edhe si e vonuar.
Albinfo.ch: Keni thënë se Unioni i Shqiptarëve nuk do ta tolerojë ekstremizmin e as fanatizmin, sa është i theksuar ekstremizmi në Zvicër?
Rejhan Neziri: Në kohë e rrethana të caktuara theksohen ndjenjat ekstremiste të llojeve të ndryshme, si fetare, nacionale, kulturore etj. Ky është një realitet që nuk mund të fshihet kollaj, pa marrë parasysh intensitetin e këtij ekstremizmi dhe pa i marrë parasysh faktorët që e stimulojnë atë në janë fiktivë apo realë. Ne e shohim si përgjegjësi tonën të merremi seriozisht me çdo lloj deklarate që do të nënkuptohej si nxitëse e ekstremizmit apo fanatizmit, në radhë të parë të ekstremizmit apo fanatizmit fetar islam, duke qenë se këtë jo që nuk e kërkon Islami prej nesh, porse e kundërshton prerazi.
Albinfo.ch: Kush ka folur në emër të myslimanëve shqiptarë në Zvicër, kush i ka përfaqësuar deri tani, Këshilli Qendror Islamik Zviceran (KQIZ), i udhëhequr nga i shumëpërfoluri Nicholas Blancho, apo dikush tjetër?
Rejhan Neziri: Pjesa dërmuese e xhamive apo qendrave islame shqiptare, nëse jo të gjitha, janë të inkuadruara nëpër organizata të ndryshme rajonale islame, si DIGO, VIOZ, VIOKL etj., si dhe në dy organizatat kulmore në nivel kombëtar, FIDS dhe KIOS. Andaj, ato akoma sot e kësaj dite e përcjellin zërin e tyre nëpërmjet këtyre organizatave, ku edhe përfaqësohen në nivele të ndryshme të strukturave të tyre. Nuk kam dëgjuar akoma që ndonjë xhami apo qendër islame shqiptare të jetë anëtare në Këshillin që e përmendni ju.
© Sondazh i realizuar nga albinfo.ch
Albinfo.ch: Si do t’u qaseni ideve të Nicholas Blancho, i cili ka paralajmëruar disa projekte madhore, si një xhami në Bernë, një televizion islamik, a do t’i përkrahë Unioni këto nisma të Blanchos?
Rejhan Neziri: Ne jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që pajtohen me mënyrën tonë të veprimit dhe që kontribuojnë në realizimin e synimeve tona të shprehura edhe në dokumentin tonë juridik, pra në statut, të miratuar para dy javësh.
Albinfo.ch: A do të thotë që nuk do ta përkrahni as kundëriniciativën e paralajmëruar për lejimin e minareve në Zvicër?
Rejhan Neziri: Ne jemi të vetëdijshëm se me referendumin e minares nuk është ndaluar vetëm ndërtimi i minares si e tillë, porse është shembur besimi ndaj popullatës muslimane që jeton në Zvicër. Ky referendum nuk u fitua në saje të minareve të shumta, porse në saje të propagandës së gjithëmbarshme kundër Islamit dhe myslimanëve dhe pikërisht në saje të mbjelljes së frikës së pavend te popullata zvicerane kundër muslimanëve. Përderisa të jenë të gjalla e të freskëta këto frika, dyshime e paragjykime te popullata zvicerane dhe përderisa të ekzistojnë parti të caktuara politike dhe medie që ushqehen me ksenofobi e islamofobi, edhe sikur njëqind herë të mbahej ky referendum, do të kishte fituar. Së këndejmi, edhe kush e di sa referendume të tjera kundër kësaj ndalese që të mbahen, do të dështojnë. Andaj, është gjynah gjithë ato të holla të harxhohen për diçka që është e sigurt se do të dështojë. Ne e shohim të arsyeshme që të jemi të hapur e transparentë ndaj popullatës vendëse dhe ta informojmë atë me gjakftohtësi e me durim për mësimet islame dhe për muslimanët, t’i shembim paragjykimet që mund të ekzistojnë në këtë kontekst dhe të kontribuojmë në rikthimin e besimit të ndërsjellë në mes të feve, kulturave e qytetërimeve.
Albinfo.ch: Keni thënë se imamët shqiptarë po ashtu do të angazhohen fuqishëm për avancimin e dialogut ndërfetar dhe për këtë Unioni do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe ruajtjen e paqes e të bashkëjetesës në shoqërinë zvicerane, a ka tolerancë fetare në Zvicër?
Rejhan Neziri:Sigurisht që po, përndryshe ne nuk do të ishim sot prezentë këtu. Falë tolerancës, mirëkuptimit dhe gatishmërisë për të bashkëjetuar, sot Zvicra është në një pozitë për t’u dalluar me shumësinë e gjuhëve, kulturave dhe feve. Pavarësisht tentimeve nga qarqe të caktuara për ta vënë në pikëpyetje këtë tolerancë, prapëseprapë është ruajtur dhe ruhet e kultivohet akoma edhe sot fryma e diversitetit fetar, kulturor e gjuhësor. Këtë e dëshmojnë takimet e ndërsjella që dita-ditës vetëm se shtohen ndërmjet pjesëtarëve të feve të ndryshme, krijimi i organizatave të ndryshme ndërfetare, ndërkulturore etj.
Albinfo.ch: Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka për synim të përcjellë edhe mesazhin islam në Zvicër dhe jashtë saj duke i përhapur njohuritë fetare islame dhe duke lehtësuar rrugën e mësimit të Islamit, si do ta arrini ta bëni këtë?
Rejhan Neziri: Ne si imamë të gjithë jemi të angazhuar nëpër xhamitë a qendrat tona islame, me ç’rast jemi në kontakt të vazhdueshëm si me popullatën myslimane, ashtu edhe me atë jomyslimane. Përcjelljen e njohurive e bëjmë përmes predikimeve të rregullta në ditët e premte dhe të diela, përmes mësimit fetar për fëmijë e të rritur që e zhvillojmë nëpër qendrat tona, përmes takimeve familjare që i zhvillojmë me raste të ndryshme që kanë karakter fetar, si synetimi, fejesa, martesa, vdekja etj., pastaj përmes vizitave të të sëmurëve dhe të burgosurve, përmes aktivizimit të faqeve të internetit, etj. etj.
Albinfo.ch: Ju jeni zotuar se do të kontribuoni në zgjidhjen e problemeve të shumta të myslimanëve në rrafshin social, psikik, kulturor dhe fetar, cilat janë problemet që janë më specifike dhe janë të pranishme te komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër?
Rejhan Neziri: Problemet janë të llojllojshme, si individuale, ashtu edhe kolektive, kulturore apo fetare. Vërehet mungesa e vetëdijes për arsimim dhe edukim adekuat të fëmijëve myslimanë, vërehen vështirësitë për punësim sipas rregullave të veshjes në Islam, sidomos për femrat myslimane me shami, pastaj mungesa e pjesëmarrjes aktive në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike këtu nga ana e myslimanëve. Një ndër problemet që herë-herë na paraqitet si i madh e me pasoja është mungesa e dallimit, si nga ana e myslimanëve, ashtu edhe e jomyslimanëve mes fesë dhe traditës kulturore, mes Islamit dhe traditave të ndryshme të popujve që i takojnë fesë islame.
Albinfo.ch: Madje keni thënë se do të angazhoheni edhe për integrimin e myslimanëve në shoqërinë zvicerane dhe me këtë rast keni thënë se bartni qëndrimin e mesëm në interpretimin e Islamit, a mund të na jepni më shumë sqarime për këtë të fundit, pse të mesëm, çfarë interpretime ekzistojnë për Islamin?
Rejhan Neziri: Duke qenë se jo vetëm në Islam, porse edhe te fetë e tjera hasen më së paku dy forma të qasjes ndaj teksteve fetare, pra qasja literaliste, e fjalëpërfjalshme dhe ajo figurative, kontekstuale, ne parapëlqejmë që në çdo gjë, madje edhe në leximin dhe interpretimin e tekstit fetar, qoftë ky të jetë Kur’ani, qoftë të jetë burimi i dytë, pra sunneti, të mos shkëputemi nga e mesmja, nga mesatarja, ngase pikërisht me këtë tipar edhe dallohet ummeti, apo bashkësia myslimane në botëkuptimin kur’anor. Kjo përmblidhet në fjalën kur’anore: “Ne ju bëmë juve bashkësi të së mesmes/ummeten veseta”.
Albinfo.ch: Si duket keni marrë shumë detyra, a do të thotë se tash e tutje do të merreni edhe me organizimin e haxhit për myslimanët shqiptarë në Zvicër?
Rejhan Neziri: Ne si Union nuk do të merremi me organizimin e haxhit, ngase kjo nuk është ndër synimet tona që duhet ta realizojmë. Mirëpo, ne do t’i mbështesim organizatorët e haxhit, pasi në fakt bëhet fjalë për haxhilerët e xhamive tona, ku ne veprojmë si imamë. Andaj, këta haxhilerë e meritojnë të kenë një udhëtim dhe qëndrim të përshtatshëm në vendet e shenjta islame dhe kryerjen e këtij ibadeti në mënyrë dinjitoze. Këtë mbështetje do ta bëjmë, nëse duhet, edhe përmes vërejtjeve apo sugjerimeve të nevojshme drejtuar organizatorëve të haxhit për pikat që konsiderojmë se mund të korrigjohen.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës