Kuriozitete

Coca-Cola, 1 milion dollarë për atë që gjen alternativën e pijes pa sheqer

Coca Cola ka iniciuar një garë ku fjalën do ta kenë hulumtuesit e industrisë ushqimore, të cilët stimulohen të zbulojnë një variant të coca-colas pa sheqer ose me sa më pak kalori

Gjiganti botëror i industrisë së pijeve freskuese, Coca-Cola ka bërë një ofertë interesante: Ai ose ajo që e gjen një alternativë për përdorimin e sheqerit në pijen numër një në botë, do të shpërblehet me një milion dollarë. Më saktësisht, Coca Cola ka iniciuar një garë ku fjalën do ta kenë hulumtuesit e industrisë ushqimore, të cilët stimulohen të zbulojnë një variant të coca-colas pa sheqer ose me sa më pak kalori, shkruan standard.at.

Koncerni amerikan i ka vënë vetes për synim që deri në vitin 2020 të ulë për 10 për qind sasinë e sheqerit në asortimentin e pijeve që prodhon, transmeton albinfo.ch.

“Ne jemi vazhdimisht në kërkim të përbërësve të rinj dhe e dimë se idetë e mira mund të vijnë nga të gjitha anët”, ka thënë menaxheri i Coca Colas, Robert Long.

Prodhuesi i pijes më të popullarizuar në botë është përballur me tremujorin e nëntë me radhë me trendin e rënies së shitjes. Për këtë arsye ai po përpiqet prej kohësh që duke prodhuar pije me më pak kalori, t`ia përshtatë ato shijes së ndryshuar të konsumatorëve, përcjell albinfo.ch. Për ta arritur këtë, Coca-Cola tashmë është orientuar më shumë edhe në prodhimin e lëngjeve të pemëve dhe të prodhimeve pa sheqer.