Kuriozitete

Nuk është keq të flihet me qenin në një dhomë

“Kemi gjetur se shumica e njerëzve gjejnë rehati dhe siguri kur flenë me kafshët e tyre”, ka thënë specialistja Lois Krahn

Disa qenë preferojnë të flenë në shtretërit e pronarëve të tyre. Disa nga ta përjashtohen nga frika se do t’ua prishin rahatinë gjatë natës.

Megjithatë, një studim i ri thotë se është në rregull që të flihet bashkë me qenin, por atij i duhet të ketë një shtrat të vetin.

Një studim i mëhershëm i “Mayo Clinic” nga viti 2015 kishte anketuar 150 pacientë në një qendër mjekësore. Më shumë se gjysma e tyre kishin lejuar që kafshët shtëpiake të flinin nëpër dhomat e tyre,  por një nëngrup i tyre kishte thënë se kafshët po ua prishin rehatinë e gjumit.

Tani studimi më i ri nga kjo qendër mjekësore, ka përcjellë gjumin e 40 pronarëve të qenve të cilët nuk kanë pasur probleme me gjumë për pesë muaj. Pronarët dhe qentë e tyre ishin përcjellë për shtatë net nga hulumtuesit, përcjell albinfo.ch.

“Kemi gjetur se shumica e njerëzve gjejnë rehati dhe siguri kur flenë me kafshët e tyre”, ka thënë specialistja Lois Krahn.

Studimi thotë se dallimi është vetëm nëse një qen fle në shtrat apo thjesht në dhomë. Njerëzit me qentë në shtratin e tyre kanë vuajtur nganjëherë nga gjumi jo i rehatshëm, për dallim me njerëzit që nuk i lejuan qentë në shtratin e pronarëve.

Preferohet të mos flihet me qentë më të vegjël se gjashtë muajsh.