Feja

Unioni i Imamëve Shqiptarë akuzon Saida Keller Messahli-n për shpifje

"Shpifje, gjysmë të vërteta që janë më të rrezikshme se gënjeshtrat, përdorim konceptesh të padefinuara qartë edhe atë duke i përdorur në kontekste të gabuara, për të krijuar huti dhe frikë në opinion", janë sipas UISHZ akuzat e bëra nga Saida Keller Messahli

Imamët e xhamive të Zvicrës dhe në veçanti imamët shqiptarë kanë qenë, sidomos ditëve të fundit, në shënjestër të kryetares së Forumit për Islam Progresiv, Saida Keller Messahli. Në dy intervistat e saj të fundit, për gazetën NZZ dhe atë  “Le Temps” (këtë të fundit e ka botuar edhe albinfo.ch), ajo, duke bërë prezantimin e librit të saj të ri, merret në mënyrë kritike sërish me imamët shqiptarë në Zvicër. Duke ndjekur parimin e dhënies së fjalës të dyja palëve që polemizojnë, albinfo.ch publikon me këtë rast edhe reagimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ), në lidhje me dy intervistat e fundit.

albinfo.ch nuk mban pozicion për asnjërën nga palët e konfrontuara.

Në vijim, teksti i plotë i reagimit.

Akuzat e Saida Keller Messahlit në NZZ dhe Le Temps:

Shpifje, gjysmë të vërteta që janë më të rrezikshme se gënjeshtrat, përdorim konceptesh të padefinuara qartë edhe atë duke i përdorur në kontekste të gabuara, për të krijuar huti dhe frikë në opinion. Kështu mund të karakterizohen akuzat që znj. Saida Keller Messahli i shpreh në intervistat e saj për gazetat të ndryshme zvicerane në gjuhën gjermane dhe frënge për Islamizmin, për radikalizmin dhe ekstremizmin islam, për financimin e xhamive dhe imamëve nga organizata të jashtme islamiste etj.

Ajo shpif kur thotë se organizata të huaja islame mbështesin financiarisht ndërtimin e xhamive shqiptare dhe i financojnë imamët shqiptarë. Ajo shpif kur thotë se Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UAIS) financon ndërtimin e xhamive shqiptare në Zvicër. Ajo shpif kur thotë se shumica e imamëve në Zvicër janë islamistë, se kanë një agjendë politike, me sistem, për të rrënuar sistemin e vlerave dhe të jetës në Zvicër. Ajo shpif kur thotë se dyzet xhamitë shqiptare në Zvicër brenda UAIS janë selefiste. Ajo shpif kur thotë se në mektebet e xhamive bëhet indoktrinimi fetar i fëmijëve. Ajo shpif kur thotë se në mësimin fetar që jepet në disa shkolla publike të Zvicrës gjermanofone përdoren materiale mësimore nga Arabia Saudite ose nga Turqia. Ajo shpif kur thotë se UAIS është i lidhur me një union të ngjashëm selefist në Baden-Würtenberg të Gjermanisë. Ajo shpif kur thotë se në inaugurimin e xhamisë shqiptare në Gjenevë ka marrë pjesë edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri.

Ajo qëllimisht përdor koncepte që nuk janë të definuara qartë dhe që janë shumëkuptimëshe, si radikalizëm, islamizëm etj., për arritjen e qëllimeve të saja si një kryetare e një forumi që nuk gjen dot mbështetje në popullatën muslimane dhe këtë dëshiron ta kompensojë e ta vetëkënaqë veten duke iu vardisur populizmit anti-islam dhe anti-musliman. Populizëm ky i llojit të NPD ose AfD në Gjermani, për të cilat thotë se zviceranët duhet ta marrin si shembull në luftën kundër islamizmit që po përhapet në Zvicër; një populizëm që sot ia mbush kuletën çdokujt që flet a shkruan kundër Islamit dhe muslimanëve.

Unioni si organizatë asnjëherë nuk ka ftuar imamë apo predikues nga vendlindja në asnjë xhami, por profesorë e akademikë për trajnim të mëtutjeshëm të imamëve, kryesive të xhamive dhe të rinjve muslimanë po, si: Dr. Ahmed Xhaballah nga Parisi më 1 dhjetor 2010 në Regensdorf me temën “Sfidat e muslimanit në Evropë dhe vështrimi historik-kritik i Kur’anit”; Prof. Dr. Ednan Aslan dhe Prof. Dr. Zekirja Sejdini nga Universiteti i Vjenës në seminarin e dytë me imamët më 27 prill 2012 në Aarburg me temë “Pedagogjia islame dhe sfidat e mësuesit të edukatës islame në kontekstin zviceran”; Prof. Dr. Samuel M. Behloul nga Lucerni dhe Dr. Ahmed Alibashiq nga Sarajeva në seminarin e tretë me imamët tanë më 22.06.2013 në Brunnen (SZ) me temë “Sfidat e dialogut ndërfetar”; Dr. Bacem Dziri nga Universiteti i Osnabruckut dhe Agron Ibraj nga OJA e Cyrihut më 21.01.2017 bashkë me Qendrën Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (SZIG) në Freiburg me temën “Magjepsja ndaj dhunës – preventiva dhe masat kundër saj”; z. Simon Hehli nga NZZ dhe Pascal Gemperli nga  UVAM me 18 mars 2017 po ashtu në bashkëpunim me SZIG seminar me temën “Muslimanët dhe Islami në mediat zvicerane” dhe “Puna me mediat te organizatat muslimane”.

Disa imamlerë e predikues nga Kosova që më vonë janë akuzuar për ekstremizëm e radikalizëm, i kanë vizituar disa xhami që frekuentojnë brenda UAIS,  me ftesë të xhamive ose nga vetiniciativa e tyre, e jo nga UAIS. Në këtë kohë, kur ata i kanë vizituar këto xhami shqiptare, ata kanë qenë të punësuar në Bashkësitë Islame të vendlindjes dhe vazhdojnë të jenë akoma, pas një ndërprerje të shkurtër. Këta përbëjnë më pak se 5 % të të gjithë imamëve dhe predikuesve tjerë që i kanë vizituar xhamitë tona, ardhja e të cilëve është bërë në vijë institucionale përmes Bashkësive Islame të vendlindjes.

Edhe pse në ndërkohë këta imamë të arrestuar në Kosovë janë liruar si nga arresti ashtu edhe nga akuzat, ne na vjen keq dhe ndihemi të indinjuar dhe të zhgënjyer që këta predikues i kanë frekuentuar xhamitë tona. Nga kjo kohë ne jemi deklaruar se nuk duhet toleruar ardhja në xhamitë tona në Zvicër e këtyre elementeve dhe kjo është bërë. Kështu që, reagimet si të gazetarëve ashtu edhe të znj. Keller Messahli janë të vonuara më së paku 4 vite. Këtë vetëkontroll ne e kemi realizuar vetë dhe ne vetë e kemi parandaluar ardhjen e mëtejme të këtyre elementeve nëpër xhamitë tona.

Ne mund të mburremi se nëpër xhamitë tona, jo që mbjellët radikalizmi apo ekstremizmi, por është dhënë dhe po jepet një kontribut i paparë dhe i pahetueshëm i integrimit të muslimanëve të të gjitha moshave dhe gjinive në shoqërinë zvicerane. Këtë ne e bëjmë përmes ligjëratave tona që janë të hapura për çdokënd, bile kohëve të fundit një pjesë prej tyre edhe në gjuhën gjermane, përmes punës me fëmijët dhe me të rinjtë, përmes seminareve për imamë, kryesi xhamish po edhe për të rinj, përmes bashkëpunimit me organizatat islame kantonale dhe federale, përmes bashkëpunimit dhe dialogut me pjesëtarët e feve të tjera dhe me ato politike në nivel lokal dhe kantonal…

Ne kemi përpiluar një plan mësimor për mektebet e xhamive tona duke u mbështetur në një plan mësimor të mëhershëm për shkollat publike të Austrisë të miratuar nga Ministria e Arsimit e Austrisë. Mësimi islam që ofrohet në disa shkolla publike në Zvicrën gjermanofone po ashtu mbështeten në plane mësimore si dhe në tekste mësimore të njohura zyrtarisht nga ministri të arsimit të landeve të ndryshme të Gjermanisë dhe në tekste të botuara po në Gjermani dhe që kanë fituar çmime evropiane, siç është libri Saphir 5/6.

Enkas për të rinjtë më 30.04.2017 në Aarburg dhe më 14.05.2017 në Cyrih, nën moton “Jo ekstremizmit dhe fanatizmit fetar të dëmshëm në emër të Islamit” UAIS organizoi dy seminare me tema “Radikalizimi i të rinjve muslimanë – procesi dhe sfidat” dhe Ekstremizmi, shkaqet dhe evitimi. Një qasje nga këndvështrimi islam”.

Imamët tanë shërbejnë si konsulentë pranë autoriteteve të ndryshme komunale dhe kantonale për çështjet e islamit dhe e refuzojnë diskursin e ngurtë ekstremist të disa muslimanëve të këtushëm, siç është p.sh. rasti i mësimit të notit, i përshëndetjes për dore etj.

Imamët tanë janë të angazhuar fuqishëm në dialogun ndërfetar në të gjitha nivelet dhe bashkëpunon ngushtë me organizatat ombrellë islame të nivelit kantonal dhe federal.

Më 20.03.2017 në Shtëpinë e Feve në Bernë UAIS dhe BISHZ nënshkruan para autoriteteve të larta zvicerane dhe gazetarëve kartën apo deklaratën islame në të cilën theksohet respektimi i laicitetit, i rendit kushtetues dhe ligjor i Zvicrës, i vlerave dhe parimeve demokratike, dënimi i prerë i radikalizmit dhe ekstremizmit të çdo lloji, urrejtjes ndërfetare, raciale dhe etnike; bashkëpunimi me autoritetet zvicerane dhe transparenca e plotë rreth financimit të qendrave tona etj.

Për pyetjet aktuale të muslimanëve që jetojnë në Zvicër UAIS ka krijuar një komision të gjerë për t’iu përgjigjur atyre dhe deri më tani ato janë publikuar në web faqen e UAIS-it. Këto përgjigje (fetva) nuk kanë karakter universal, porse lokal, u shërbejnë vetëm muslimanëve të këtushëm. Ato nuk janë as normative, por afirmative. Kush dëshiron i merr përgjigjet, e kush dëshiron, kërkon përgjigje tjera. Ato assesi nuk paraqesin sistem juridik paralel me atë të Zvicrës. Ato as që bien ndesh me këtë sistem. Përkundrazi, komisioni ka kujdes që përgjigjet dhe zgjidhjet e problemeve fetare të muslimanëve të bëhen brenda kornizës së përgjithshme juridike të Zvicrës. Mjafton një vështrim i përgjigjeve të deritanishme për të kuptuar karakterin e tyre. P.sh. “A lejohet përdorimi i uthullës nga rakia për zierje (Branntweinessig)?”, “A lejohet transplantimi i valvuleve të zemrës së derrit për muslimanin?”, “A lejohet që prindi t’ia japë zekatin fëmijës së vet?”, “A lejohet dhënia e zekatit për shërimin e të sëmurëve nga kanceri?”, “Llogaritja astronomike dhe caktimi i fillimit dhe mbarimit të agjërimit”, “A lejohet abortimi i fëmijës nga një nënë e cila ka mbetur shtatzënë pa dëshirë, duke marrë parasysh se ajo ka pësuar dy aborte paraprake?” etj.

Në një konferencë për media në Regensdorf më datë 20.11.2016 dhe të botuar një ditë më vonë në NZZ, UAIS është shprehur qartë:

“Ne deklarojmë preras se ne nuk mbështetemi financiarisht nga asnjë organizatë islame e vendit apo e huaj. Ne as nuk dëshirojmë dhe as që kemi nevojë të kemi mbështetje financiare nga organizata të vendit ose të huaja që dyshohet se mund të merren me veprimtari të dyshimtë dhe jo transparente.

Këto etiketime janë lëndim shumë i thellë shpirtëror për anëtarët e xhamive tona të cilët me mundin e tyre maksimal kontribuojnë në blerjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre xhamive.

Secila xhami vazhdimisht i publikon haptas në lokalet e veta të dhënat për kontributet financiare të anëtarëve dhe të dhuruesve të tjerë.

Secila xhami e jona ka së paku arkëtarin e vet, shumica edhe një kontabilist, për menaxhimin më efikas të financave, dhe secila xhami është e gatshme t’i dëshmojë secilit autoritet zviceran deri në frangun e fundit për të gjitha të hyrat dhe të dalat financiare të xhamive tona.

Ne deklarojmë se financimi për blerjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive tona bëhet kryesisht nga anëtarët tanë. Ata, përveç anëtarësisë vjetore, në raste kur këtë e lyp nevoja, e mbështesin xhaminë edhe me donacione shtesë si dhe me punë fizike, duke e marrë parasysh se shumica e anëtarëve tanë ushtrojnë me vite të tëra nga një profesion që ka të bëjë me ndërtimtarinë. Mbështetja e vetme jashtë xhamive tona na vjen nga aksionet donatore të xhamive tjera të Zvicrës, edhe këto kryesisht xhami shqiptare.

Ndërsa mbështetjen më të madhe e kemi nga bankat zvicerane në formë të hipotekave dhe kredive për ndërtim. Këto kredi përbëjnë përqindjen më të lartë të financimit për blerjen, ndërtimin dhe meremetimin e xhamive tona.

Ne jetojmë akoma në një shtet të së drejtës në të cilin akuzat, sidomos ato të rëndat, duhet të vërtetohen me prova. Barra e sjelljes së provave nuk mund thjesht të kthehet së mbrapshti. Akuzuesi është ai që duhet të sjellë provat (necessitas probandi incumbit ei qui agit) e jo i akuzuari.”

Duke u mbështetur në të gjitha këto sa u tha më lart, ne deklarojmë haptas se në qoftë se znj. S. K. Messahli nuk i tërheq prapë akuzat shpifëse dhe gënjeshtrat ndaj nesh si UAIS dhe xhamitë shqiptare që frekuentojnë brenda organizatës sonë, ajo do të përballet me ne në rrugë ligjore dhe juridike.

Ngelim me shpresë që portalet të cilat publikojnë intervista të huazuara të Saida Keller Messahli do të gjejnë kohë dhe hapsirë që të marrin edhe mendimin e UAIS drejpërdrejt përmes intervistave për qëndrimet e tij për shpifjet e lansuara nga Saida Keller Messahli, përfundon teksti i reagimit të UISHZ (UAIS), i nënshkruar nga Nehat Ismaili, Kryetar