Integrimi
Nga marsi, birra e Pejës në shitoret e Coop-it në Zvicër
“Birra Peja” fillimisht do të plasohet në 460 filiala të COOP-it (nga rreth 1400 sa i ka gjithsej në Zvicër)
Duke filluar nga mesi i marsit, në marketet e Coop-it, në Zvicër do të dalë në shitje produkti i parë nga Kosova dhe përgjithësisht nga trojet shqiptare. “Birra Peja”, ka pasur nderin të nisë e para aventurën e distribuimit në rrjetin e gjerë të kolosit numër dy në mesin e ndërmarrjeve tregtare të Zvicrës Coop.
Merita për këtë i takon Rexhep Berishës, me qëndrim në Bazel, pronar i firmës R.B. Import& Export dhe i restorantit “Sängerstübli”, në po këtë qytet.
Ai tregon për albinfo.ch se përpjekjet për të sjellë në Zvicër birrën e Pejës, janë të mëhershme. Madje kjo birrë prej disa vitesh mund të blihet në të ashtuquajturat “etnomarkete” (shitoret me mallra ballkanike) pastaj në Dener-Satelit dhe në Spar. “Markën” e Birrës së Pejës ai e ka regjistruar që në vitin 2008 dhe e gëzon ekskluzivitetin për importimin e saj në Zvicër.
“Por për ta promovuar këtë produkt kosovar në rrjetin e shitoreve të Coop-it është investuar goxha kohë dhe mund”, thotë Berisha. Duke ditur kërkesat e larta që parashtron Zvicra dhe në veçanti Coop-i, është dashur të kalohen disa procedura që i praktikojnë këtu për futjen e një malli në asortimentin e tyre. Sjellja e mostrave të birrës nga Kosova, dërgimi i tyre për ekzaminim në laboratorët e këtushëm, negociatat me përgjegjësit e shitjes, janë disa nga vështirësitë që duheshin kaluar.
“Na është dashur të bëjmë edhe ndryshimet e domosdoshme në etiketat e shisheve. Tash në to, mbi logon “Birra Peja”, sipas kërkesës së distributorëve, nuk shkruan më “Pilsner” por “Original”. Pastaj teksti është shkruar në tri gjuhët e Zvicrës: gjermanisht, frëngjisht dhe italisht”, sqaron Rexhep Berisha.
Ai thekson se “Birra Peja” fillimisht do të plasohet në 460 filiala të COOP-it (nga rreth 1400 sa i ka gjithsej). “Për fillim, birra jonë do të vendoset në raftet e produkteve me origjinë nga Ballkani. Më vonë, nëse do të ketë kërkesa, ajo do të hyjë edhe në asortimentin e gjerë të birrave zvicerane e të tjera”.
Ndërkohë që birra e Pejës pas një muaji do të mund të blihet në Coop, importuesi i saj, Rexhep Berisha vazhdon përpjekjet e tij për të importuar edhe produkte tjera nga Kosova në po këtë ndërmarrje.
“Nga bisedat me përgjegjësit e këtushëm, kanë dalë kërkesa për të sjellë më shumë produkte nga Kosova, për t`i shitur në rrjetin shitës të këtij gjiganti tregtar. Ata na thonë se çdo i tridhjeti banor i Zvicrës është shqiptar ose nga Kosova, kështu që atyre u duhen ofruar edhe mallra nga vendlindja. Prandaj, ne kemi sjellë këtu mostra të disa produkteve cilësore si ujë Mirosi nga Ferizaj, pijet e kompanisë Bibita nga Peja pastaj ajvar e xhem nga Gjilani etj. Cilësia e tyre do të testohet nëpër laboratorët e këtushëm dhe shpresojmë që të gjejnë rrugën për në Zvicër”, thotë Rexhep Berisha.
Në të njëjtën kohë ai pret që të fitojë lejen për të shpërndarë birrën e Pejës edhe në shtetet tjera të Evropës perëndimore.
Importuesi kosovar është i vetëdijshëm për pengesat që i dalin në rrugën e importimit të mallrave nga Kosova në Zvicër, i njeh kriteret e larta të Zvicrës për mallrat e jashtme, por është i bindur se edhe në Kosovë ka produkte me standardet e kërkuara në Zvicër.
Duke importuar mallra nga Kosova ai stimulon prodhuesit e atjeshëm për të ngritur standardin dhe për të zgjeruar kapacitetet prodhuese. E kjo, ka si rezultat hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë, është i bindur Rexhep Berisha.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër? Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme në Zvicër. Ekspertët besojnë se rregulloret aktuale janë të...
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes