Lajme

Regjistrohet popullata e Kosovës pas tre dekadash

Në regjistrim nuk janë specifikuar rrethanat e regjistrimit të diasporës

Pas 30 vitesh do të mbahet regjistrimi i popullsisë në Kosovë. Në pranverën e vitit të ardhshëm do të hiqen dilemat rreth numrit të banorëve që gjatë këtyre dekadave ka qenë çështje kontestuese mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pikërisht para një viti, Kuvendi i Kosovës, pat marrë vendim që regjistrimi të fillojë më 1 prill dhe të përfundojë më 15 prill të vitit 2011. Një regjistrim i tillë nuk është bërë në Kosovë që nga viti 1981.

Regjistrimi i popullsisë parashihet edhe me Planin për statusin e Kosovës të presidentit Martti Ahtisaari. Në këtë plan është përcaktuar që përfaqësuesi civil ndërkombëtar, në bashkëpunim me institucionet vendëse, ta caktojë kohën e regjistrimit të popullsisë.

Sipas një rregullore të Parlamentit Evropian (PE), obligohen shtetet e BE-së dhe ato që aspirojnë të futen në këtë bashkësi, që regjistrimin e popullsisë ta bëjnë në çdo vit të parë të dekadës së re.

Dhe, së fundi, para dy muajsh, qeveria në largim, në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me EUROSTAT-in, ka vendosur që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të bëhet në të njëjtën periudhë kohore me regjistrimet në shtetet e BE-së.

Angazhohen tetë mijë anketues

Regjistrimi është duke përcjell me përgatitje teknike dhe operacionale. Institucionet që do të përkujdesen për mbarëvajtjen e këtij operacioni të rëndësishëm statistikor thonë se janë të përgatitur.  Në këtë proces, që është i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të shtetit, do të jenë të përfshirë rreth tetë mijë anketues.

Por, mbetet ende për t’u punuar në sistemin e ekipimit dhe operacionalizimit. Mjetet tashmë janë ndarë dhe Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Enti Statistikor i Kosovës (ESK) po bëjnë përgatitjet për rrumbullakimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Qeveria e Kosovës ka ndarë afër katër milionë për regjistrimin, ndërsa Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ka ndarë 2.5 milionë euro. Por, duhen edhe tre milionë euro, që pritet në sigurohen nga donacionet e shteteve të BE-së.

Optimizmi i zyrtarëve dhe sfidat për regjistrimin e serbëve në veri

Zyrtarë të MAP-it dhe të ESK-së janë optimistë se regjistrimi do të kryhet me sukses dhe të dhënat e para preliminare statistikore do të jepen gjashtë muaj pas regjistrimit. Ministrja në largim e MAP-it, Edita Tahiri, e quan si ngjarje historike për Kosovën procesin e regjistrimit.

E specializuar në SHBA për administratë publike, Tahiri është e vetëdijshme për sfidat që mund të dalin nga ky proces i ndërlikuar. Në këtë kuadër, ajo thotë se sfidë mbetet bindja e banorëve serbë të pjesës veriore të Mitrovicës, që të përfshihen në këtë projekt. Tahiri ka thënë se institucionet kosovare me faktorët ndërkombëtarë janë duke i bërë thirrje Beogradit zyrtar që të mos e pengojë pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces.

Deri më tani Beogradi zyrtar nuk ka ndonjë qëndrim rreth regjistrimit në Kosovë. Po ashtu as përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk ka dal me qëndrim për këtë regjistrim. Ka të ngjarë që në pjesën veriore të vendit, të banuar kryesisht me serbë, të ketë bojkotim të këtij procesi.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ESK-së, Nait Vrenezi, për albinfo.ch ka thënë se nuk druan për lojë politike të Beogradit zyrtar me këtë regjistrim, ngase regjistrimi do të mbahet po të njëjtën kohë edhe në Serbi dhe nuk ka interes Beogradi zyrtar të bëjë regjistrim të dyfishtë të banorëve të veriut të Kosovës. “Problem mund të paraqet veriu i Kosovës, ndërsa enklavat nuk besoj se do të paraqesin problem. Është në interes të vetë serbëve që të regjistrohen dhe përfundimisht të dihet numri rezident i tyre.

Sipas Vrenezit, janë të kryera të gjitha metodologjitë dhe pajisjet teknologjike, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të dhënat mund të mblidhen analizohen dhe të ruhen.

Regjistrimi, lehtësim për planifikimet e shumta

Ndryshe, me aprovimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë janë krijuar kushtet ligjore për këtë proces, që institucioneve të Kosovës do t’ua lehtësonte planifikimin e veprimeve të tyre në shumë aspekte.

Po ashtu, në bazë të ligjit, i regjistruari është i detyruar të jap të dhëna të sakta për atë dhe anëtarët e familjes së tij, si edhe për pronën dhe veprimtaritë biznesore.

Por, nuk janë specifikuar rrethanat e regjistrimit të diasporës. Kërkohet që për secilin person të ofrohen dokumente, që dëshmojnë se ata janë banorë të Kosovë. Dhe, kjo do të vështirësojë regjistrimin e një numri të madh të banorëve që jetojnë në vendet perëndimore.

Në bazë të ligjit, banorë rezidentë do të regjistohen ata individë apo të afërmitë e tyre, të cilët në ditën e regjistrimit gjenden në Kosovë dhe i ofrojnë dokumente  regjistruesit dëshmi se janë banorë të Kosovë. Ndërsa banorë jorezidentë trajtohen të huajt që jetojnë dhe punojnë në Kosovë – punonjës të ambasadave, misionëve ndërkombëtare, refugjatë, si dhe shtetas të huaj që janë përkohësisht në Kosovë.

Duke u bazuar në regjistrimin e fundit, në vitin 1981, Kosova ka pasur 2 207 896 banorë, prej të cilëve 92 për qind kanë qenë shqiptarë, 5.3 për qind serbë dhe 2.7 për qind grupe të tjera etnike.