Shkurt.ch

Numri më i ulët i kërkesave për azil, që nga viti 2010

Gjatë tremujorit të dytë, (prill-qershor) janë bërë 4392 kërkesa për azil. Kjo shifër është për 26 për qind më e vogël se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar

Edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, në Zvicër ka vazhduar trendi i rënies së numrit të kërkuesve të azilit. Ndërsa nga janari deri në fund të qershorit (gjashtë muaj) janë regjistruar gjithsej 9123 azilkërkues, që që është shifra më e ulët e regjistruar që nga viti 2010.

Gjatë tremujorit të dytë, (prill-qershor) janë bërë 4392 kërkesa për azil, bën të ditur Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) në një komunikatë të publikuar sot. Kjo shifër është për 26 për qind më e vogël se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa gjatë qershorit të këtij viti, numri i azilkërkuesve ka rënë për afër një të tretën në krahasim me qershorin e vitit 2016, gjegjësisht janë regjistruar gjithsej 1634 kërkesa azili.

Ndonëse për pjesën e mbetur të vitit pritet që, sipas rregullit, numri të rritet, Zvicra vazhdon të konsiderohet vend jo i zgjedhjes së parë sa u përket preferencave të azilkërkuesve.

Nisur nga ulja e madhe e shënuar në gjysmën e parë të vitit, SEM e ka korrigjuar së poshti prognozën e bërë në janar të këtij viti për gjithë vitin 2017. Skenari më i ulët, ai me 19500 kërkesa për azil tash konsiderohet po aq i mundshëm sa ai me 24500, që deri tash konsiderohej si më i mundshmi. Sigurisht, mbetet e pasigurt se si do të zhvillohet situata në zonat e konflikteve dhe në rrugët e migracionit. Për këtë arsye, SEM vazhdon të ketë skenarin prej 24500 azilkërkuesish, si bazë në planet e veta.

SEM gjatë qershorit ka zgjidhur 2205 kërkesa azili në shkallën e parë. 618 veta kanë fituar azilin, 667 kanë marrë qëndrimin e përkohshëm (F). 476 raste, bazuar në marrëveshjen e Dublinit, SEM nuk ka i ka trajtuar fare.