E-Diaspora

“ESMA” sjell frymë evropiane në jetën kulturore të Gjakovës

Më 10 korrik është bërë hapja zyrtare e Akademisë Verore të Muzikës Evropiane "ESMA". albinfo.ch ka biseduar me drejtorin e saj artistik, Desar Sulejmani dhe ka ndjekur provat e orkestrës së madhe të akademisë

Sot ka ardhur nga Afrika e Jugut, ndërsa përvoja e parë që Unathi Malunga ka bërë me Gjakovën, gjegjësisht me Kosovën, është ngrohtësia. Dhe nuk është vetëm ngrohtësia e mikpritjes ajo që i ka lënë mbresa gruas nga Afrika por edhe nxehtësia e motit: më 10 korrik në Kosovë termometri po shënonte rreth 35 gradë! Ndërsa në Afrikën e Jugut këto ditë është kulmi i dimrit. Një dimër afrikan, sigurisht, shumë më i butë se ai ballkanik.

 

Unathi është dirigjente me profesion dhe ka ardhur në Gjakovë si pjesë e stafit të Akademisë Verore të Muzikës Evropiane (ESMA) . Ajo është një nga drejtueset e master class-eve që zhvillohen në kuadër të ESMA)-s dhe është asistente e dirigjentit Desar Sulejmani, i cili është dhe drejtor artistik i festivalit. Nga kontaktet e para që ka pasur, shprehet shumë e kënaqur me qytetin mikpritës, Gakovën dhe me njerëzit e artit që ky qytet i ka të shumtë.

“ESMA” ka filluar nga viti 2012 në Prishtinë, me iniciativën e një pianisti çek (Jaromir  Kepac), fillimisht me mbështetjen vetëm të ambasadës çeke dhe pastaj ka fituar edhe mbështetjen e një numri ambasadash perëndimore këtu në Prishtinë, ku duhet të theksoj atë të Gjermanisë”, shprehet për albinfo.ch, Desar Sulejmani, dirigjent dhe pianist i afirmuar në Gjermani. Ai vet është që nga fillimi në grupin e punës si pjesë e akademisë, fillimisht si pedagog ndërsa nga fundi i vitit 2014, ka marrë edhe drejtimin artistik të festivalit.

 

Kontributi zviceran, i pashmangshëm

Menaxher i përgjithshëm i akademisë është Georg Fankhauser nga Bazeli, Zvicër, i cili është shumë i njohur me angazhimin e gjithanshëm që ka treguar për të ndihmuar kulturën dhe fusha të tjera të jetës, në Gjakovë dhe në përgjithësi, në Kosovë. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij, Dorothea, ka qenë në ballë të shumë organizimeve në këtë drejtim. Prej disa vitesh drejton shoqatën “Gjakova-Basel” dhe së fundi edhe fondacionin “Kosovaideas”.

Aktivitetin të cilin e drejton nga ana artistike, Desari e identifikon si “një akademi e mirëfilltë kursesh performimi. Këtu vijnë studentë ose nxënës të moshave të rritura, nga shkollat e mesme të muzikës të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës, Serbisë ndërsa ka pasur edhe nga Gjermania e Hungaria. Deri në vitin e kaluar ata kanë marrë mësime individuale për instrumentet përkatëse. Ndërsa në dy edicionet e fundit kemi filluar të japim mësime të orkestrës kamertale (të dhomës).

Këtë vit, “ESMA” me orkestër të madhe 

Por këtë vit kemi bërë një ndryshim të madh të punës, i jemi përkushtuar tërësisht ngritjes së një orkestre të plotë simfonike, të cilën e kemi quajtur Orkestra Simfonike e Festivalit “ESMA”. Nga mbi 140 të paraqitur e të regjistruar është formuar kështu një orkestër e madhe ndërkombëtare ose së paku ndërballkanike. Pjesëmarrësit qëndrojnë dhjetë ditë këtu, në Gjakovë dhe pastaj të gjithë së bashku shkojmë në Prishtinë ku japim një koncert. Ndërsa këtë vit për herë të parë do të jemi edhe në Tetovë, Maqedoni, ku më 23 korrik përfaqësojmë produktin tonë artistik”, vazhdon Sulejmani.

Ai sqaron më tutje se pedagogët e kësaj akademie, që të gjithë janë nga jashtë, kryesisht nga Gjermania. Gjithashtu si “staf të jashtëm” mund të konsiderojmë edhe pianisten e njohur që vepron në Austri por që është e lindur në Prishtinë, Ardita Statovcin, thotë ai dhe këtu e përfshin edhe veten. Desar Sulejmani, i lindur në Shkodër, ka shumë vite që jeton në Gjermani, ku udhëheq disa orkestra dhe ka bërë emër si dirigjent e pianist edhe përtej Gjermanisë.

Por ku e shohin organizatorët favorin nga kjo akademi, cilat janë rezultatet që priten nga ajo? “Në radhë të parë ky organizim përbën një kontribut për ndërkombëtarizimin e të qenit faktor artistik, të Kosovës. Pra, Kosova me ESMA fiton në njohje, prestigj, pasi që kjo akademi ka krijuar tashmë një emër të mirë. Favori është që në këto dy javë, studentët që vijnë këtu të marrin një mësim, një pasqyrë se si punohet në Evropën perëndimore. Ata, ose një numër prej tyre, pastaj fitojnë mundësinë për të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare, siç kishim vitin e kaluar kur shkruan dy grupe nga kjo akademi në Gjermani ku ne u dhamë mësime falas”, thotë Sulejmani për albinfo.ch.

 

Të premten, koncerti i parë

Ju ftojmë të merrni pjesë në koncertin e parë “Let’s play together” ne kuadër te ESMA 2017, i cili do të mbahet me datën 14 korrik 2017 në orën 20:00 ne Sallën Koncertale të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

Axhendën e përgjithshme të ESMA-s do mund ta gjeni në faqen e internetit tek kategoria Events of ESMA 2017 

https://www.european-music-academy-ks.com/events/events-of-esma-2017/

 

ESMA mbështetet nga:

Ambasada e Gjermanisë, e Luksemburgut, e Zvicrës, Holandës, Austrisë, Hungarisë, Francës dhe Çekisë. Albinfo.ch është partner medial i këtij organizimi. Po ashtu Raiffaisen Bank Kosova , komuna e Gjakovës, organizata “GjakovaBasel” dhe partnerë të tjerë lokalë janë vënë në ndihmë të kësaj akademie të llojit të veçantë.

Fotot: Xhevdet Kallaba