Opinione

Kartoni i Gjelbër: Manifestim i neglizhencës së institucioneve kosovare

“Fjalët që më vijnë ndër mend kur jam në kufi të Kosovës janë padrejtësia dhe lodhja që bëhet këtu”. Kështu u shpreh Adelina Dakaj, një shqiptare e Kosovës që jeton në Gjermani. Dakaj mori pjesë në takimin virtual Sigurimi Kufitar për mërgimtarët: Pse? Ky takim është pjesë e nismës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës, e drejtuar nga organizata Germin. Ky takim u moderua nga Lavdi Zymberi dhe panelistët ishin Bekim Dalipi (Zvicër), Daut Haxhaj (Norvegji), Përparim Avdili (Zvicër), Kushtrim Ahmeti (Kosovë) dhe Fjolla Vukshinaj (Kosovë).

Ashtu si Dakaj, të gjithë panelistët tjerë konfirmuan që fjalët e para të cilat mërgimtarët shpesh i mendojnë përderisa presin në pika kufitare janë lodhje, padrejtësi, nepotizëm dhe diskriminim. Kjo ndodh për shkak të pritjeve disa orëshe dhe hapave të komplikuar burokratik të cilët mërgimtarët duhet të ndjekin për të paguar sigurimin kufitar. Mërgimtarët hasin këto sfida sepse Kosova nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, i cili garanton mbulesë minimale të sigurimit të automjeteve për persona që vozisin jashtë shtetit në të cilin janë siguruar. Një taksë shtesë kërkohet nga mërgimtarët që tashmë posedojnë Kartonin e Gjelbër, edhe pse hyrja e Kosovës ne sistemin e Kartonit të Gjelbër diskutohet që nga viti 2011.

Pyetur rreth sfidave kryesore që krijon mungesa e Kartonit të Gjelbër në Kosovë, Dalipi tha që shumë prej mërgimtarëve në Zvicër nuk arrijnë të kuptojnë pse ata/ato duhet të paguajnë sigurim shtesë çdo herë që hyjnë në Kosovë. Po ashtu, Dakaj theksoi se taksa që paguhet është e padrejtë sepse është një taksë e dyfishtë dhe shuma që kërkohet nga sigurimet kosovare është e lartë, sidomos kur e vëmë në relacion me shumën që paguhet në rast që makina pëson dëme.

Duke ju referuar barrierave sistematike që nuk lejojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove te Sigurimit, panelistët diskutuan rreth mungesës së gatishmërisë institucionale për të ndërmarrë një hap të tillë. Ndër të tjera, ata theksuan që neglizhenca e qëllimshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) është manifestim i joseriozitetit me të cilin qeveria e Kosovës i qaset problemit të Kartonit të Gjelbër. Specifikisht, Haxhaj tha që “kjo Byro është direkt e lidhur me qeveri, duke parë që vëllai i Behgjet Pacollit dhe Thaçit janë zyrtarë kyç në këtë Byro”.

Në fakt, Germin kishte ftuar Rrahim Pacollin në këtë diskutim. Në pamundësi që të marrë pjesë, z. Pacolli, dërgoi një koment për Germin përmes postës elektronike. Ai tha “Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së dhe rrjedhimisht nuk mund të anëtarësohet në këshillin e byrove të Kartonit të Gjelbër. Kjo nënkupton që Kosova nuk ka të drejtë të lëshojë karton të gjelbër për veturat që udhëtojnë jashtë shtetit”.

Shumica e panelistëve kritikuan qëndrimin e Pacollit. Fakti që Kosova nuk është pjesë e OKB-së përdoret vetëm si arsyetim për mungesën e vullnetit që BKS ka shprehur për të punuar në këtë çështje. Konkretisht, disa prej panelistëve ofruan shembuj të shteteve tjera (p.sh. Zvicra), të cilët u anëtarësuan në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbër para se të antarësohen në OKB. Po ashtu, panelistët përmendën faktin që mos-anëtarësimi në OKB nuk e ka penguar Kosovën nga anëtarësimi në organizata tjera ndërkombetare siç janë UEFA, FIFA, Banka Botërore etj. Të njëjtët hapa që Kosova ka ndjekur për t’u anëtarsuar në këto organizata mund të përdoren edhe nga BKS-ja.

Panelistët, po ashtu, ofruan rekomandime tjera që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të sigurimit kufitar. Ndër tjerash, ata thanë që Kosova mund të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me shtetet të cilat kanë një numër të madh të mërgimtarëve kosovar. Këto marrëveshje do të mundësonin që sigurimi rrugor të cilin mërgimtarët e Kosovës e paguajnë në shtetet ku jetojnë të mbulojë ata edhe në Kosovë. Në të vërtetë, Kosova veçse e ka aplikuar këtë sistem me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me këto shtete. E njëjta procedurë mund të aplikohet edhe me shtetet tjera. Përveç marrëveshjeve bilaterale, Kosova duhet të punojë edhe në digjitalizimin e pagesës për sigurim kufitar. Një hap i tillë do i lejonte mërgimtarët të paguajnë sigurimin përmes internetit, gjë që do të parandalonte krijimin e kolonave të gjata në pikat kufitare.

Në mënyrë që këto rekomandime të merren parasysh, panelistët folën për rëndësinë e presionit publik në institucionet përkatëse. Shoqëria civile, mërgimtarët, dhe mediat duhet të punojnë së bashku në mënyrë që të identifikojnë faktorët kryesor që ndalojnë zbatimin e Kartonit të Gjelbër në Kosovë. Ky presion është me rëndësi, sidomos duke marrë parasysh faktin që shumë prej zyrtarëve në institucione kanë kompanitë e tyre të sigurimeve dhe anojnë në atë drejtim që iu lejon të kenë më shumë përfitime personale. Konkretisht, që nga viti 2002, Kosova ka përfituar 150 milion euro prej pagesave kufitare. Lehtësimi i sigurimit kufitar nuk do të ishte i rëndësishëm vetëm për mërgimtarët, por edhe për ekonominë e Kosovës. Konkretisht, llogaridhënia për këtë sistem do të ndihmonte që në vend së të shkojnë në xhepa privat, të ardhurat e sigurimeve do t’i kontribonin rritjes ekonomike. Kartoni i Gjelbër apo marrëveshjet bilaterale do të lehtësonin edhe punën e shtetasve të huaj të cilët dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Një prej përfundimeve të nxjerra nga ky diskutim është që qasja profesionale, dhe jo emocionale, ndaj sigurimit kufitar është e domosdoshme në mënyrë që kjo çështje të mos bie pre e politizimit që karakterizon Kosovën sot. Institucionet kosovare duhet të japin llogari për aktivitete, apo mungesën e aktiviteteve, që ato ndërmarrin për të siguruar të drejtat e mërgimtarëve në Kosovë.

***

Kaltrina Kusari ka përfunduar studimet e magjistraturës në Universitetin  Calgary në Alberta të Kanadasë, në fushën e punës sociale. Hulumtimet e saj përqendrohen në përvojat e azil kërkuesve kosovarë dhe rëndësinë e migrimit në historinë e Kosovës. Për momentin, ajo është pjesë e Germin, OJQ e cila punon për avokimin e të drejtave të diasporës.    

Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Germin-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së apo KCSF-së.