CH-Ballkani

Zjarre në Dibër e Vlorë, digjen sipërfaqe të mëdha ahu e pishe

Autoritetet shqiptare njoftojnë se rreziku nga zjarret është shumë i madh pasi temperaturat mbeten ende të larta, duke iu afruar rreth 40 gradë celsius

Temperaturat e larta, afrikane, që kanë përfshirë Ballkanin, kanë ndikuar që disa vende të përfshihen nga zjarret. Sipas autoriteteve shqiptare, në 24 orët e fundit janë regjistruar dy vatra zjarri në pyje në Dibrës dhe Vlorës, duke shkaktuar, deri më tani, dëme të konsiderueshme në natyrë. Në rajonin e Dibrës thuhet se nga zjarri janë përfshirë shumë hektarë me pyje ahu.

Për shkak të vështirësive të terrenit, puna për shuarjen e flakëve vijoi gjatë gjithë natës me mjete rrethanore.

Ndërkohë, në fshatin Zvërnec të Vlorës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe pisha si dhe një kabinë elektrike që ndodhej afër zjarrit pësoi dëme materiale, transmeton TCH. Emergjencat Civile njoftojnë se në çdo prefekturë janë ngritur shtabet dhe janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë nga zjarret.