CH-Ballkani

“Balena Blu” arrin edhe në Kosovë, alarmon Policia

Policia e Kosovë njofton se vetëm sot janë lajmëruar gjashtë raste në Prishtinë që kanë pasur tendencë për të luajtur “Balenën blu”. Në Shqipëri tashmë ka pasur një rast i tentim vrasjes nga një adoleshente

Loja e rrezikshme në internet e njohur si “balena blu” që po i çon adoleshentët drejt vetëvrasjes, tanimë ka lëshuar rrënjë edhe në rajonin e Ballkanit. Policia e Kosovës njofton se vetëm sot janë raportuar gjashtë raste të reja në Kosovës, që kanë tentuar të luajnë këtë lojë, e cila konsiderohet tepër e rrezikshme dhe që ka marrë gjithandej botës qindra jetë njerëzish.

“Sipas informacioneve dhe verifikimeve të para njëri nga rastet ka të bëjë edhe me gërvishtje të dorës, ku viktima e këtij rasti ka deklaruar se njeh edhe fëmijë tjerë që kanë njohuri për këtë lojë, apo edhe të jenë duke luajtur këtë lojë, njofton Policia e Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me qëllim të trajtimit dhe parandalimit të rasteve të tilla apo të ndonjë fatkeqësie, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë prindërit dhe personat përgjegjës që të kenë një kujdes dhe kontroll më të shtuar ndaj fëmijëve gjatë përdorimit të internetit apo rrjeteve sociale.

Policia e Kosovës në kuadër të sajë ka angazhuar me kohë njësitet e saja relevante duke përfshirë  edhe njësitin e krimeve kibernetike për trajtim dhe hetim të rasteve të kësaj natyre.

“Duke e parë trendin e zhvillimeve globale në fushën e shfrytëzimit të rrjeteve sociale të komunikimit dhe lojërave “online” për të rinjtë, tani më është paraqitur një nevojë e domosdoshme që seriozisht si prindër dhe shoqëri në përgjithësi të merremi me një mbikëqyrje dhe bashkëbisedim direkt me fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas informatave të qasshme në internet, është paraqitur dhe po përhapet me shpejtësi një lojë ‘online’ mjaft e rrezikshme për fëmijë që quhet “Blu Whale Game”  apo ndryshme po njihet edhe si “loja vetëvrasëse”.

Ku lindi “Balena blu”

Ndryshe, Loja e rrezikshme, e njohur si “Balena Blu”, fillimisht u përhap në rrjetet sociale në Rusi por tash me shpejtësi është duke u përhapur edhe në vendet, përfshirë edhe Evropën. Mediat ruse, kanë thënë se të paktën 130 vetëvrasje të të rinjve, lidhen me këtë lojë që luhet online.

Mediat në Rusi më 14 shkurt, kishin raportuar se një vajzë 10-vjeçare, në Kirishi, në periferi të Shën Petersburgut, ishte hedhur nga dritarja. Sipas të “gjeturave paraprake”, mediat raportuan se ky incident ishte një tentim-vetëvrasje dhe ishte e lidhur me fenomenin online të quajtur “Balena Blu”. Më 20 shkurt, u raportua se dega e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), kishte hapur një databazë për informacionet lidhur me vetëvrasjen e fëmijëve.

Në gjithë Rusinë dhe vendet e Azisë Qendrore, si Kazakistani dhe Kirgizia, titujt tronditës për Balenën Blu janë bërë pothuajse përditshmëri: një fëmijë apo një adoleshent është shtyrë të bëjë vetëvrasje, përmes pjesëmarrjes në këtë lojë online, që është përhapur në rrjetet sociale përmes thurjeve (hashtag), të tilla si “balena blu”, “det me balena”, “unë jam në lojë”, “më zgjo në orë 4:20”, “F58”, e shumë të tjera.

Sipas një raporti në gazetën Novaya Gazeta, Qendra për Teknologji e Rusisë, ka gjetur se vetëm më 20 janar, thurjet me mesazhe të kësaj loje, janë përdorur nga 4,000 përdorues të internetit. Raste të tilla të dyshimta po ashtu janë raportuar edhe në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Bjellorusia dhe Azerbajxhani.

Si fillon loja?

A je gati?

“Dua ta luaj këtë lojë”, ka shkruar një korrespondent i Radios Evropa e Lirë, pasi ka hapur një profil të rremë në rrjetin sociale mjaft popullore ruse, VKontakte.

“A je i sigurt? Nuk ka kthim prapa”, ka qenë përgjigja e të ashtuquajturit administrator të lojës Balena Blu.

“Po. Çfarë do të thotë nuk ka kthim prapa?”.

“Nuk mund ta lësh këtë lojë kur të fillosh ta luash”.

“Jam gati”. Më pas administratori i lojës ka shpjeguar rregullat.

“Duhet të kryesh çdo detyrë dhe nuk duhet askush ta dijë për këtë. Kur ta përfundosh një detyrë duhet të dërgosh fotografi. Në fund të lojës ti vdes. A je gati?”

“Çka nëse e lë lojën”.

“I kam të gjitha të dhënat e tua. Ata do të të ndjekin”.

Detyra e parë që i është caktuar gazetarit të REL-it, i cili ka hapur një llogari të rreme për këtë lojë, ka qenë që të gërvishtë në krahun e tij, simbolin “F58”. Ai i ka dërguar një fotografi montazh të këtij simboli por administratori i lojës nuk i është përgjigjur.  Por, REL ka arritur që për një periudhë një javore të kontaktojë me dhjetëra lojtarë aktual apo ish-lojtarë dhe disa administrator të lojës.

“Do të jem balena jote personale”, ka shkruar një tjetër administrator, duke shpjeguar se loja ka 50 detyra, që duhet të kryhen për 50 ditë. “Do të të ndihmojë gjatë lojës deri në fund. Dita e fundit është fundi i lojës. Nëse ti vdes, fiton. Nëse jo, ne do të të ndihmojmë. A je gati?”

Ky administrator ka premtuar që do t’i dërgojë detyrën e parë në orën 4:20 por më pas llogaria e tij është bllokuar…