Integrimi
“Prindërit e fortë – rinia e fortë”
Lidhur me profilin e shoqatës S.E.S.J. "Starke Eltern - Starke Jugend" (Prindërit e fortë - Rinia e Fortë) dhe pikat e fokusimit të saj, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me bashkëthemeluesen dhe drejtuesen e saj, Giuliana Lamberti.
S.E.S.J është një shoqatë dhe njëherësh këshillimore e re me seli në Cyrih, e cila merret me mbështetjen e prindërve lidhur me qasjen e tyre ndaj fëmijëve të tyre, nxënës dhe të moshës adoleshente.
Lidhur me profilin e shoqatës dhe pikat e fokusimit të saj, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me bashkëthemeluesen dhe drejtuesen e saj, Giuliana Lamberti.
“Prindërit janë personat kyç që kontaktohen, kur bëhet fjalë për të rinjtë në periudhën e kalimit nga shkolla drejt profesionit”. Kalimi nga shkolla në profesion, për të rinjtë paraqet një kohë shumë sfiduese. Në mënyrë që ky kalim të ketë sukses është me rëndësi që prindërit t`i nxisin por dhe t`i sfidojnë fëmijët e tyre si dhe të kenë ndaj tyre pritje realiste”, thotë në fillim të bisedës znj. Lamberti.
“Unë kam ardhur në këtë përfundim pas punës sime 20 vjeçare në këshilldhënie me të rinjtë. Por meqë për prindërit nuk ka oferta ku ata mund të informohen dhe këshillohen, unë së bashku me Osman Osmanin dhe Marìlia Mende, dy ekspertë të dëshmuar në fushë të migracionit dhe sot anëtarë të kryesisë së shoqatës S.E.S.J., kemi themeluar shoqatën “Starke Eltern – Starke Jugend (Prindërit e fortë – rinia e fortë). Më 1 shkurt 2017, shoqata S.E.S.J ka hapur portat e veta në Webestrasse 21, Zürich 8004. Siç thotë më tutje bashkëbiseduesja jonë, “Këshillimorja u qaset prindërve të të rinjve në periudhën pas përfundimit të shkollës obligative dhe para hyrjes në botën e punës.
“Prindërit mësojnë se si mund t`i përcjellin fëmijët e tyre me sukses në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre dhe informohen lidhur me ofertat ekzistuese për të rinjtë në fushën e profesionit dhe arsimit si dhe për qendrat përkatëse profesionale. Unë i këshilloj dhe i shoqëroj prindërit kur fëmija i tyre nuk mund të gjejë vend zanati, shkollë të mesme ose ndonjë kyçje tjetër në shkollimin e mëtejshëm. Unë i informoj se ku mund të marrin ata ndihmë për t`i tejkaluar vështirësitë që kanë dhe se prej kujt mund të marrin ndihmë dhe se kujt mund t`u drejtohen për pyetjet dhe shqetësimet tjera të tyre, thotë më tutje znj. Lamerti për albinfo.ch. Falë një rrjetëzimi të mirë dhe të gjerë unë mund t`i udhëzoj ata për gjetjen e një zgjidhjeje kalimtare ose për një kyçje të mundshme, shton ajo.
Është për t`u theksuar se shërbimet e S.E.S.J janë pa pagesë. “Për prindërit që nuk e kuptojnë gjermanishten unë e siguroj edhe një përkthyes, interpretues. Prospekti për prindërit është i përkthyer në 11 gjuhë të ndryshme (gjithsesi, edhe në gjuhën shqipe) dhe mund të shkarkohet në faqen tonë të internetit. Këshillimorja financohet aktualisht nga tre fondacione private. Për shoqatën tonë është një synim që të gjithë prindërit të mund të përfitojnë nga oferta jonë”.
Por, ku paraqitet më së shumti nevoja për shërbimet e kësaj shoqate?, është pyetja jonë e radhës. Dhe, a bëhet fjalë në radhë të parë për prindërit me prejardhje të huaj?
“Do të ishte gabim të themi se prindërit me prejardhje migracioni kanë më shumë nevojë për mbështetje. Rëndësi ka, para së gjithash që prindërit ta njohin sistemin shkollor dhe arsimor zviceran si dhe ofertat mbështetëse për të rinjtë. Nga përvoja ime, unë e di se, sikur prindërit zviceranë ashtu edhe ata me prejardhje të huaj kanë pyetje në lidhje me këtë temë dhe rrjedhimisht, mund të përfitojnë nga kjo ofertë informimi dhe mbështetjeje. Një nevojë veprimi e shoh te prindërit që nuk e kuptojnë gjuhën gjermane. Për ta është me rëndësi që këshillimet të mbahen në gjuhë të ndryshme”.
Nisur nga fakti se oferta është ende shumë e re, znj. Lamberti nuk mund të jap ndonjë përgjigje shteruese se prindërit nga cilat komunitete e kanë shfrytëzuar më shumë këtë ofertë. “Megjithatë, mund të pohoj se deri tash atë e kane shfrytëzuar prindër me prejardhje nga Italia, Spanja, Kolumbia, Kina, Kosova dhe Zvicra”, shprehet ajo.
Pyetjes nëse prindërit shqiptarë janë njëri ndër grupet e synuara nga shoqata dhe nëse ka vendosur kontakte me ta, ajo i përgjigjet pozitivisht. “Unë vetëm pak kohë më parë kam vendosur kontakt me shoqatat shqiptare dhe e kam prezantuar para tyre ofertën. Ende nuk mund të them ndonjë gjë nëse prindërit shqiptarë do ta shfrytëzojnë ofertën tonë. Por unë mund të them nga përvoja ime se nuk është e lehtë të arrihen prindërit shqiptarë. Megjithatë, as në këtë pikë ata nuk bëjnë përjashtim. Në përgjithësi prindërit me prejardhje të huaj dhe ata nga shtresat më pak të arsimuara janë vështirë të arritshëm.
“Sa u përket prindërve shqiptarë, mendoj se gjenerata e parë e shqiptarëve në vendin e tyre të prejardhjes, janë socializuar në një sistem të ndryshëm shoqëror dhe politik. Kjo vlen edhe për nacionalitetet tjera. Ata nuk e njohin mirë sistemin e këtushëm arsimor, procedurat dhe përgjegjësitë, ashtu si dhe as të drejtat dhe detyrimet që kanë. Veç kësaj, shqiptarët edhe në vendin e tyre të prejardhjes kanë pasur përvoja jo të mira me shtetin e huaj, ish Jugosllavinë”, thekson më tutje znj. Lamberti për albinfo.ch.
Ndërsa rreth problemeve për të cilat S.E.S.J. më shpesh konsultohet sipas saj “në shumicën e këshillimeve me prindër kemi të bëjmë me rastet kur fëmijët e tyre nuk kanë gjetur ende vend për mësimin e zanatit ose kur e kanë ndërprerë atë. Në ato raste fëmijët mbeten në shtëpi dhe kjo shkakton tendosje në familje dhe në raste, edhe ngarkesë financiare për familjen. Pyetjet tjera që na bëhen janë nëse një zanat është më i mirë se një shkollë private, se çka mund të bëjnë fëmijët e tyre në rastet kur pas përfundimit të shkollës nuk kanë arritur të regjistrohen për shkollim të mëtejmë. Disa prindër nuk e njohin sistemi arsimor të Zvicrës dhe mendojnë se vetëm gjimnazi është i mirë për fëmijën e tyre. Kjo ka të bëjë edhe me atë se në vendet prej nga vijnë ata, nuk ekziston shkolla profesionale (sistemi dual) i tipit të Zvicrës. Ndërsa temë tjetër është se prindërit nganjëherë duan diçka tjetër nga ajo çfarë duan fëmijët e tyre dhe kjo mund të shkaktojë stres.
Për fund, Giuliana Lamberti ka një porosi drejtuar prindërve: “Prindërit duhet ta dinë se ata, përmes njohjes dhe informimit mund të ndikojnë pozitivisht në karrierën profesionale të fëmijëve të tyre. Është me rëndësi që ata të angazhohen për fëmijët e tyre në shkollë, gjatë mësimit të zanatit ose në lëmenj të tjerë. Të informohen dhe në rast nevoje të marrin ndihmë, është një pasurim. Dhe kjo shkon me moton “Prindërit e fortë – rinia e fortë”.
Ajo gjithashtu i shpreh mirënjohje platformës albinfo.ch. “Falënderoj albinfo.ch për faktin se përmes këtij artikulli po kontribuon që oferta jone të bëhet e njohur. Një falënderim edhe në emrin e shoqatës sonë S.E.S.J.
Prindërit shqiptarë dhe të interesuarit tjerë për të kontaktuar me shoqatën, mund të drejtohen në adresën dhe telefonin në vijim:
Verein S.E.S.J.
Weberstrasse 21
8004 Zürich
044 242 27 27
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë