Kosova: vota e diasporës
Roli i diasporës në Zgjedhjet e Qershorit
Pjesëmarrja e votuesve nga diaspora në zgjedhjet qendrore të 11 qershorit është me rëndësi të veçantë sepse e fuqizon kontributin e tyre të deritashëm dhe u mundëson të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit
Lista e gjatë e kontributeve që diaspora ka dhënë për Kosovën, dhe vazhdon të jep, po rritet dita-ditës. Për fat të keq, shumë prej pjesëtarëve të diasporës ndihen të shfrytëzuar sepse kontaktohen nga institucionet e Kosovës vetëm atëherë kur iu nevojiten këtyre institucioneve. Përveç kësaj, kontributet e tyre njihen rrallë herë, dhe të drejtat që u garantohen përmes Kushtetutës së Kosovës shpeshherë nuk gëzohen nga ky grup. Një prej të drejtave të diasporës, me rëndësi të veçantë për zhvillimet e javëve në vijim në Kosovë, është e drejta e tyre për të votuar.
Pjesëmarrja e votuesve nga diaspora në zgjedhjet qendrore të 11 qershorit është me rëndësi të veçantë sepse e fuqizon kontributin e tyre të deritashëm dhe u mundëson të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Për këtë arsye, organizata Germin organizoi takimin virtual me pjesëtarët e diasporës me temën Vota e Diasporës. Gjatë këtij takimi, u diskutua për interesimin e diasporës në zgjedhjet e qershorit, sfidat të cilat votuesit nga diaspora i kanë hasur deri më tani, si dhe sugjerimet e tyre për angazhimin e diasporës në zgjedhje.
Diskutimi u moderua nga Lavdi Zymberi, hulumtuese në Germin. Panelistët që morën pjesë në diskutim jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ata ishin Fatmir Lekaj, politolog dhe këshilltar në organizatën norvegjeze për barazi, integrim dhe diversitet (Norvegji); Donika Nushi, analiste e në industrinë e shëndetësisë. (Chicago, SHBA); Veb Kosumi, konsulent i pavarur në fushën e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar; Lulzim Veliu, activist në komunitetin shqiptarë në Dyseldorf të Gjermanisë; Albesa Aliu, aktiviste rinore dhe studente e Psikologjisë në Hellenic American Univeristy në Athinë, Greqi dhe Avni Dervishi, politolog dhe aktivist për forcimin e Diasporës shqiptare në Evropë, Amerikë, Australi etj. Në pamundësi që të marrin pjesë në këtë panel, përfaqësues të KQZ-së dërguan informata që mund të ndihmojnë diasporën.
Ky takim virtual filloi me një diskutim të shkurtër rreth nivelit të interesimit të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Të gjithë panelistët theksuan që diaspora është tejet e interesuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Nushi tha që edhe nëse pjesëtarët e diasporës nuk preken direkt nga politikat në Kosovë, familjet e tyre që jetojnë në Kosovë ndikohen në çdo aspekt nga vendimet politike.
Për fat të keq, votuesit nga diaspora hasin në shumë sfida gjatë procesit të votimit nga jashtë, i cili për momentin bëhet përmes postës. Në përgjithësi, Veliu tha që “diaspora ka qenë e përjashtuar nga proceset politike në Kosovë nga të gjitha qeveritë e pas-luftës”. Ky konstatim krijoi jehonë tek të gjithë panelistët tjerë të cilët treguan për pengesat specifike me të cilat ata janë ballafaquar. Dervishi, duke u mbështetur në përvojën e tij personale, tha që komunikimi mes KQZ-së dhe diasporës është i njëanshëm. Përderisa disapora bën tentativa të ndryshme të kontaktojë me KQZ-në, përfaqësuesit e saj i neglizhojnë kërkesat e tyre. Gjithashtu, duke cekur kohën e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhjet e 11 qershorit, Kosumi nënvizoi që “edhe pse ka pasur një opsion që zgjedhjet të mbahen më datën 18, zgjedhjet janë bërë më daten 11, që është një kohë shumë e shkurtër”. Kjo mund të rezultojë në pjesëmarrje të ulët në votime, jo vetëm nga diaspora, por nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Po ashtu, është shqetësuese që afati për regjistrim për të votuar nga jashtë është vetëm një javë nga 15 – 22 maj.
Duke u bazuar në sfidat e lartpërmendura, panelistët ofruan edhe sugjerimet e tyre për angazhimin e diasporës në zgjedhje. Aliu u përqendrua në studentët shqiptarë që studiojnë jashtë Kosovës dhe sugjeroi që duhet të krijohet një databazë e tyre, gjë që do e lehtësonte komunikimin me ta. Në mënyrë të ngjashme, Kosumi theksoi që krijimi i një databaze të të gjithë votuesve të regjistruar nga diaspora duhet të përdoret për të kontaktuar këta persona gjatë secilit vit zgjedhor, në vend që pjesëtarët e diasporës të plotësojnë të njëjtin formular çdo herë. Si alternativë, Kosumi po ashtu sugjeroi që zgjedhjet të mbahen gjatë muajve të verës, kur shumë prej pjesëtarëve të diasporës vizitojnë Kosovën.
Duke ju referuar aspekteve tjera teknike të zgjedhjeve, panelistët diskutuan mundësinë e metodave të ndryshme të votimit nga jashtë – si ajo elektronike dhe votimi në ambasada apo konsullata. Po ashtu, Dervishi tha që Kosova mund të mësojë nga shtete të tjera të cilat kanë qenë të suksesshme në angazhimin e diasporës, dhe të bashkëpunojë me organizata, siç është IOM, të cilat kanë lehtësuar pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e vendeve të tyre amë. Po ashtu, Nushi sugjeroi që duhet kohë më e gjatë për realizimin e fushatave parazgjedhore duke marrë parasysh që disaporës i duhet kohë të informohet për platformën e secilës parti. Për të vetëdijesuar diasporën në mënyrë sa më efikase, ajo sugjeroi përdorimin e organizuar të mediave sociale.
Përveç aspekteve teknike të zgjedhjeve, Aliu theksoi që duhet të punohet drejt krijimit të një komuniteti të përbashkët të diasporës, si pasojë e së cilit do të rritej numri i votuesve. Ajo theksoi që shoqëria civile dhe KQZ-ja duhet të punojnë së bashku për të identifikuar individë të cilët kanë ndikim në rrjete të ndryshme të diasporës dhe t’i përdorin këta individë për të inkurajuar diasporën të marrë pjesë në zgjedhje.
Së fundmit, diaspora beson që nisma të tilla, si fushata #VotaeDiasporës dhe diskutimet virtuale, duhet të vazhdojnë, sidomos duke marrë parasysh që Kosova do të ketë edhe zgjedhje lokale në nëntor të këtij viti. Po ashtu, ata theksuan që lobimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të diasporës mund të përdoret si një mekanizëm llogaridhënës për vendimet e partive politike në Kosovë, dhe kështu të ndihmojë në formësimin e partive më të përgjegjshme.
Kaltrina Kusari është në përfundim të studimeve të magjistraturës tek Universiteti i Calgary në Alberta të Kanadasë, në fushën e punës sociale. Ajo po specializon në zhvillim ndërkombëtar dhe studimet e saj përqendrohen në përvojat e azil kërkuesve Kosovarë dhe rëndësinë e migrimit në historinë e Kosovës. Për momentin, ajo është pjesë e Germin, një OJQ e cila punon për avokimin e të drejtave të diasporës.
Linku në të cilin mund të shihni debatin:
https://mail.google.com/mail/u/0/#inbox/15c2677dc2c3a478?projector=1
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?