Zhvillim

“Bylmeti” sjell shije Kosove në sofrat e Zvicrës

Produktet e kompanisë "Bylmeti" servohen të freskëta në sofrat e konsumatorëve në Zvicër. Kompania kosovare ka filluar nga viti kaluar eksportin edhe në tregun zviceran

 

Sektori i produkteve të qumështit në Kosovë dominohet nga importet.. Pavarësisht nga furnizimi i mirë i qumështit vendor, importi i produkteve të qumështit të përpunuar përbën më shumë se 70% të produkteve të konsumuara në vend.

Këtë trend është duke e sfiduar kompania «Bylmeti» në Fushë Kosovë, e cila jo vetëm që po prodhon për t’i plotësuar të gjitha nevojat e konsumatorëve vendorë me llojllojshmëri produktesh të freskëta nga qumështi por ka filluar edhe me eksport në tregun e jashtëm.

Me eksport kishte filluar si kompani për herë të parë në vitin 2005 në Shqipëri. Menaxheri i «Bylmetit»  për albinfo.ch ka thënë se po përballen me telashe burokratike që janë të ngjashme si për vendet tjera. Megjithëkëtë, pas Shqipërisë, nga viti 2016 kompania «Bylmeti» ka depërtuar edhe në tregun zviceran.

«Në Zvicër kemi filluar nga nëntori i vitit 2016, ndërsa përpjekjet tona kanë filluar qysh nga viti 2014, por vështirësitë kanë qenë të natyrës burokratike, ndërsa sa i përket autoriteteve zvicerane nuk kemi pasur asnjë problem», thotë menaxheri i kësaj kompanie, Afrim Berisha

Produktet që eksportohen në Zvicër nga kjo kompani kosovare e qumështit janë: Ajkë qumështi me speca dhe turshi tradicionale-speca somborka të kultivuara në Kosovë.

«Eksporti i këtyre produkteve mundëson zhvillimin e dy industrive mjaft me rëndësi për vendin tonë (Industrinë e qumështit dhe industrinë e përpunimit të pemëve dhe perimeve), dhe mundëson zhvillimin më të shpejt të bujqësisë.», tregon për albinfo.ch Berisha

Eksporti përbën rreth 30% të të hyrave të kompanisë «Bylmeti»

Menaxherët e kësaj kompanie të themeluar në vitin 1996 me emrin dhe brendin «Bylmeti» planifikojmë që ta shtrijnë praninë edhe në vende tjera,

«Tashmë jemi licencuar nga Agjencia e Veterinës së Maqedonisë dhe kemi të drejtën që produktet tona t’i plasojmë edhe në vendin fqinj. Gjithsesi po punohet intenzivisht edhe për tregun e BE-së dhe për ket qëllim kemi angazhuar ekspertë të pensionuar nga Zvicra, Gjermania dhe Holanda që të na ndihmojnë të plotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian, mirëpo në këtë treg së pari Kosova si shtet duhet ti plotësoj disa kritere, dhe plotësimi i tyre nuk varet nga kompania «Bylmeti» por nga institucionet e shtetit», thotë Berisha.

«Gjatë një auditimi preliminar nga inspektorët e BE-së neve na është komentuar se ne si kompani i plotësojmë kriteret të cilat janë në përgjegjësin tonë, por numri eksportues mund të na ndahet kur edhe institucionet përkatëse që kanë përgjegjësi të na monitorojnë duhet t’i plotësojnë kriteret e caktuara.», thekson më tutje Berisha.

Përshkrimi i kompanisë «Bylmeti»

Kompania “Bylmeti” me seli në fshatin Miradi e Epërme komuna e Fushë Kosovës, është ndërmarrje private e themeluar me kapital privat në vitin 1990 dhe e regjistruar sipas ligjeve në fuqi në vitin 1996. Veprimtaria primare e kësaj ndërmarrje është: Grumbullimi i qumështit të freskët, përpunimi i qumështit dhe distribuimi i prodhimeve nga qumështi, ndërsa si veprimtari të dytë ka tregtimin e prodhimeve ushqimore.

E themeluar me kapital privat në vitin 1990 dhe e regjistruar sipas ligjeve në fuqi në vitin 1996 me emër dhe brend «Bylmeti», emër ky që nënkupton të gjitha prodhimet nga qumështi, me një vizion, që një ditë të jetë e aftë që t`iu plotësojë nevojat konsumatorëve vendorë me llojllojshmëri produktesh nga qumështi. Në fillim me një kapital modest, ajo përpunonte rreth 200 litra qumësht në ditë dhe vazhdon aktivitetin e saj deri më 24 mars 1999 duke arritur një kapacitet deri në 2500 lit. qumësht përpunim. Mirëpo në datën e lartshënuar kompania detyrohet ta ndërpres aktivitetin e saj për shkaqe të luftës, dhe themeluesit e saj së bashku me stafin dëbohen nga forcat ushtarake dhe depërtohen në Shqipëri. Ku njëri nga themeluesit i  bashkohet UÇK-së dhe plagoset në frontin e Kosharës.

Ringjallet nga rrënojat e luftës

Pas përfundimit të luftës, themeluesit së bashku me stafin e përgjysmuar kthehen në vend dhe objektet e kompanisë i gjejnë të djegura, ndërsa pajisjet e plaçkitura. Me mbështetjen financiare të KFOR-it Anglez, arrihet të rindërtohen objektet dhe të sigurohen disa pajisje elementare për të rifilluar punën, dhe me datën 29 korrik 1999 kompania «Bylmeti» rifillon procesin e prodhimit sërish me kapacitet prej 200 lit në ditë. Më vonë, edhe donatorë të tjerë si DFID-i Anglez, GTZ-Gjermane, do ta mbështesin kompaninë për plotësimin me pajisje të domosdoshme për punë. Duke iu falënderuar këtyre donatorëve «Bylmeti» arrin kapacitetin përpunues ditor deri në 3500 litra/ditë. Mirëpo duke analizuar kërkesat e tregut në rritje dhe ofertat për qumësht të freskët nga fermerët, menaxhmenti në vitin 2001 vendosë ta realizojë një kredi investuese prej 1.000.000 DM nga Komisioni Evropian, me ç`rast ngritinjë objekt destinues dhe u pajis me pajisje më moderne duke e bërë të mundur edhe rritjen e kapaciteteve përpunuese deri në 10.000 lit. qumësht në ditë, dhe fillon eksportin e Produktit «Ajkë Qumështi me Speca». Gjithashtu në vitin 2011, projekti me vlerë 700.000 € i Kompanisë Bylmeti, mbështetet nga Komision Evropian që financon këtë projekt në lartësinë prej 73% (499.890 €), çka i mundësoi kompanisë që edhe më tutje ta rrisë cilësinë dhe sigurinë e ushqimit, si dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

48 të punësuar, 300 furnizues dhe 4 milionë litra qumësht

Fundi i vitit 2016 Kompaninë «Bylmeti» e gjeti me 48 të punësuar dhe me mbi 300 fermerë, furnizues të qumështit nga gjithë territori i Republikës së Kosovës dhe me një kapacitet përpunues prej rreth 4 milionë litra qumësht të përpunuar dhe 320.000 kg. perime të konservuara në vit.