Integrimi

Aurora, një zë i shqiptarëve në Suedi

Aurora Pirraku-Eriskon u shkollua në Suedi dhe arriti suksese të jashtëzakonshme për një shqiptare nga Kosova. Ajo është kandidate për Parlamentin Suedez

 

Shqiptarët vazhdojnë të kenë suksese në vendet ku jetojnë. Ata tashmë janë shndërruar në faktor me peshë në ato vende dhe janë shpesh shembull i mirë i integrimit. Kështu ka ndodhur edhe me Aurora Pirraku-Erikson.

E lindur në Kosovë, ajo tashmë është zëri i shqiptarëve në Suedi, por edhe i të tjerëve.

Ajo u shkollua në Suedi, ndërsa aktualisht është kandidate e Partisë Social Demokrate për Parlamentin e Suedisë. Aurora  punon edhe në Bordin e Mjekësisë, si dhe në polici si analiste dhe është kryetare e grave në këtë parti në Komunën e saj.

Aurora Pirraku-Eriksen në një intervistë për albinfo.ch tregon për shkaqet që e detyruan të largohet nga Kosova, si u prit në Suedi, si u shkollua, për integrimin në shtetin suedez si dhe për aktivitetet e shumta me të cilat merret.

“Jam larguar nga Kosova në vitin 1992, në kohën kur shumë shqiptarë emigruan në vende të ndryshme të Evropës për shkaqe politike. Kam shkuar në Suedi, pasi ka qenë mundësia e vetme për ne në atë kohë. Isha 19-vjeçe dhe kam shkuar së bashku me djalin tim, Albanin, i cili ishte vetëm 1-vjeç e gjysmë. Vetëm pas dy ditëve që kam ardhur në Suedi, kam sjellë në jetë fëmijën e dytë, Yllin”, ka thënë fillimisht Aurora për albinfo.ch.

Fillimi, në tenda

Sikur emigrantët tjerë, edhe ajo kishte vështirësi në fillim. “Jemi vendosur në tendë, ku kishte edhe shumë emigrantë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Kushtet kanë qenë shumë të vështira, sidomos pasi isha në ditët e fundit para lindjes. Kam qëndruar në kampe për 3-4 muaj dhe më pas jam dërguar në kampin Hallstahammar, afër qytetit Vasteras, ku jetoj edhe tani që 25 vite”, ka shtuar Aurora.

Pas tri vjetësh ajo fitoi leje qëndrimin në Suedi. “Pasi fituam të drejtën e qëndrimit, mundësitë për integrim ishin shumë më të lehta. Puna ime e parë ishte si përkthyese shqip-suedisht në një kompani. Shkollimi dhe punësimi të ofrohen nga shteti dhe më pastaj është e lehtë. Fillimi ishte i vështirë, mirëpo shteti suedez na ka ofruar të gjitha mundësitë për një jetë më të mirë. Madje, fëmijëve qysh në klasat e para u është ofruar shkollimi në gjuhën shqipe dhe atë suedeze.

Vetë Aurora është shembull i integrimit, pasi jo vetëm u shkollua, por arriti suksese të jashtëzakonshme për një shqiptare nga Kosova.

Vazhdimisht në shkollim

“Prej vitit 1995 kur fillova të punoj, kam vazhduar edhe me shkollimin që e kisha ndërprerë në Kosovë. Kam studiuar shkollimin e lartë për përkthyese, kam vazhduar fakultetin për Psikologjinë e Sjelljeve Njerëzore në Universitetin e Malardalens, ku kam përfunduar magjistraturën dhe gjithashtu fakultetin për Udhëheqje (Lidership) për dy vite ku kam marrë titullin edhe Magjistër i Lidershipit. Gjithashtu kam të kryer edhe Fakultetin e Kriminologjisë me titull Master të Universitetit të Stokholmit dhe pastaj jam certifikuar në degën e Psikoterapisë, shkalla e parë. Tash jam në vazhdim të shkallës së dytë, dhe shpresoj se deri në fund të vitit do të marr certifikatën e drejtimit Psikodinamik dhe do të hap ordinancën time private”, ka thënë Aurora

Aktiviste politike

Po ashtu  ajo është në Bordin e mjekësisë në shtetin suedez. Nga viti 1999 jam pjesë e Partisë Social Demokrate. Jam në Bordin e Partisë “Besim dhe Solidaritet” për të gjithë Suedinë. Gjithashtu jam edhe kryetare  e grave të Partisë SD në komunën tonë dhe nënkryetare e partisë për regjionin e Vestmmaland. Partia SD më ka kandiduar për mandatin e ardhshëm që të jem pjesë e Parlamentit Suedez gjithashtu pjesë e partisë në Bordin e mjekësisë. Në polici kam filluar në nëntor të vitit 2016, dhe punoj si analiste për regjionin MIT të 46 Komunave në Suedi. Gjithashtu merrem edhe me përkthimin e rasteve të rënda”, shtoi Pirraku-Erikson.

Pak shqiptarë në sektorjn  e shëndetësisë

Aurora ka thënë se ka shumë pak shqiptarë në sektorin e mjekësisë dhe policisë në regjionin e Vestmmaland. Madje, ajo ka thënë se është e vetmja.

Ndihmon shqiptarët

Ajo thotë se ndihmon shqiptarët me mundësitë e saj. Ndër  kontributet e saj është edhe skulptura e vendosur në qendër të qytetit në Vasteras “Gëzimi dhe Liqeni i Ngrirë”, që simbolizon emigrimin e shqiptarëve, të cilët janë dëbuar nga Kosova

Mesazhi për diasporën

Mesazhi i Aurora Pirraku-Erikson për shqiptarët është që të integrohen dhe të  respektojnë kulturën e vendit ku jetojnë, por duke mos harruar edhe rrënjët. “Jemi një popull ndër më të vjetrit në Evropë, prandaj ja vlen të krenohemi që jemi shqiptarë”.