Feja

Pashkët në diasporë, në mes festës dhe shqetësimit për situatën

Pjesë e predikimit të Don Albert Demaj nuk ishin vetëm çështjet thjesht fetare. Ai u ndal edhe në kontekstin e aktualitetit, të kërcënimeve të ngjyrimit fetar në Kosovë

Augustin Bekaj me të shoqen, Klaudia dhe dy vajzat Simona dhe Noela janë veshur “si për festë” dhe shkëlqejnë nga entuziazmi. Në fakt Pashkët, për kremtimin e të cilave ata kanë ardhur në kishë, në Frauenfeld, edhe është festa më e madhe e krishterimit.

Salla e kishës në kushte normale ka vend për rreth 1000 veta ndërsa në meshën e Pashkëve ishin edhe disa qindra që duhej të qëndronin këmbë. Drejtuesi i meshës, Don Albert Demaj është dashur t`ua kujtonte disa herë besimtarëve të cilët qëndronin në këmbë që të mblidheshin nga fillimi, për t`u bërë vend atyre që kishin mbetur jashtë. Kur të kesh parasysh pastaj se sa të tjerë kanë shkuar për festë në vendlindje, bëhet e qartë se sa i madh është interesimi i besimtarëve të krishterë shqiptarë për të festuar Pashkët. albinfo.ch ka qenë në kishën ku është mbajtur mesha, në Frauenfeld dhe përcjell atmosferën nga atje.

Në ceremoninë e bukur dhe shumëngjyrëshe të meshës së Pashkëve, të drejtuar nga Don Albert Demaj i ndihmuar nga Don Gjovani i ardhur nga Tirana, besimtarët e disiplinuar dhe të njohur me përmbajtjen  japin ndihmesën e tyre. Don Alberti kujton në predikimin e tij se të krishterët për Pashkë shënojnë kalimin nga robëria në liri, nga urrejtja tek dashuria, nga e keqja tek e mira, nga errësira në dritë, me një fjalë nga vdekja në jetë.

“Vërtet që Krishtlindja është një festë plot gëzim dhe entuziazëm. Por sikur të mos ishin Pashkët, Krishtilindja nuk do të kishte kuptim. Për Krishtlindje pra kremtojmë ardhjen e Krishtit në botë, dhe kjo ka shumë rëndësi për ne. Por sikur Krishti të mbetej në varr, çfarë dobie do të kishim ne nga krejt ato që na mësoi ai. Andaj ne për Pashkë kremtojmë jo vetëm vdekjen e tij të dhimbshme në kryq, por ringjalljen e tij për amshim”, thotë veç tjerash Don Alberti në predikimin e tij.

Dukuri që shqetësojnë

Por pjesë e predikimit të kreut të Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach (TG) nuk ishin vetëm çështjet thjesht fetare. Ai u ndal edhe në kontekstin e aktualitetit, të kërcënimeve gjithfarëshe dhe në veçanti të kërcënimeve të ngjyrimit fetar.

“Është për t`u shqetësuar dhe e papranueshme që sot, në Kosovën e çliruar e të pavarur, për të cilën u derdh kaq shumë gjak, të dalin njerëz të gjakut tonë që mohojnë Skënderbeun ose Nënë Terezën, në një kohë që në gjithë botën këtyre personaliteteve u bëhen nderimet maksimale. Është e papranueshme që sot, policia të detyrohet të mbrojë 24 orë në ditë kishat katolike shqiptare në Kosovë. Dhe kjo nuk po ndodh nga rreziku prej Serbisë por nga kërcënimet e shqiptarëve që kanë devijuar”, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të besimtarëve don Alberti. Por ai megjithatë ka shfaqur shpresën se vëllazëria dhe përbashkësia tradicionale në mes të shqiptarëve të besimeve të ndryshme do të triumfojë mbi të keqen e cila ka ngritur kokë kohëve të fundit. Meshtari po ashtu ka folur për detyrimet që besimtarët në mërgim kanë ndaj atdheut dhe ndaj kishës në atdhe.

Në rrjedhën e mëtejshme të meshës janë deklamuar recitale dhe kënduar këngë me përmbajtje fetare, nga fëmijët dhe nga kori i misionit. Po ashtu vajzat, me veshje kombëtare kanë prezantuar rituale të ndryshme që lidhen me traditën e festimit të Pashkëve.

Shumica janë nga Stublla e Vitisë

Ndërkohë, Augustini me të shoqen dhe dy vajzat kanë dalë nga kisha, pasi kanë kryer ritualet e zakonshme për Pashkët. Vetë Augustini veç kësaj, ka qenë edhe pjesë e programit festiv. Ai ka recituar një poezi kushtuar Kosovës, ku ndërthuret atdhedashuria me devocionin për besimin në perëndi.

Por si duket festa e Pashkëve në një familje mesatare shqiptare të besimit katolik, është pyetja që albinfo.ch i bën Augustinit. “Nuk ndryshon shumë nga mënyra si e festojnë besimtarët tjerë të krishterë këtu. Të `enjten e madhe` pas `darkës së mbrame` shkohet në kishë ku prifti e udhëheq ritualin e `darkës së mbrame`me 12 Apostujt. Të premten e shënojmë vdekjen e Krishtit.  Të shtunën e bëjmë bekimin e gjërave ushqimore ndërsa po këtë ditë e kemi shënimin e lindjes së Krishtit në meshën e mesnatës. Ndërsa sot është kulminacioni i festës”, thotë ai.

Augustini ashtu si dhe gruaja e tij vjen nga Stublla e Vitisë. Në fakt një shumicë e besimtarëve të tubuar këtu janë pikërisht nga Stublla, Binça dhe Kabashi. “Stublla ka rreth 4000 banorë por prej tyre aktualisht në fshat jetojnë vetëm rreth 700. Pra shumica e stubllasve jetojnë jashtë vendit, më së shumti në Zvicër. Kjo dhe është arsyeja përse në këtë meshë mbizotërojnë besimtarët nga Stublla dhe dy fshatrat e përmendur të komunës së Vitisë.

Në Zvicër jetojnë rreth 25.000 shqiptarë katolikë

Në Zvicër, sipas shënimeve të Misionit Katolik Shqiptar jetojnë afër 25 mijë shqiptarë të besimit katolik. Kjo shifër është shumë e madhe kur kihet parasysh numri i vogël i shqiptarëve katolikë që jetojnë në vendin e prejardhjes, në Kosovë.

Për organizimin fetar të tyre kujdesen tri qendra ose tre Misione Katolike Shqiptare të cilat veprojnë në baza të barabarta, pa një hierarki mes vete. Misioni Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore e ka qendrën në Sirnach, Kantoini Thurgau. Për Zvicrën e Mesme dhe atë Perëndimore kujdeset Misioni me qendër në Aarau ndërsa Misioni Katolik Shqiptar në Lucern mbulon Zvicrën Qendrore.