Gjuha

Ndikimi i gjuhës frënge në të folmen shqipe në Zvicër

Jetesa e përbashkët e shqiptarëve me zviceranët, kushtëzon edhe ndikimin ndërgjuhësor të tyre. Andaj na dalin elemente të shumta frënge në të folmet shqipe. Në punimin tonë na interesojnë ato fjalë, të cilat nga gjuha frënge kanë hyrë në të folmen e shqiptarëve të cilët jetojnë në Zvicër përkatësisht në kantonin Jura. Statusi gjuhësor, natyrisht, […]

Jetesa e përbashkët e shqiptarëve me zviceranët, kushtëzon edhe ndikimin ndërgjuhësor të tyre. Andaj na dalin elemente të shumta frënge në të folmet shqipe. Në punimin tonë na interesojnë ato fjalë, të cilat nga gjuha frënge kanë hyrë në të folmen e shqiptarëve të cilët jetojnë në Zvicër përkatësisht në kantonin Jura. Statusi gjuhësor, natyrisht, është ai i shumicës së diasporës shqiptare: shqipja si gjuhë e vatrës, me përdorime kryesisht në familje dhe në mjedisin shoqëror vetëm shqiptar, kurse frëngjishtja si gjuhë pune, dhe me përdorime në të gjitha funksionet kryesore. Pra, kemi një gjuhë shqipe në takim me frëngjishten.

E folmja shqipe është një e folme që përfshihet në dialektin e gegërishtes dhe më hollësisht, në grupin e të folmeve të gegërishtes veriperëndimore. Përbërja etnike e popullsisë është heterogjene: Krahas shqiptarëve nga Kosova që e përbëjnë shumicën, ka edhe shqiptarë nga Maqedonia, dhe nga Kosova Lindore.

Dukuria më spikatëse e të folmeve shqipe, është depërtimi i fjalëve të huaja nga mjedisi rrethues, përkatësisht nga frëngjishtja që kanë hyrë e po vërshojnë, sidomos, këtë dhjetëvjeçarin e fundit. Mund të thuhet se, në përgjithësi, vështirësia për t’u kuptuar po të ndeshën një shqiptar të Zvicrës varet më tepër nga ndryshimi i leksikut dhe më pak nga ndryshimet fonetike e morfo-sintaksore të shqipes. Huazimet nga frëngjishtja rrallë herë përdoren në formën e tyre të pastër. Ato zakonisht, janë përfshirë në sistemin fonetik e morfologjik të shqipes, duke iu shtruar një procesi të njohur” shqiptarizimi”.

Forma më kryesore e kufizimit të një gjuhe është zhdukja apo varfërimi i leksikut. Gjithashtu, reduktimi i shqipes është i lidhur me nevojën që kanë atje folësit për të përvetësuar e përdorur leksikun frëng. Kështu, shumë fjalë të frëngjishtes janë bërë pjesë integrale e të folmeve të shqipes në Zvicër. Me fjalë të tjera, leksiku i shqipes është fusha më kryesore ku ka vepruar ndikimi i frëngjishtes dhe kufizimi apo reduktimi gjuhësor.

Reduktim më të ndjeshëm ka pësuar leksiku shqipes që flasin më të rinjtë. Aty mund të shihet se shpesh parafjalë apo forma të tjera të shqipes janë zëvendësuar me format përkatëse të frëngjishtes. Një rast tjetër i reduktimit shihet në sistemin foljor të shqipes. Në të folurit e brezit të ri vihet re një rrallim apo edhe bjerrje e plotë e përdorimit të disa kohëve të foljeve e pa kryera, mënyra dëshirore, habitorja dhe zëvendësimi i mënyrës kushtore dhe janë në përdorim të rrallë rasa kallëzore dhe rrjedhore.

Format foljore që vijojnë të përdoren gjerësisht deri tashti janë e tashmja dhe e kryera e thjeshtë. Gjithashtu përdoren gjerë dhe vijojnë të jenë të kuptueshme plotësisht foljet ndihmëse kam dhe jam. Familja shqiptare është fusha apo mjedisi më i përshtatshëm për ruajtjen e ushtrimin e kumtimin në kodin tradicional shqiptar. Natyrisht gjendja ka ndryshuar në rrjedhë të kohërave. Aty , në fakt, bëhet përvetësimi i të folurit tradicional shqiptar. Më pas, shqipja, si gjuhë e parë(L1), tenton të fosilizohet dhe ia lëshon vendin frëngjishtes së dytë (L2) sepse shqipja në diasporë është një “dialekt pa çati”. Pjesa dërrmuese e fëmijëve shqiptarë në shkollë mësojnë vetëm frëngjisht kurse shqip do të flasin vetëm në mjediset familjare dhe me atë kompetencë fillestare e të lënë përgjysmë qysh në moshën e fëmijërisë dhe natyrisht, duke e mbushur vazhdimisht me fjalë nga frëngjishtja. Në rast fëmija shqiptar vazhdon mësimin plotësues sado që një herë në javë shqipja për veç se flitet më rrjedhshëm, ajo do të lexohet dhe shkruhet. Ata që dëshirojnë t’i ikin asimilimit duhet të ia mësyjnë shkollës.

*Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.