Integrimi
Ylfete Fanaj troket në dyert e Parlamentit Federal
Ylfete Fanaj dhe pesë kandidatë të tjerë shqiptarë garojnë në zgjedhjet federale në Zvicër, që do të mbahen në muajin tetor
Shqiptaro-zvicerania Ylfete Fanaj, ende pa kaluar katër muaj si deputete kantonale e Lucerntit, ka vendosur t’i hyjë garës tjetër për të kandiduar si deputete në nivel federal, në zgjedhjet e tetorit në Zvicër.
Përvoja politike si deputete në nivel komune dhe tashmë katër muaj si deputete kantonale në Lucern i ka dhënë guximin Ylfetes që t’ia mësyjë edhe Parlamentit nacional në Bernë.
“Efekti i angazhimit tim do të jetë më i madh në krahasim me të tanishmin. Dhe njëra nga temat, siç është integrimi, e që e kam në fokus të angazhimit tim, do të jetë gjithëpërfshirës, do të thotë në tërë Zvicrën”, deklaron për albinfo.ch deputetja e kantonit të Lucernit, Ylfete Fanaj.
Nëse zgjedhet në këtë pozicion, Fanaj bëhet shqiptarja e parë e zgjedhur si përfaqësuese e popullit në nivel nacional në Zvicër.
Politikania 29-vjeçare me prejardhje nga Kosova, të cilën e ka kandiduar Partia Socialdemokrate në Lucern, konsideron se zgjedhjet e tetorit janë të një rëndësie të veçantë për të gjithë qytetarët e Zvicrës, po ashtu edhe për shqiptarët, të cilët kanë të drejtë vote.
Ajo thotë se edhe këta të fundit duhet të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar nëse dëshirojnë të dëgjohet zëri i tyre në parlament.
Ndërsa sa i përket programeve të partive politike, për deputeten aktuale të kantonit të Lucernit të huajt nuk duhet të trajtohen vetëm si potencial votues, por duhet të merren në konsideratë dhe interesat e tyre.
“Të gjitha partitë politike një pjesë të programit të tyre ua kushtojnë të huajve në Zvicër. Mirëpo, jo vetëm para zgjedhjeve duhet të bëhen përpjekje për përfshirjen e të huajve, por duhet të veprohet sikur disa nga subjektet politike, kryesisht të majta, që me vite kanë parë rolin e rëndësishëm që kanë të huajt në shoqërinë zvicerane”, thotë Fanaj.
Ylfete Fanaj ka pas vetes një aktivitet të bujshëm jo vetëm në sferën e politikës. Ajo është kryetare, në nivel të Zvicrës, e organizatës Second@s Plus që bën bashkë të huajt e gjeneratës së dytë, dhe si e tillë gëzon një njohje të konsiderueshme në opinion, jo vetëm në kantonin ku jeton, por dhe në gjithë Zvicrën.
Nga organizata Second@s Plus vjen një emër tjetër i njohur për opinionin e këtushëm.
Bëhet fjalë për Marigona Isufin, 18 vjeçe, e cila pas rolit të lobistes në Pallatin Federal, pretendon një vend në të njëjtën ndërtesë, këtë herë të Parlamentit.
Kosovarja tashmë 18-vjeçare që nga tetori 2009 ka lobuar për të drejtat e fëmijëve.
Pikërisht angazhimi i saj në Pallatin Federal ka shtyrë Marigonen t’i hyjë kësaj sfide politike.
“Angazhimi im në jetën politike ka filluar qysh në fëmijëri, së pari kryetare e Parlamentit për fëmijë në qytetin e Bernës, mandej iniciatore e themelimit të “Jungendrat”, e cila u realizua me sukses. Dy vjet kryetare e “Jungendrat” dhe njëkohësisht lobiste e fëmijëve në Parlamentin Zviceran”, thotë politikania e re me prejardhje nga Kosova.
Marigona konkurron nëpërmjet forumit të të rinjve socialistë “Juso” dhe është e deleguar edhe nga organizata Second@s Plus.
“Second@s Plus për mua është një organizatë që përputhet me pikëpamjet e mia, sepse përfaqëson interesat e emigrantëve të gjeneratës së dytë, të cilët, sipas mendimit tim, nuk janë të përfshirë mjaftueshëm në politikën zvicerane”, deklaron Marigona.
Sipas kandidates më të re shqiptare, deputeti me prejardhje të huaj është zëri i qytetarit dhe ka një qëndrim më ndryshe për kërkesat e qytetarëve.
Marigona lindi në Friburg, u rrit në Bernë dhe është kosovare nga Prishtina.
Në mesin e shumë kandidatëve zviceranë që garojnë në zgjedhjet federale të tetorit, rreth 30 të tillë janë me prejardhje të huaj, të cilët janë anëtarë Secon prej tyre gjashtë shqiptarë.
Shumica prej tyre kandidojnë nëpërmjet listës së kandidatëve të Partisë Social- Demokrate, listës Second@s Plus, listës së të rinjve socialistë “Juso”.
Përveç Ylfetës dhe Marigonës, është edhe Lurata Reci, një kandidate tjetër shqiptare nga Maqedonia që kandidon në listën e Partisë Socialiste në Bernë.
Janë edhe tre konkurrentë të tjerë shqiptarë. Edhe Ardita Berisha, Drilon Bekiri dhe Bujar Berisha konkurrojnë për pozitën e deputetit në nivel nacional..
Të gjithë kandidatët shqiptarë i takojnë gjeneratës së dytë me prejardhje të huaj në këtë vend.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert Të apasionuarit pas skijimit janë duke buzëqeshur. Reshjet e fundit të borës kanë lejuar vendpushimet e...
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara