Lajme
Ivanovi, relikt i nacionalizmit etnik
Në një pritje fundviti, karshi meje kisha një nacionalist maqedonas, serbofil, i cili mundohej të më bindte, në mënyrë patetike, se shqiptarët e Maqedonisë dallojnë nga shqiptarët e Kosovës, sepse, sipas tij, ne nuk qenkeshim i njëjti popull. Edhe pse i shpjegoja me argumente historike dhe racionale se shqiptarët e Maqedonisë, të Kosovës, të Shqipërisë dhe gjithkund janë degët e të njëjtit trung etnokulturor, por që kanë ndjekur fate të ndryshme historike shkaku i ndarjeve gjeopolitike arbitrare në Ballkan në shekujt XIX dhe XX, ai vazhdonte të llomotiste suazën nacionaliste serbo-maqedonase të viteve të 80-a, që nuk e kisha dëgjuar për shumë kohë.
Kjo propagandë neveritëse, e cila në emër të një “infektimi nga nacionalizmi kundërrevolucionar dhe irredentist shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë”, e privoi popullatën shqiptarë në Maqedoni me dekada nga të drejtat e saj kolektive themelore. Në emër të gjoja luftës kundër panshqiptarizmit dhe duke u mbështetur në teza akademike të ashtuquajtura “kolonizim shqiptar nga Shqipëria në trevat e Kosovës dhe të Maqedonisë”, strukturat nacionaliste (komuniste) serbo-maqedonase krijuan racizëm të hapur antishqiptar dhe e organizuan stagnimin arsimor, shtypjen, si dhe margjinalizimin socio-ekonomik të përgjithshëm shqiptar. Sot e kësaj dite shqiptarët e Maqedonisë ballafaqohen me pasojat e këtij konstruksioni politik. Kompleksi nacionalist maqedonas albanofob reflektohet po ashtu edhe nëpërmjet izolimit dhe pengimit të lidhjeve kulturore, politike apo ekonomike ndërshqiptare. Po kjo frymë edhe e ka inkurajuar që me dekada, nëpërmjet angazhimit institucional shtetëror, farkimin e identitetit specifik shqiptar në Maqedoni, duke e forcuar petkun fetar, me qëllim të vetëm që të krijojë ndarje organike (lexo kulturore) mes shqiptarëve nga Maqedonia dhe hapësirave të tjera kulturore shqiptare.
Hapi antikushtetues i fundit i Ivanovit ka pa dyshim një synim të dyfishtë: së pari, në afate të shkurtra kohore, të gjejë rrugë për të penguar ndryshimin e regjimit politik në Maqedoni. Kështu do të evitonte ballafaqimin me drejtësinë për përgjegjësit politikë të VMRO-DPMNE-s, të dyshuar për vjedhje masive të të mirave shoqërore dhe varfërimin e vendit. Dhe, së dyti, të pengojë thyerjen e skemës nacionaliste maqedonase që është në vijë me vizionet politike të Serbisë, të sendërtuara në kurriz të interesave shqiptare. Ivanovi është pikërisht relikt i kësaj shkolle, e cila synon ndërtimin e shtetit të Maqedonisë në shërbim të identitetit etnik maqedonas, por duke e frenuar lulëzimin kulturor shqiptar në Maqedoni. Prosperiteti dhe emancipimi i shqiptarëve në Maqedoni, i cili shkon po ashtu në të mirë të ardhmërisë së këtij vendi, fatkeqësisht perceptohet si rrezik, për atë që ai e quan “karakter unitar” të Maqedonisë. Ky vlerësim është absurd, ngase dihet mirë se Maqedonia përbëhet nga dy grupe etnike kryesore dhe një laramanie të minoriteteve etnolinguistike të ndryshme.
Ivanon dëshmon me këtë hap se nuk është kryetar i të gjithëve, pra edhe i shqiptarëve dhe i maqedonasve progresivë. Pengimi i mandatit të koalicionit maqedonaso-shqiptar dhe paraqitja e ujdisë të ligjit për gjuhën shqipe për gati 30% të popullatës së vendit, si një vepër e një shteti të huaj (siç), vetëm se e dëshmon suazën ideologjike brenda të cilës ai vepron. Kjo punë kallauz nuk do: vullneti nacionalist maqedonas i Ivanovit me shokë është në shpërputhje me emancipimin dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës shqiptare, si dhe modernizimin e hapësirave shqiptare në Maqedoni. Rezultati që sot shihet në hapësirat shqiptare në Maqedoni e reflekton këtë vullnet politik. Mjafton të krahasohen kontrastet marramendëse në investimet në infrastrukturë në hapësirat shqiptare dhe ato maqedonase. Mjerisht, mosaftësitë e lidershipit shqiptar të deritanishëm vetëm se i kanë ndihmuar këtij procesi të dëshiruar dhe të programuar në kuzhinat e shtetit maqedonas të deritanishëm.
Prandaj, për ta thyer këtë spirale nacionaliste që e shpie vendin në humnerë, tani, çdo alternativë koalicioni i shqiptarëve përpos me Zoran Zaevin, është bërë e pamundur. Faktori politik shqiptar duhet të gjejë rrugë dhe mjete politiko-kushtetuese, së bashku me lidershipin e SDSM-së, për ta mundësuar ndryshimin e regjimit politik në Maqedoni. Konteksti ndërkombëtar, ndryshimi i lidershipit në SHBA dhe rritja e të djathtës ekstreme në Evropë u japin pa dyshim shtytje elementeve nacionaliste në Maqedoni, por edhe në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë (t’i rikujtojmë qëndrimet e ditëve të fundit të Milorad Dodikut). Mirëpo, është në interes edhe të vendeve perëndimore që të thyhet “kutia e pandorës” dhe të lirohet Maqedonia dhe Ballkani nga skemat etnonacionaliste përjashtuese. Do të duhej të promovohet dhe të mbështetet energjikisht modeli qytetar i Zaevit, i cili demonstron, përmes njohjes së të drejtave kolektive të shqiptarëve, se synon ndërtimin e një bazamenti qytetar dhe demokratik në Maqedoni. Ky model pastaj do të mund të promovohet edhe jashtë këtij vendi, dhe përmes tij, të fillojë një ndryshim rrënjësor në Ballkan, respektivisht daljes në skenë të një klase politike evropiane.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër Reshjet e para të borës në ultësira po shkaktojnë disa ndërprerje në qarkullim. Në Cyrih, Bernë...
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV