Integrimi
Shqiptarët mësojnë mjeshtërinë e debatit
Reagimi i mirëfilltë i subjekteve shqiptarëve dhe në veçanti ai i Kuvendit është reflektuar edhe te vetë iniciuesit e afishes antikosovare
Si është dashur të reagojnë shqiptarët ndaj vrasjeve të kryera nga bashkëkombësit e tyre, që ndodhën në muajin gusht? Ose, a duhet të reagojnë, kur dihet se fajësia, kudo në shoqëritë demokratike është individuale?! Por në rastet kur shqiptarëve megjithatë ua “kolektivizojnë” fajësinë, cili duhet të jetë reagimi i tyre? Këto dilema i shtruan dhe u munduan t`u japin përgjigje një numër përfaqësuesish të komunitetit shqiptar të Zvicrës, të mbledhur në Ambasadën e Kosovës në Bernë. Ndihmesën e tyre e dhanë edhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, dhe ambasadorët në Misionin e OKB-së në Gjenevë; Sejdi Qerimaj, i Shqipërisë dhe Aziz Pollozhani, i Maqedonisë.
Ambasadori Malaj duke hapur takimin vuri në dukje seriozitetin e gjendjes pas akteve të rënda, respektivisht nevojën për reagim të balancuar. Ai përmendi edhe angazhimet e bëra nga Ambasada e Kosovës në Bernë lidhur me zhvillimet e përmendura, si reagimet e bëra me shkrim, vizitat e stafit të saj të bëra te familjet e dëmtuara etj. Por, siç theksoi Malaj, subjekti i prekur drejtpërdrejtë me këtë rast është komuniteti ynë që jeton këtu dhe për këtë arsye edhe është iniciuar ky takim për të debatuar rreth gjetjes së mënyrave më të mira të veprimit në rastet sikur këto.
Amabsadori Sejdi Qerimaj ka përshëndetur dhe përgëzuar pjesëmarrësit e debatit për nismën e qëlluar. Ai ka shprehur gatishmërinë për ndihmë nga subjekti që përfaqëson.
Orhan Spahiu, kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër duke u inkuadruar në debat shprehu qëndrimin e kuvendit lidhur me padinë e mundshme ndaj ndërmarrësit Fidel Stöhlker, i cili disa javë më parë kishte fyer publikisht kosovarët duke i etiketuar si racë e ulët, popull i rendit të dytë etj. Spahiu tha me këtë rast se vepra që ka kryer Stöhlker ndiqet zyrtarisht, kështu që kuvendi ka vendosur të mos bëjë padi shtesë.
“Ne i kemi shkruar z. Stöhlker duke i kujtuar se cilat do të jenë pasojat juridike të veprimit të tij. Ai pastaj, përmes një letre, na ka kërkuar falje dhe ka shprehur keqardhje për atë veprim.
Teksti i afishes antikosovare: në zonën gri, nuk mund të paditet
Ndërkaq, sa i përket afishes me shprehjen “Kosovarët therin zviceranët”, Spahiu tha se, sipas konsultave me profesorë zviceranë, SVP ka vepruar në “zonën gri”, në kufi me shkeljen e ligjit kundër racizmit (neni 261) por megjithatë ka pasur kujdes të mos e shkelë atë. Në këto rrethana çdo padi që do të bëhej do të përfundonte me humbjen tonë”. Ai thirri për hapa “diplomatikë” e pa shumë bujë në këtë drejtim.
Edhe avokati Jeton Kryeziu, në cilësinë e anëtarit të kryesisë së Kuvendit shqiptar arsyetoi qëndrimin e kuvendit për të mos bërë padi në të dyja rastet. Sipas tij, te rasti i Stöhlker-it, padia ka qenë e mundur nga ana juridike por e papërshtatshme nga ana morale.
Osman Osmani, përgjegjës për migracionin në sindikatën zvicerane UNIA drejtoi tone kritike për neglizhencën, që, siç tha ai, po e dëshmojmë ndaj problemeve të cilat na takon ne që t`i zgjidhim. “Në disa raste kur ka pasur shkelje të të drejtave të shqiptarëve, sikur mosvazhdimi i marrëveshjes sociale, ka munguar reagimi i shqiptarëve dhe sidomos i atyre që thirren se përfaqësojnë shqiptarët. Në këtë kohë ka pasur protesta të organizuara nga të tjerët (si Unia etj.) për mbrojtjen e të drejtave të kosovarëve por pjesëmarrja e tyre në to ka qenë fare simbolike”. Osmani po ashtu theksoi se ka edhe zviceranë, politikanë ose aktivistë, të cilët për angazhimin e tyre në të mirë të shqiptarëve do të ishte mirë të kenë mirënjohjen tonë publike, edhe nga përfaqësia jonë diplomatike.
“Duhet të punojmë në emancipimin e njerëzve tanë këtu”
Ylfete Fanaj, deputete në kantonin e Lucernit ka thënë se është mirë që të gjitha partitë por edhe eksponentë nga vetë SVP-ja janë distancuar nga përmbajtja e afishes famoze që kriminalizon shqiptarët. Tash së fundi, ka shtuar ajo, me sukseset sikur ai i Shaqirit etj., teksti i pllakatit të SVP-së është zbehur shumë dhe ka humbur peshën. Me këtë rast Fanaj ka thënë se politikanë të ndryshëm zviceranë kanë mirëpritur dënimin që ministri i diasporës, z. Makolli dhe ambasadori Malaj i kanë bërë në emrin Kosovës dy veprimeve kriminale të shtetasve kosovarë në Zvicër.
Hamit Zeqiri, punëtor social ka thënë se duhet të kemi kujdes që duke dënuar krimet, të mos kalojmë në akcionizëm që dmth. të mos kërkojmë falje. “Unë them që ne nuk duhet të reagojmë në të gjitha rastet kur autorë të krimit janë shqiptarët. Por, rasti i dy krimeve të fundit, e ka kërkuar reagimin e komunitetit sepse edhe kanë ndodhur në një konstelacion të pafat, si zgjedhjet nacionale në prag, fushata e SVP-së etj.”.
Mirëpo, Zeqiri ka apeluar që vëmendja jonë të përqendrohet diku tjetër. “Ne duhet të fokusohemi te një plan më afatgjatë për emancipimin e shqiptarëve këtu. Duhet ta pyesim veten se ku kemi potencial, ku mund të ecim më shpejt. Ne kemi një problem me një pjesë të popullatës sonë, me të rinjtë dhe këtë duhet ta diskutojmë. Fokusi ynë të jetë i drejtuar nga zhvillimi e më pak te reagimet”, ka thënë Hamit Zeqiri.
Hamëz Morina, kryetar i LAPSH-së “Naim Frashëri” në fjalën e tij ka thënë se rastet e vrasjeve të ndodhura muajin e kaluar duhet të merren si raste individuale që ndodhin gjithkund, sepse “çdo popull ka maniakët e tij”. Problemi është se këto raste po i shërbejnë dikujt si material për fushatë politike dhe për fyerje të një populli të tërë.
Ai ka thënë po ashtu se, krahas Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, duhen vlerësuar edhe organizimet e mëhershme shqiptare që vazhdojnë të punojnë.
Gazetari Rexhep Rifati është angazhuar që të gjitha subjektet shqiptare në Zvicër, disa pej tyre veprojnë prej mbi 20 vitesh, të thonë fjalën e tyre e të mos mbështetemi vetëm te Kuvendi i Shqiptarëve. Ai ka thënë po ashtu se Ambasada ashtu si dhe Kuvendi i Shqiptarëve janë vonuar me dënimin e ngjarjeve. “Nëse ne reagojmë ndaj veprimeve të këqija të bashkatdhetarëve tanë fitojmë të drejtën të kundërshtojmë edhe diskriminimin që na bëhet nga qarqet e ndryshme”, ka thënë Rifati.
“Si rezultat i reagimeve tona, SVP ka treguar shenja tërheqjeje”
Por, vlerësim tjetër rreth rolit të kuvendit të shqiptarëve ka pasur Bashkim Iseni, drejtor i platformës albinfo.ch. Ai ka konstatuar se reagimi i shumë subjekteve shqiptare si dhe i Kuvendit bnë veçanti ka pasur ndikim direkt në rrjedhën e ngjarjeve: “Reagimi i shqiptarëve kësaj here ka qenë në nivelin e duhur, edhe përpos ca vërejtjeve. Efekti është parë menjëherë në reagimin e SVP-së (të botuar në albinfo.ch) përmes kryetarit të saj Toni Brunner ku kjo parti ka treguar shenja të një tërheqjeje. Ka qenë sprova e parë dhe mjaft interesante, që falë këtyre reagimeve, të përcjellura edhe na mediat zvicerane, ka pasuar reflektime edhe brenda vetë SVP-së. Kjo parti, siç dihet e ka riformuluar tekstin nga `kosovarët therin zviceranët`, duke e individualizuar me: `kosovari theri zviceranin`. Dhe, kjo nuk vjen vetvetiu! Tërheqja e pjesërishme e SVP-së është rezultat i reagimeve efikase të subjekteve të ndryshme shqiptare në Zvicër”, ka thënë Iseni.
Ai me këtë rast ka ngritur edhe çështjen e forcimit të Kuvendit shqiptar në Zvicër, profesionalizimit-operacionalizimit të tij. “Tash është momenti që kuvendi të mendojë seriozisht për bazën materiale, sekretarinë, selinë, sigurimin e pavarësisë së tij”, ka shtuar Bashkim Iseni.
Iseni ka apeluar për angazhimin më të madh të shqiptarëve në partitë e këtushme, dhe për mobilizimin e tyre për të votuar në zgjedhjet që mbahen së shpejti.
Ambasdori Malaj, duke u inkuadruar në debat ka thënë se Ambasada ka pasur konfirmime nga institucionet federale se fushata që po bën SVP-ja në asnjë moment nuk është qëndrim i strukturave të shtetit. Po ashtu ai ka treguar se autori i shprehjeve raciste kundër kosovarëve, Fidel Stöhlker ka kërkuar falje në adresë të ambasadës për veprimin e bërë.
Llesh Duhanaj, kryetar i CDK-së, (Bashkësia Demokristiane Kosovare, brenda CVP) ka folur për reagimin që ka bërë CDK, e cila ka dënuar sikur vrasjet ashtu edhe etiketimin e komunitetit shqiptar nga SVP-UDC-ja. Ai ka vlerësuar me vend reagimin e Kuvendit dhe të ambasadës. Duhanaj ka lavdëruar edhe reagimin e ipeshkvëve të Zvicrës ndaj afisheve antishqiptare. “Një reagim me vend dhe që dëshmon vlera”.
“Shqiptarët, nga popull reaktiv të shndërrrohen në popull proaktiv”
Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, në fjalën e saj është angazhuar për afirmimin e sukseseve të shqiptarëve në fusha të ndryshme, të arritura këtu në Zvicër. Kjo është në radhë të parë detyrë e medieve të këtushme shqiptare, ka thënë ajo. Por po ashtu para opinionit zviceran duhet të prezantohemi nga njerëz që kanë kompetencë dhe bagazh. Në këtë drejtim, ka thënë Malaj-Krasniqi, Kuvendi Shqiptar “po bën një punë për tu vlerësuar, që ka ngjallur simpati dhe besim edhe në shoqërinë dhe strukturat shtetërore të Zvicrës”.
Ambasadori i Maqedonisë në Misionin e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani në fjalën e tij ka shprehur admirimin për, siç tha ai, nivelin e lartë dhe kulturën e debatit të zhvilluar në këtë takim. Më tutje, ai ka thënë se shqiptarët në mërgim tashti ndodhen në një kontekst të ri. Sfidat e reja që i dalin komunitetit shqiptar sot këtu janë të një natyre tjetër dhe duan edhe përgjigje tjetër. Për këtë arsye mendoj se kuvendi shqiptar, është përgjigja e duhur dhe e kohës”, ka nënvizuar Pollozhani.
Duke përkujtuar se arsyeja e këtij takimi ishte situata e krijuar pas vrasjeve të kryera nga shqiptarët, Pollozhani konstatoi se ne shqiptarët akoma jemi njerëz “reaktivë” që mobilizohemi vetëm pasi të kenë ndodhur gjërat. “Ndërsa nga dija e treguar, niveli i debatit dhe analizës që po shoh sot këtu, po krijoj bindjen se ne ngadalë po hyjmë në stadin e popujve proaktivë, që i parashohin gjërat, planifikojnë reagimet e tyre etj.
Në debat kanë marrë pjesë edhe Marigona Isufi, lobiste e fëmijëve në Parlamentin Federal të Zvicrës dhe Samir Zeneli, ekonomist dhe anëtar i kryesisë të kuvendit.
Pavarësisht faktit se në ketë takim nuk u morën vendime as u nxorën konluza, ato që solli ky debat ishin disa kualitete të reja që ngadalë po piqen në mesin e komunitetit, si: kultura e debatit, fuqia e analizës dhe maturia në vlerësime e reagime.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar Për vitin aktual, SBB pret një fitim që ka të ngjarë të jetë në të njëjtin...
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave