Integrimi
Trashëgon biznesin e babait dhe e zhvillon atë më tej
Lejla Ibrahimi, e cila drejton kompaninë “Air Prishtina” flet lidhur me risitë që i ka aplikuar në kompani, vështirësitë me të cilat ajo si femër udhëheqëse përballet, sfidat e konkurrencës, ato të teknologjive të reja etj.
Lejla Ibrahimi është një zonjë e re por me një përvojë të çmuar në fushën e biznesit. Ajo prej rreth dhjetë vitesh udhëheq me kompaninë “Air Prishtina”, një sfidë që e ka marrë nga babai i saj i ndjerë Bexhet Sallahu, i cili e kishte themeluar këtë kompani të suksesshme para më se 35 vitesh. Duke ndjekur hapat e babait, Lejla jo vetëm që e ka ruajtur trashëgiminë e tij por edhe e ka zgjeruar atë duke i dhënë në vazhdimësi frymën e kohës. Bashkëbiseduesja jonë flet për albinfo.ch lidhur me risitë që i ka aplikuar në kompani, vështirësitë me të cilat ajo si femër udhëheqëse përballet, sfidat e konkurrencës, ato të teknologjive të reja etj.
Albinfo.ch: Po e nisim intervistën me risitë që keni sjellë me pagesat nëpër kioska të Valoras të biletave të rezervuara në Zvicër. Si po funksionon projekti në fjalë?
Lejla Ibrahimi: Shumë mirë ngase është mënyrë shumë e thjeshtë, dhe aty gabimet gati se nuk mund të ndodhin. Pasagjeri shkon vetëm me një telefon celular për të treguar kodin dhe gjithçka kryhet. Bileta mund të paguhet me visa kartelë, dhe kartela tjera bankare, por mundet edhe kesh. Në momentin që bëhet pagesa, “Valora” na konfirmon në mënyrë elektronike se është bërë pagesa dhe brenda disa minutash bëhet valide bileta e udhëtimit, dhe i dërgohet më e-mail apo sms udhëtarit.
Pse kjo metodë, a do të thotë që po synoni t’u ikni pagesave klasike kesh nëpër agjenci?
Synimi ynë është t’i bëjmë sa më të lehta procedurat e pagesave, që biletat e rezervuara të mund të paguhen menjëherë. Kjo metodë është e sigurt si për ne ashtu edhe për udhëtarët.
A nuk keni frikë se mund t’iu ikin udhëtarë që janë mësuar të vijnë direkt në aeroporte dhe nëpër agjencitë tuaja?
Në aeroport edhe ashtu nuk jemi të pranishëm prej pesë vitesh. Ne jemi të vetmit që nuk jemi në aeroport dhe funksionon gjithçka pa asnjë problem. Pasagjeri e din se me biletën e paguar shkon direkt në Check-in dhe në dorëzimin e bagazhit, dhe nuk ka nevojë për asnjë vulë. Do të thotë ofrojmë shërbime sikur avio-kompanitë tjera të udhëtimit. Udhëtari është në listën e fluturimit, të cilët dërgohen në Check-in konform standardeve te IATA-s. Pra pasagjerit nuk i duhet patjetër një biletë por vetëm me pasaportë mund të hip në aeroplan. Për të ekzistuar në këtë treg duhet me qenë mirë të organizuar me kosto minimale. Çka mund të automatizohet është mirë. Secila kompani shikon se çka mund të kursejë dhe ato kursime konvertohen në shërbime dhe në çmimin e biletave. Ne jemi të bindur, se edhe pse nuk jemi prezent në aeroportet që operojmë, si psh. Cyrih, Gjenevë, Bazel, Dyseldorf, Stuttgart, Münich, Veronë ose Londër, shërbimet që i ofrojmë janë kualitative. Do të thotë kemi kursyer për këto 5 vite dhe kemi përmirësuar shërbimet, ndërkohë sërish jemi rritur vazhdimisht, sidomos në Gjermani.
Ju keni trashëguar biznesin nga babai juaj. Si arritët ta mbani biznesin deri tani kur kemi parasysh “turbulencat” me të cilat ballafaqohet shpesh tregu i fluturimeve nga Zvicra për Kosovë dhe Maqedoni?
Sigurisht kemi pasur përfitim nga eksperienca dhe imazhi i kompanisë. Ne jemi koncentruar gjithmonë që punën tonë ta bëjmë sa më mirë. Filozofia ka qenë gjithmonë që të jemi më të mirët. Fokusi nuk ka qenë vetëm profiti por edhe kualiteti. Duke u riorganizuar duke u automatizuar kemi investuar shumë në infrastrukturën teknike. Faqja jonë në internet nuk dallon prej kompanive të mëdha sa u përket fluturimeve. Duke investuar gjithmonë në teknologji po edhe kemi transferuar qendrën e thirrjeve “contact center” në Kosovë, dhe kemi arritur që kostot t’i kemi shumë më lirë se në Zvicër, po edhe kemi ndihmuar vendin me hapjen e rreth 50 vendeve të punës.
Për ju si grua, a ka ndonjë vështirësi specifike puna në udhëheqjen e një firme si kjo, pasi keni punë kryesisht me shqiptarë?
Gjithmonë ka qenë sfiduese ngase në krahasim me operatorët tjerë unë kam mundur të jem vajza e tyre. Nganjëherë jemi nënvlerësuar po në të njëjtën kohë ky fakt më ka dhëne mundësinë për të kryer punën time pa bërë zhurmë. Unë jam rritur me këtë biznes, si e vogël kam dëgjuar vazhdimisht nga ky biznes, aeroplanë e bileta. Nuk ka qenë diçka e re në jetën time por sigurisht ka qenë vështirë. Kemi bërë disa reforma shumë të vështira në fillim për të pasur mundësi ekzistimi në treg.
Do të thotë jeni përballur me turbulenca?
Nuk po e them në aspektin financiar por në aspektin e relacioneve familjare ngase ne përpara kemi funksionuar bashkë me familjarë tjerë, babai im ka punuar bashkë me vëllezër e kushërinj. Tash jemi totalisht të pavarur. Ata kanë vazhduar rrugën e tyre ne tonën, por jo në një konstelacion të njëjtë. As në Prishtinë as këtu nuk punon asnjë familjar. Kjo është filozofia e re e Air Prishtinës. Ne iu kemi dhënë shanse edhe të tjerëve për të gjetur një vend pune pa asnjë lidhje familjare. Punëtorët tanë janë me vite dhe nuk ka shumë lëvizje në këtë drejtim. Me një fjalë me Air Prishtinën ka filluar një kapitull i ri.
Po konkurrenca?
Po konkurrencë i kemi Easy Jet, Wizz Air, Swiss. Këta janë konkurrentët kryesorë. Ne duhet të përgatitemi për nesër dhe të zhvillohemi që të konkurrojmë me këto kompani, nuk kemi zgjidhje tjetër.
A koordinoheni ndonjë për të standardizuar çmimet për Prishtinë dhe Shkup?
Ne nuk kemi nevojë të koordinohemi se ky është treg i lirë. Do të thotë kërkesa dhe oferta e bën çmimin.
Sa pasagjerë udhëtojnë në vit me Air Prishtinën?
Rreth gjysmë milioni udhëtarë. Po flas për këto dy vitet e fundit, në të gjitha destinacionet.
A keni menduar të siguroni aeroplanët tuaj?
Nuk është në konceptin tonë të kemi aeroplanët tanë. Kooperimi me “Germania” është shumë i suksesshëm dhe shumë fleksibil. Përgjegjësitë që i kanë kompanitë e mëdha ne nuk i kemi, do të thotë se jemi një përzierje e mirë.
Sa shpesh organizoni fluturime për në Kosovë dhe Maqedoni?
Për Prishtinë nga Zvicra fluturojmë 9 deri 10 herë në javë, për Shkup gati çdo ditë, përveç martës. Nga Gjermania 5-7 herë në javë, nga Londra, Verona dhe Bergamo 1-2 here në jave
Cilat janë kërkesat e pasagjerëve shqiptarë?
Pasagjerët tanë dëshirojnë të rezervojnë lehtë, sigurt dhe lirë..
Këtë të fundit e kanë gjetur te ju?
Po, kemi mundësi të ofrojmë edhe çmime të leverdishme.
Shpesh ankohen se gjatë festave dhe sezonit verës biletat janë shumë shtrenjtë për të fluturuar për në vendlindje sidomos për ato familje me më shumë anëtarë?
Në relacion me ofertat dhe kërkesat në atë kohë, çmimet janë të tregut. Prishtina nuk është Majorka, por ka specifikat e veta. Ka një sesonalitet të lart respektivisht të një anshëm. Në Majorka aq sa shkojnë udhëtarë për shembull gjat korrikut edhe aq kthehen. Kurse në Prishtinë gjatë muajit korrik shkojnë por nuk kthehet askush gati. Në gusht është e kundërta. Secili tour operator serioz duhet për këtë periudhë t’i kalkulojë kostot e dyfishta. E kuptoj që pasagjeri nuk e ka të qartë këtë por për këtë arsye ofrojmë fluturime edhe nga Bazeli e Dyseldorfi, Shtutgarti… Do të thotë në korrik fillon sezoni në Cyrih por jo edhe në Shtutgart. Me ne kanë mundësi për t’i realizuar disa kombinime që çmimet të dalin të volitshme. Edhe e dyta, pasagjerët që rezervojnë më herët sigurojnë çmime më të lira për atë kohë.
Sa ka kushtuar bileta më e lirë?
Po për shembull tani për Ohër mund të fluturoni me një biletë kthyese për 140 franga.
Duke pasur parasysh potencialin turistik që ka Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, a keni menduar të organizoni paketa turistike të udhëtimit në drejtim të këtyre vendeve?
Kemi menduar dhe pas hulumtimit të bërë kemi vendosur që tani nuk është koha. Infrastruktura në Shqipëri ende lë mjaft për t’u dëshiruar. Nëse në Zvicër ofertojmë paketa të tilla jam e sigurt se të gjithë kthehen të pakënaqur. Vështirë është të përmbushen kërkesat e turistëve zviceranë. Ndoshta në të ardhmen do të gjejmë ndonjë kooperim serioz me ndonjë kompani serioze dhe në këtë drejtim.
Maqedonia ka subvencionuar kompanitë low cost, sa jeni dëmtuar për shkak çmimeve të ulëta që ofrojnë për udhëtarët për të njëjtat destinacione?
Kjo është relative sepse çdo kompani mundohet t’i nxjerrë mundësitë më të mira. Aeroporti i Shkupit ka një program stimulues, por edhe a i Prishtinës, dhe cila kompani i përmbush ato kushte, mund te përfitojë nga ky program.
Shpesh ndodh gjatë sezonit bashkatdhetarët të mashtrohen nga avio-kompanitë që lënë i nëpër aeroporte, si të luftohet kjo dukuri që po përsëritet?
U bëj thirrje të gjithëve që të kenë kujdes. Ky biznes është kompleks dhe intensiv në kapitalizëm. Nuk duhet t’i besojnë vetëm një sms-i. Ju këshilloj që të blejnë biletat vetëm në agjenci të cilat i njohin. Pra kur e di se kush është mbrapa këtij agjencie.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?