Feja
Tërnava: Largohuni nga veprat që i bëjnë dëm Kosovës
„Të integroheni në shoqërinë zvicerane duke ruajtur natyrshmërinë tuaj që bartni nga vendet që vini“, tha kreu i BIK-së
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka porositur nga Grencheni i Zvicrës bashkëkombësit e tij që të jenë ambasadorë të denjë të vendit të tyre dhe të distancohen nga veprat që shkojnë në dëm të interesit të përgjithshëm të kombit shqiptar.
Këto komente myftiu Tërnava i bëri të shtunën në mbrëmje në një manifestim, ku ishin të pranishëm besimtarë të shumtë myslimanë nga e tërë Zvicra, të cilët merrnin pjesë në përurimin e nisjes së punimeve të një xhamie në Grenchen.
„Kudo që jeni, si në fabrikë, në rrugë apo në shkollë, ju përfaqësoni vendin tuaj, kulturën e vendit tuaj, qytetërimin e lashtë që ka populli shqiptar“, tha para bashkatdhetarëve të mbledhur myftiu kosovar, Naim Tërnava.
Tërnava ka falënderuar shtetin zviceran për ndihmën që ka dhënë vazhdimisht për Kosovën dhe ka thënë se Zvicra është një vend mik i Kosovës.
„Të integroheni në shoqërinë zvicerane duke ruajtur natyrshmërinë tuaj që bartni nga vendet që vini, të ruani fenë islame, ngase integrimi nuk do të thotë largim nga feja, por do të thotë forcim të identitetit fetar, andaj dhe nuk guxojmë ta lejojmë që në çfarëdo situate të bëjmë vepra të tilla, të cilat shkojnë në kundërshtim direkt me interesin e përgjithshëm të kombit, e në veçanti të shtetit të ri të Kosovës“, iu tha myftiu bashkatdhetarëve në Zvicër.
Mos lejoni që fëmijët tanë të rimëkëmben dhe të humbin realitetin që i takojnë duke humbur dashurinë ndaj fesë dhe kombit.
„Sallat dhe xhamitë ku janë të pranishëm bashkë gra e burra, djem dhe vajza, na bën të qëndrojmë stoik në rrugën tonë“, tha Tërnava.
„Nuk është islami i njërës gjini, por i dy gjinive, në mënyrë të barabartë, nuk guxojmë ta shtrembërojmë fenë që e kemi për më shumë se 620 vjet në trojet tona, të cilën e kanë kultivuar hoxhallarë. Atyre iu kishte lakmi e gjithë bota mbarë, ata e kanë shpjeguar islamin si duhet, ngase ishin dijetarë të mëdhenj“, tha mes tjerash Tërnava.
Ndërkohë ka përgëzuar nismëtarët e ndërtimit të xhamisë së Grenchenit dhe ka falënderuar autoritet komunale, të cilët kanë lejuar ndërtimin e këtij objekti fetar.
Ai tha se xhamia do ta zbukurojë këtë vend të Zvicrës.
„Nuk është me rëndësi sa do të jetë e gjatë minarja, por e rëndësishme të jenë themelet e forta dhe domethënëse, ku do të edukohen brezi i ri. Në rrethanat në të cilat jetoni, ju keni përgjegjësi të madhe t’i ruani dhe t’i edukoni fëmijët tuaj në frymën e fesë islame dhe në frymën e atdhedashurisë “, theksoi myftiu i Kosovës.
Myftiu Tërnava ka shfrytëzuar këtë vizitë në Zvicër për të dënuar aktet kriminale që kanë ndodhur javën e fundit në Zvicër, ku ishin të përfshirë qytetarë kosovarë.
Sipas tij, feja në asnjë mënyrë nuk thotë të shuhet jeta e dikujt.
„Kurani na mëson se shuarja e një jete, do të thotë shuarjen e jetëve të tërë njerëzimit dhe dhënia e kontributit që të mbijetojë dikush do të thotë është shkaktar për të jetuar i tërë njerëzimi. Andaj, çdo vepër e tillë është e gjykuar dhe jonjerëzore dhe konsiderohet si kriminale. Feja nuk ka të bëjë asgjë me krimin dhe me dukuritë negative, por përkundrazi, feja është për një bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet popujve, pavarësisht gjuhës, racës dhe vendit ku jetojnë“, tha Tërnava.
Pas kësaj, bashkëkombësit tanë, sipas Tërnavës, duhet të punojnë më shumë në përforcimin e raporteve me zviceranët.
Sido që të jetë, organizatorët nuk kishin arritur në këtë manifestim t’i bëjnë bashkë myftiun Naim Tërnava, imamin e Prishtinës, Shefqet Krasniqi, kreun e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sylejman Efendi Rexhepi.
Megjithëse prania e dy të fundit ishte paralajmëruar nga organizatorët e këtij manifestimi.
Për të pranishmit e numërt, të cilët kontribuuan me nga 15 franga për ndërtimin e xhamisë, ishte përgatitur një program i pasur fetar dhe është shtruar iftar.
E-Diaspora
-
Vritet një shqiptar në Itali dhe plagoset vëllai i tij Policia italiane arreston dy persona me kombësi maqedonase...
-
Londër: Shqiptari është gjetur pa shenja jete
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët
Jeta në Zvicër
-
Nestle sheh nevojën për veprim mbi çmimet e produkteve Nestle duhet të ndërmarrë veprime për çmimet për të inkurajuar konsumatorët të blejnë mallrat e saj,...
-
Zvicër: Bli tani, paguaj më vonë
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore?
-
Si do të përfitojnë banorët e Gjenevës nga taksat më të ulëta mbi të ardhurat
-
Gati 75% e dëbimeve të urdhëruara në Zvicër në vitin 2023 janë kryer