Shkurt.ch

Gjatë nëntorit, 6 për qind më pak kërkesa azili

Ky vit do të përmbyllet me më pak se 30 mijë kërkesa të reja të azilit. Mbyllja e të ashtuquajturës rrugë e Ballkanit (nga marsi i këtij viti), konsiderohet si shkaku kryesor i rënies së numrit të refugjatëve

Edhe në muajin nëntor ka vazhduar trendi i uljes së numrit të azilkërkuesve, trend ky që kishte karakterizuar gjithë vitin që po shkon.

Kështu, sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), gjatë nëntorit në Zvicër kanë kërkuar azil 1963 persona, që është për 6 për qind ose për 133 persona më pak se në muajin tetor ndërsa 66 për qind më pak se në nëntorin e vitit të kaluar.

Siç thuhet në një komunikatë të lëshuar nga SEM, ky vit do të përmbyllet me më pak se 30 mijë kërkesa të reja të azilit, shkruan albinfo.ch. Mbyllja e të ashtuquajturës rrugë e Ballkanit (nga marsi i këtij viti), konsiderohet si shkaku kryesor i rënies së numrit të refugjatëve që ia mësyjnë shteteve të perëndimit dhe në veçanti Zvicrës.

Nga fillimi i vitit, në Zvicër janë bërë 25441 kërkesa për azil, që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015 është për 36.2 për qind më pak.

Edhe gjatë nëntorit më së shumti azilkërkues u regjistruan nga Eritrea, 500 sish, ose 24 më shumë se në tetor. Pas tyre por me një distancë të madhe, vijnë azilkërkuesit nga Siria, me 166 kërkesa, ata nga Guinea, me 139 etj.