Gjuha

Konferencë për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) bashkë me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N. Frashëri” në Zvicër (LAPSH), organizojnë një Konferencë të përbashkët në Cyrih. Tema e kësaj konference që mbahet më 11 dhjetor, e dielë, do të jetë mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër me moton:

Shkolla shqipe në Diasporë mund të mbijetojë vetëm nëse ka mbështetje!

Me këtë rast, Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës u drejton një thirrje bashkatdhetarëve për pjesëmarrje

“Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) bashkë me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N. Frashëri” në Zvicër (LAPSH), organizojnë një Konferencë të përbashkët në Cyrih. Qëllimi kryesor i kësaj konference është krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet shoqatave dhe institucioneve përkatëse si dhe sensibilizimi i prindërve shqiptarë në Zvicër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe”, thuhet në hyrje të ftesës.

Për gjeneratat e reja të diasporës shqiptare në Zvicër një ndër sfidat e tyre është edhe vijimi i mësimit plotësuese në gjuhën shqipe. Shumica e fëmijëve mërgimtarë e flasin shqipen me vështirësi. Kjo ndodh për shkak të shumë faktorëve, një ndër ta është edhe mospërdorimi i gjuhës shqipe në rrethin ku jetojnë e veprojnë. Sa më shumë komunikim aq më shumë zhvillohet kompetenca e tyre në gjuhën shqipe. Dhe pikërisht në shkollën shqipe ata kanë mundësi të flasin, të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën shqipe si dhe të mësojnë për historinë kombëtare, gjeografinë e trojeve shqiptare, traditën dhe kulturën në përgjithësi.

Bazuar në përvojën e shumë pedagogëve shqiptarë në Zvicër dhe nga ekspertë të tjerë të kësaj fushe, konstatohet se përpos problemeve materiale, strukturore dhe organizative, një problem tjetër mbetet edhe informimi adekuat i prindërve dhe fëmijëve të tyre. Informimi i shpejtë dhe kompetent do të ishte një bazë e rëndësishme për vetëdijesimin e prindërve shqiptarë, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Në kuadër të kësaj konference do të mbahen referate të ekspertëve shqiptarë dhe zviceranë. Për ta diskutuar këtë tematikë shumë të rëndësishme për gjeneratat e reja, ju ftojmë që të merrni pjesë në këtë konferencë në mënyrë që bashkërisht ta çojmë më përpara këtë proces, i cili ka edhe karakter të rëndësishëm kombëtar.

Në fund të Konferencës do nxirren konkluzione për format e bashkëpunimit për të ardhmen.

Në këtë Konferencë janë të ftuar Departamenti i Arsimit i Kantonit të Cyrihut, Ministria e Diasporës dhe e Arsimit e Republikës së Kosovës si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në Zvicër, përfundon ftesa që Kuvendi i SHqiptarëve të Zvicrës u drejton bashkatdhetarëve për pjesëmarje në këtë konferencë.

Data:11.12.2016, Koha: 14:00-16:30,

Vendi: Schulhaus Aemtler A, (Aula), Bertastrasse 50, 8003 Zürich

Të bashkangjitur mund ta gjeni programin e Konferencës.

konferenca-lapsh

 

Të interesauarit, konfirmimin për pjesëmarrje në konferencë mund ta bëjnë në këto adresa elektronike dhe numra telefonash:

Avni Binaku email:[email protected] Mobil: 078 804 44 06

Nexhat Maloku email: [email protected] Mobil: 076 569 20 80