Lajme
Njohja e Ivo Andriçit letrar, por jo edhe e Ivo Andriçit diplomat e Edi Ramës*
Në vazhdën e shkarjeve të tij të njëpasnjëshme, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, bëri edhe një prej shkarjeve të tij më të rënda, kur në Nish të Serbisë, në takimin e tij me biznesmenë serbë, ua citoi atyre Ivo Andriçin, fituesin e Çmimit Nobel për letërsi, të cilën biznesmenët e pranishëm më shumë mund ta kenë njohur si diplomat të Jugosllavisë së parë, që përpilonte elaborate për ndarjen e Shqipërisë mes Jugosllavisë dhe Italisë, sesa ta kenë mësuar ndonjë citat me vlerë nga ai, siç ishte kujdesuar ta bënte këtë kryeministri shqiptar. E Edi Rama në Nish nuk ishte përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e as i Qendrës Kombëtare të Bizneseve, por kryeministër i Republikës së Shqipërisë. E në këtë funksion ai do të duhej ta njihte Ivo Andriçin e tij të preferuar më shumë si diplomat sesa si shkrimtar, sepse derisa Ivo Andriçi shkrimtar shqiptarët dhe boshnjakët myslimanë në veprat i tij i personifikonte si racë të ulët, Ivo Andriçi diplomat përpilonte elaborat për copëtimin e Shqipërisë mes Jugosllavisë dhe Italisë.
Ivo Andriçi, shkrimtari i preferuar i Edi Ramës, lakmonte Veriun e Shqipërisë jo vetëm për potencialet energjetike, për mundësinë e ndërtimit të rrugëve për depërtim në Adriatik, për fushat pjellore të Shkodrës, që do ushqenin Bokën e Kotorrit, por edhe për popullsinë e tij katolike, e cila, sipas Andriçit, nuk u shikuaka mirë nga shqiptarët myslimanë të Kosovës dhe e cila kështu, e bashkuar me Jugosllavinë dhe duke vazhduar dëbimin e shqiptarëve myslimanë në Turqi do humbiste përgjithmonë domethënien si etni në kuadër të Jugosllavisë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Edi Rama, nëse do të ishte dashur ta citonte, ta parafrazonte apo ta evokonte Ivo Andriçin, do të ishte dashur ta citonte, parafrazonte apo evokonte atë nën parashenjë negative dhe jo afirmative, duke ju bërë me dije biznesmenëve serbë se Shqipëria me potencialet e saj energjetike dhe turistike nuk është më ajo e imazheve të Ivo Andriçit, por është një vend sovran, që synon integrim në Bashkësinë Evropiane, ashtu siç synon edhe Serbia dhe vendet e tjera të rajonit përfshirë edhe Kosovën. Është dashur të theksohet edhe Kosova nga kryeministri i gjatë, por jo të madh të Shqipërisë, sepse nëpër rrugën e Kosovës, e jo të Serbisë, do të duhej të kalonin biznesmenët serbë në destinacionet e tyre investuese në Shqipëri. Por Edi Rama heshti Kosovën për të theksuar Andriçin, heshti realitetin dhe historinë për të theksuar letërsinë, sepse kështu shpresoi se duke i vënë maskë Andriçit do t’ju vente maskë edhe diplomacisë e edhe historisë. E biznesmenëve serbë më shumë se letërsia e Ivo Andriçit e diplomacia e tij do t’ju ketë interesuar siguria e investimeve të tyre të mundshme në Shqipëri përfshirë edhe sigurinë e tyre të udhëtimit nëpër Kosovë, e cila nuk arrihet duke injoruar dhe anashkaluar Kosovën as nga Vuçiçi e as nga Rama, por duke e konsideruar atë pjesë integrale të marrëveshjeve.
I zënë ngushtë nga prononcimet e tij mbi kandidatin për president të SHBA-ve, Donald Trump, Edi Rama mori pikërisht Kosovën dhe migrantët si mburojë për mbrojtje nga sulmet e opozitës. Pra, Kosovën, të cilën e heshti para biznesmenëve serbë për ta theksuar Andriçin, dhe migrantët, të tillë çfarë synonte t’i bënte Andriçi të gjithë shqiptarët nën administrimin e tij!
Për çudi opozita në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Ramën për prononcimet e tij ndaj Trump e quajti “fyçkë”, “të rrjedhur trush” etj., por s’e qortoi dot për citimin afirmativ të Ivo Andriçit – përpiluesit të elaboratit famëkeq të copëtimit të Shqipërisë.
Do të bënin mirë pozitë e opozitë në Shqipëri, që para vizitave në Serbi, të ndaleshin njëherë në Kosovë dhe nga koleget dhe kolegët e tyre të mësonin diç për marrëdhëniet serbo – shqiptare, jo pse ata janë shumë dijshëm në këtë fushë, por pse shumë prej tyre personifikojnë histori tragjike personale dhe familjare, që të bëjnë të rrëqethesh nga historia dhe nga diplomacia para se të magjepsesh nga letërsia… E një artist me diplomë po më nxit gjithnjë e më shpesh mornica me diplomacinë e tij – artisti Edi Rama!
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër Reshjet e para të borës në ultësira po shkaktojnë disa ndërprerje në qarkullim. Në Cyrih, Bernë...
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV