Lajme
Diaspora, rol thelbësor në ekzistencën shqiptare
Roli i diasporës u vlerësua i jashtëzakonshëm për ekzistëncën e Shqipërisë dhe për çlirimin e Kosovës. Kjo u tha në Samitin e Diasporës, i cili ka filluar punimet sot në Tiranë, ku po marrin pjesë rreth një mijë pjesëmarrës
Diaspora shqiptare ka luajtur rolin vendimtar për ekzistencën e Shqipërisë dhe veçanërisht për çlirimin e Kosovës. Kështu kanë deklaruar liderët institucionalë të Shqipërisë dhe të Kosovës në Samitin e Diasporës, i cili ka filluar punimet sot në kryeqytetin shqiptar-Tiranë. Në këtë Samit po marrin pjesë rreth një mijë pjesëmarrës të diasporës nga 40 shtete të botës.
Në hapjen e këtij samiti, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për ekzistencën e Shqipërisë.
“Ky është takimi i parë i shtegtarëve shqiptarë. Mbledhja juaj sot në këtë pallat, aq saç ishte e paimagjinueshme dikur është frymëzuese për qytetarët. Të shohim të gjithë së bashku se si mund të bashkojmë fuqinë e ëndrrave, ideve dhe parave”, ka thënë Rama, sipas të cilit, prania aq e madhe e diasporës tregon për rëndësinë që ka ky Samit.
“Ju jeni Shqipëria e përmbushur që ushqehet me rrënjët e asaj që quhet atdheu i shqiptarëve. Rrënjët janë të rëndësishme. Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar, si një territor me mijëra pjesë. T’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën nga 40 vende të botës është pak. Shqiptarët mund të arrijnë atë që dëshirojnë nëse bëhen bashkë”, ka thënë Rama.
Diaspora, sipas tij, duhet të shërbejë si një shkollë dijeje dhe jete, duke pasur parasysh suksesin e shqiptarëve në mërgim. Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe mungesën e kreut të shtetit, Bujar Nishani dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, duke kërkuar një lloj ndjese në rast paqartësish në ftesën drejtuar atyre.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati ndëkaq që vlerësoi rëndësinë e kontributit të diasporës shqiptare në mbarë botën. Në fjalën e tij, Bushati shprehu bindjen se ky samit do të çelë një kapitull të ri për shqiptarët kudo që ata jetojnë.
“Ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes institucioneve të shtetit dhe diasporës”, tha Bushati, i cili e cilësoi rolin e mërgatës shqiptare si të pazëvendësueshëm.
“Rolet e diasporës shqiptare në SHBA, në Europë dhe kudo kanë qenë të rëndësishme për Shqipërinë. As Shqipëria e as Kosova nuk do të ishin sot këtu ku janë pa diasporën”, theksoi Bushati, citon TCH.
Shefi i diplomacisë shqiptare e vuri theksin edhe tek nevoja për ngushtimin e hendekut mes shtetit dhe diasporës, që sipas tij do të sheshojë paragjykimet që palët mund të kenë ndaj njëra-tjetrës.
“Ka ardhur koha të ndërtojmë një partneritet të qëndrueshëm me diasporën, të përfshijmë diasporën në zhvillimin ekonomik. Por partneriteti duhet të bazohet mbi solidaritetin njerëzor. Nga një marrëdhënie kur diaspora priste nga shteti ose shteti nga diaspora duhet të kalohet në një marrëdhënie ndërvepruese”, shtoi Bushati.
Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi një iniciativë të jashtëzakonshme bashkimin e diasporës shqiptare në Tiranë.
“Qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare, deri te shpallja e pavarësisë, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, u shpreh Thaçi, sipas të cilit, diaspora sot ka nevojë për një riorganizim në mënyrë që të shndërrohet në një burim të zhvillimit social dhe ekonomik.
“Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, tani të shndërrohet në partner të zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona”, tha Thaçi.
Po ashtu Thaç tha se përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës ishin gjithmonë të mbështetura nga diaspora, si përmes lobimit politik në qendrat vendimmarrëse botërore, po ashtu edhe me përkrahjen financiare, logjistike dhe njerëzore që kulmoi në përkrahjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë samit, presidenti ka kujtuar Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën, Enver Hadrin, Agim Ramadanin e qindra dëshmorë që kanë rënë në përpjekjet për çlirim. Më tej ai ka theksuar se në ditët e sotme, roli i diasporës ka ndryshuar. Sipas tij, nga përkrahëse e luftës për liri e demokraci, diaspora është shndërruar në burim të stabilitetit socio-ekonomik.
“Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, të shndërrohet në partner i zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona”, ka thënë ai.
Presidenti ka theksuar se vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe burrat tanë në diasporë sot janë të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga arti, kultura, muzika, sporti e deri te jeta akademike dhe profesionale, politika dhe biznesi.
“Dhe, duke qenë njerëz punëtorë e të ndershëm, ata janë ambasadorët më të mirë të kombit dhe atdheut të tyre. Sot, diaspora shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për një riorganizim të saj, ndërsa shtetet tona kanë nevojë për të krijuar infrastrukturë sa më të mirë dhe për të qenë partner i përhershëm i bashkatdhetarëve tanë”, ka shtuar ai.
Presidenti ka thënë se si dy shtete kemi obligim që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës sonë dhe t’u shtrijmë atyre dorën e ngrohtë të shteteve tona.
Sipas tij, ekziston nevoja që diaspora të jetë edhe më shumë e përfshirë në jetën institucionale të vendit.
“Prandaj, në këtë frymë, në kuadër të punës për reformën zgjedhore, do ta trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën”, ka paralajmëruar presidenti.
Thaçi ka thënë se nën modelin e bashkëpunimit të shkëlqyer të organizimit të takimeve në mes të dy qeverive, samitin e ardhshëm të diasporës do ta organizojmë ne Prishtinë.
E-Diaspora
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim Gjykata e Qarkut në Dielsdorf, kantoni i Cyrihut, ka shpallur fajtorë një shtetas nga Kosova dhe...
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
-
Ka plagosur rëndë shokun e tij, Gjykata Kantonale konfirmon fajësinë e kosovarit
-
Shqiptarja që hapi një kompani ndërtimi në Zvicër, shumica e punëtorëve janë shqiptarë
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe BE arrijnë marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme dypalëshe Pas 197 takimeve, negociatat midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian për të përditësuar marrëdhëniet e tyre tregtare...
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
-
Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër në muajin janar të 2025-ës
-
Kreu i ushtrisë zvicerane viziton trupat në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë