Shkurt.ch

Vazhdon ndjekja e kriminelit të arratisur nga Gorgier

Policia porosit qytetarët që nëse e shohin duhet të alarmojnë policinë dhe assesi të mos bëjnë përpjekje për ta ndaluar

Po vazhdon me intensitet të pazvogëluar fushata për kërkimin e të arratisurit të rrezikshëm nga burgu në Gorgier të Neushatelit. Ai ka shfrytëzuar shetitjen me leje, në përcjellje të dy kujdestarëve, për të ikur nga vetura, pasi ka kërcënuar dhe ka lënduar njërin nga kujdestarët.

Në gjithë regjionin e gjerë të Zvicrës perëndimore policia është duke e kërkuar 64 vjeçarin i cili po mbante dënimin për vrasje dhe për dhunim seksual.

Policia e kantonit Vaud ka porositur qytetarët që nëse e shohin ose kanë indikacione për të, duhet të alarmojnë policinë dhe që assesi të mos bëjnë përpjekje për ta ndaluar.

Nga ana tjetër, autoritetet kompetente të kantonit kanë shpallur fillimin e procedurës për ndriçimin e rrethanave të arratisjes së të burgosurit nga burgu në Gorgier.

Në këtë kontekst do të shqyrtohet edhe përgjegjësia e dy kujdestarëve të cilët, sipas dëshmitarëve, nuk kanë ndërmarrë asgjë për të penguar ikjen e njeriut të cilin e kishin nën mbikëqyrje.