Lajme

“Pa rolin prijës të SHBA-së, bota po bëhet më e rrezikshme”

"Do të ishte joreale të besohet se SHBA-ja do ta mbronte Evropën edhe në dhjetë vitet e ardhshme ashtu siç e bën këtë sot apo ashtu siç e ka bërë para dhjetë vitesh. Populli amerikan nuk do të lejojë që SHBA edhe më tej të bartë barrën kryesore të mbrojtjes së Evropës"

Eksperti për çështje ushtarake, Robert D. Kaplan, pret fillimin e një rendi të ri – pa një polic botëror. Këtë, Kaplan  e thotë për gazetën “NZZ am Sonntag” në dritën e zgjedhjes së Donald Trump-it president të SHBA-së. albinfo.ch e ka përkthyer intervistën, e cila, ndonëse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ka të bëjë shumë edhe me Kosovën dhe me Ballkanin

 «Fundi i botës» është titulli i një shkrimi të faqes kryesore të magazinës gjermane «Der Spiegel» të kësaj jave. Shumë prej liberalëve dhe demokratëve duken në një disponim të zymtë. A është vërtet kaq keq?

Jo, nuk besoj se është fundi i botës. Unë besoj shumë më tepër se është fillimi i një procesi, që na fut në një epokë të re të historisë. Presidenti Donald Trump është në këtë epokë, një, si të themi, kapitull i ri. Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, faza pas Luftës së Ftohtë ishin kohët e ndikimit të madh amerikan në Evropë. Do të ishte joreale të besohet se SHBA-ja do ta mbronte Evropën edhe në dhjetë vitet e ardhshme ashtu siç e bën këtë sot apo ashtu siç e ka bërë para dhjetë vitesh. Populli amerikan nuk do të lejojë që SHBA edhe më tej të bartë barrën kryesore të mbrojtjes së Evropës.

Shikuar nga kjo perspektivë,  fitorja e Trump-it duket pothuajse logjike. Ai ka kritikuar vazhdimisht se pse SHBA-ja si forcë e rendit botëror duhet të bartë shpenzime të larta dhe ka premtuar se do ta ndryshojë këtë.

Zgjedhjet në Amerikë sjellin shpesh të papritura, politikanë të rinj dhe ndryshime. Po qe se shikohet zgjedhja në kontekst historik, zgjedhja e Trump-it nuk del krejt e befasishme.

A mund ta përfundojë apo ta dobësojë Trump angazhimin e SHBA-së në Evropë nga sot nesër, siç e ka theksuar ai vetë?

Jo, ky do të jetë një proces i gjatë. Nuk është si ta shkyçësh një ndërprerës. Unë besoj se administrata Trump do të jetë më pak radikale sesa lë për të supozuar fushata e tij retorike. Trump-i, ashtu si edhe të gjithë presidentët amerikanë deri më tash, do të karakterizohet nga ata që zgjedh në postet kryesore. Dhe gjasat janë që ai të emërojë në politikë të jashtme republikanë tradicionalë për të cilët partneriteti transatlantik është i rëndësishëm.

Si do të duket bota e re?

Bota do të jetë më e rrezikshme, më kaotike, sepse amerikanët do të angazhojnë gjithnjë e më pak forcë për ta stabilizuar atë. Natyrisht se bota edhe me Amerikën si fuqi rregulluese nuk ishte stabile, por ajo ishte më stabile sesa nën kushte të tjera. Përpiquni ta merrni me mend ta paramendoni një botë pa 300 anijet luftarake amerikane, pa armatën e SHBA-së, që nuk mbështet NATO-n, pa flotën e shtatë në Paqësor, që mbron Korenë e Jugut. Anijet luftarake do të jenë edhe me Trump-in aty, por vullneti dhe aftësia e SHBA-së për të vendosur rend në botë do të bie.

Çka do të ndodhë me NATO-n po që se amerikanët tërhiqen ngadalë?

Rreziku rus do të mbetet edhe më tej. Vendet evropiane do të armatosen. Disa prej tyre e bëjnë këtë edhe sot. Buxhetet ushtarake do të shtohen – edhe për t’i treguar Uashingtonit  se“Ne po e bëjmë pjesën tonë”. Trump-i akuzoi pa të drejtë evropianët se ata nuk investojnë sa duhet për forcat e armatosura të NATO-s.

Çka do të ndodhte, në mënyrë krejt teorike, po qe se rusët do t’i sulmonin sot shtetet baltike?

Presidenti Obama tërhoqi  më 2012 7000 ushtarë nga Evropa. Kjo ndodhi pas invadimit të rusëve në Gjeorgji.  Për Vladimir Putin-in ky ishte një sinjal: amerikanët janë në fazën e tërheqjes. Tashmë ai ka më shumë hapësirë. Tek shtetet baltike duhet të dallojmë Lituaninë nga pjesa tjetër. Lituania nuk mund të rrokulliset aq lehtë. Ajo është shumë e madhe dhe shumë afër Polonisë. Invadimi i Polonisë do të shkaktonte një luftë më të madhe. Por Estonia dhe Lituania janë të prekshme. Rusët mund të futen aty dhe të presin derisa Perëndimi të bëjë që të eskalojë e tëra. Një rrezik i tillë ekziston që sot.

Çka do të bënte Trump-i në rast të një sulmi rus?

Është krejt e mundur që Trump-i do të na befasonte. Këtë e bëjnë shpesh presidentët e rinj. Trump-i do të mund ta fuqizonte angazhimin amerikan në Evropë.

Por për këtë nuk ka bazë. Trump-i përfaqëson qe sa vite një politikë të jashtme izoluese

Edhe njëherë: Donald Trump është një kapitull i ri. Nuk do të ketë kthesë nga “bota është ok” në “ është fundi i botës”. Ne do të shkëputemi ngadalë nga aleancat e Luftës se Dytë Botërore dhe të fazave të mëvonshme.

Çka do të thotë kjo?  Çka do të ndodhë për shembull në Lindjen e Afërt?

Rusët në Siri kanë krijuar një gjendje faktike, që i kufizon shumë opsionet e SHBA-së, pavarësisht nga ajo se kush është president. Plani i rusëve ishte që regjimi sirian ta fusë në dorë Aleppo-n para se të zgjidhej kryetari i ri i SHBA-ve. As Hillary Clinton nuk do të mund të ndryshonte shumë sot. Është e qartë se me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ketë plane për rrëzimin e Bashar al- Asad. Fokusi do të vendoset në luftimin e shtetit islamik

Për momentin ka spekulime se luftimin e IS-is Trump-i do t`ua lë rusëve dhe ai do ta vazhdojë angazhimin në NATO?

Unë po ju them cili është mendimi im: Ne për momentin na duhen më shumë e jo më pak trupa amerikane në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore. Vetëm kështu mund të bëjmë marrëveshje të favorshme për Perëndimin me Putin-in.

Ju flisni për “Perëndimin”. Shumë analistë druajnë se me Trump-in në postin e presidentit nuk do të ketë më “Perëndim”

Kur ne flasim për “Perëndimin” kemi menduar gjithmonë për një lidhje të fortë psikologjike të SHBA-së, Evropës dhe demokracive të tjera si Japonia. Nëse SHBA-ja është gjithnjë e më pak e vullnetshme për ta mbrojtur Evropën, ideja e “Perëndimit” do të dobësohet. Kjo është e saktë.

A do të mund ta merrte ndonjë vend tjetër rolin e policit botëror?

Jo. Secili ka kritikuar vazhdimisht SHBA-në. Por nuk ka alternativë. Vetëm amerikanët mund të mbajnë  300 anije luftarake në det dhe të sigurojnë rrugët detare mes porteve të mëdha detare si dhe qasjen në burimet e naftës dhe të gazit. Kjo është bërë e mundur tek me  globalizimin. Kinezët nuk do ta marrin këtë rol, Kombet e Bashkuara po ashtu jo. Është absurde vetëm të mendohet kjo.

SHBA-ja krijoi rrugë të lirë për tregtinë globale. Por Trump-i paralajmëroi ngritje masive të taksave doganore për prodhimet kineze. Kjo do të mund të çonte drejt një lufte tregtare.

Kjo është e mundur, por nuk do të ishte në interesin e SHBA-së. Tregtia e lirë është më e mirë se opsionet tjera. Unë  besoj se Trump pozicionet më të rëndësishme në administratën e tij do t’i mbulojë me njerëz nga Wall Street. Këtë e bëjnë gjithnjë presidentët republikanë. Këta njerëz vështirë se do t’i preferonin atij të nisë një luftë tregtare.

Ju shpresoni se ai edhe këtu do të heqë dorë nga retorika e tij zgjedhore?

Po. Ai me siguri se nuk do ta bëjë të kundërtën e asaj që ka premtuar në fushatë, por premtimet do t’i sendërtojë në formë të zbutur. Po qe se Trump nuk do të disiplinohet dhe do të thotë gjëra, që i nevrikosin tregjet financiare, shtohet rreziku i një recesioni. Unë nuk shumë shpresë, por shpresën për postin presidencial të Trump-it nuk e kam humbur ende.

Robert D. Kaplan, 64 vjeçar, është analist politik dhe autor i shumë librave. Qe disa vite Kaplan ka ndikim në bartësit amerikanë të  marrjes së vendimeve. Qe disa vite ai shoqëron trupat e SHBA-së për në Irak, në Afganistan, në Kolumbi, Etiopi. Raportet e tij tregojnë se si funksionoi perandoria amerikane dhe si u kujdes ajo për stabilitet në botën e globalizuar.

 

Përkthimi për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri