Shkurt.ch

Sërish iniciativë për dëbimin e të huajve?

Në rast se propozimi i grupit punues do të kalojë, kjo parti kërcënon me një iniciativë të re për dëbimin e të huajve kriminelë

Ende pa u mbushur as një vit nga votimi me shumicë i iniciativës së SVP (UDC) për dëbimin e të huajve kriminelë, kjo parti po shqyrton mundësinë e një iniciative të re me të njëjtin qëllim. Ajo po mendon ta bëjë këtë pasi që, sipas saj, grupi punues i krijuar për jetësimin e iniciativës po e relativizon atë dhe po e devijon.

Anëtarët nga SVP nuk janë pajtuar me raportin që kanë përpiluar shumica e anëtarëve të grupit të cilin do t`ia dorëzojnë javën që vjen ministres së drejtësisë, Simonetta Sommaruga.

Sipas një hulumtimi që ka bërë gazeta “Sonntags Zeitung”, propozimi i grupit punues, të cilin nuk e ka pranuar SVP në të vërtetë është më i afërt me përmbajtjen e kundëriniciativës, e cila pati shënuar humbje të ngushtë në votimin e bërë vitin e kaluar.

Propozimi pra parasheh se duhet të dëbohen të huajt që janë dënuar me burg gjashtë muaj e më gjatë. Ndërkaq, mekanizmi për dëbimin automatik, në këtë propozim është relativizuiar në disa pika. Ndër të tjera, nuk do të zbatohet dëbimi nëse ai e shkel në mënyrë të padyshimtë të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkaq SVP është pikërisht kundër këtyre kufizimeve. Për këtë arsye, në rast se propozimi i mbështetur nga shumica e grupit punues do të kalojë, kryetari i SVP Toni Brunner ka kërcënuar për nisjen e një iniciative të re për dëbimin e të huajve kriminelë.