Shkurt.ch

Kush merr ndihma sociale, nuk bën të ketë veturë

Që përfituesve të ndihmës sociale tu ndalohet pasja e veturës ka votuar një shumicë e ngushtë në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Në kantonin e Cyrihut njerëzit që jetojnë nga ndihmat sociale tash e tutje nuk do të kenë të drejtë të kenë veturë në pronësi. Veç kësaj, ata nuk do të kenë të drejtë as të marrin me qira veturën, të blejnë ose t`ia japin atë në shfrytëzim të tjerëve.

Kërkesa për t`ua ndaluar përfituesve të ndihmave sociale posedimin e veturave është ngritur nga SVP (Partia Popullore e Zvicrës) në Parlamentin e kantonit të Cyrihut në seancën e mbajtur të hënën.  Për kërkesën kanë votuar 86 dhe kundër saj 84 deputetë.

Ajo do t`i dërgohet qeverisë së kantonit për të sjellë vendimin përkatës.

SVP/UDC përmes këtij postulati synon të pengojë keqpërdorimin e parave të ndihmave sociale, është deklaruar kjo parti. Megjithatë, edhe sipas kërkesës së saj, lejohen përjashtime të caktuara, si në rastet kur vetura është e domosdoshme për shkaqe shëndetësore ose për të realizuar të ardhura.