Shkurt.ch

Zvicra ndihmon Kaçanikun

Qeveria zvicerane është përcaktuar për ta ndihmuar Kaçanikun për shtim të hyrash nga tatimi në pronë.

“Ka nisur së zbatuari projekti për regjistrimin e pronave të paregjistruara në territorin e Komunës së Kaçanikut”, ka theksuar Hajrush Dullovi, zëdhënës i Komunës të Kaçanikut, të shtunën .

Ai ka thënë se projekti është duke u financuar nga programi LOGOS i Qeverisë zvicerane për mbështetjen e qeverisjes lokale dhe decentralizimit në Kosovë. “Personat e aftësuar për regjistrim pronash kanë nisur punën në terren”, ka nënvizuar zëdhënësi Dullovi.

Pohimet e tij i ka konfirmuar Rexhep Luma, njëri nga 5 anëtarët e ekipit të aftësuar për regjistrimin e objekteve që nuk figurojnë në bazën e të dhënave të Zyrës së Përhershme të Tatimit në Pronë.

“Më 15 qershor kemi nisur me punë në terren, ndërsa paraprakisht i jemi nënshtruar aftësimit 2-javor edhe për përdorimin e teknikës së avancuar GPRS për regjistrim objektesh”, ka theksuar Luma. Ai dhe 4 kolegët e tij ishin kontraktuar nga LOGOS-i për 5 muaj.

Ndërkaq, zyrtarë përgjegjës komunalë kanë deklaruar se projekti i sipërpërmendur do ta ndihmojë Komunën e Kaçanikut në shtimin e të hyrave buxhetore nga tatimi në pronë.