Shkurt.ch

Masa më të buta për riatdhesimin e nigerianëve

Riatdhesimet do të bëhen me më pak masa shtrënguese se më parë. Të riatdhesuarve do tu lidhen vetëm duart dhe jo i gjithë trupi

Sipas njoftimeve të emisionit “10vor10” të SF1, nga fillimi i korrikut do të rinisin riatdhesimet kolektive me aeroplan të refugjatëve nigerianë në atdheun e tyre. Që nga marsi i vitit të kaluar, kur një refugjat nigerian që do të riatdhesohej, vdiq në aeroportin e Cyrihut, qenë ndërprerë këto fluturime.

Ndërkohë, në bazë të një marrëveshjeje me Nigerinë, raste individuale të refugjatëve të vendit në fjalë janë kthyer në Nigeri përmes linjave normale të aeroplanëve.

Sipas Entit Federal për Migracion (BFM), riatdhesimet e reja do të bëhen me më pak masa shtrënguese se më parë. Kështu, refugjatëve që do të kthehen,  do tu lidhen vetëm duart dhe jo edhe i gjithë trupi, siç praktikohej më parë.

Disa përfaqësues kantonesh kanë shprehur skepticizëm lidhur me këtë zbutje masash, por BFM ka pohuar se tashmë nga janari, disa nigerianë janë riatdhesuar vetëm me duar të lidhura dhe nuk kanë bërë ndonjë rezistencë.

Kjo ka ndodhur edhe si rezultat i sugjerimit që u kanë bërë autoritetet e Nigerisë shtetasve të tyre që të tregojnë më shumë kooperativitet me autoritetet zvicerane.