Zhvillim

Emocioni për “vëllazërinë” turke

Thaçi i referohej si ‘vëlla’ homologut turk Rexhep Taip Erdogan kurse Edi Ramën, kryeministrin aktual të Shqipërisë ai e quante mik. Megjithatë, këto raporte thonë ekspertët, më nuk janë si më parë.

 

Nëse rikthehemi në një takim të vitit 2013 në mes tre zyrtarëve të lartë të shtetit turk si dhe dy kryeministrave të atëhershëm – Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, emocionet kishin “thyer” protokolet. Thaçi i referohej si ‘vëlla’ homologut turk Rexhep Taip Erdogan kurse Edi Ramën, kryeministrin aktual të Shqipërisë ai e quante mik.

Megjithatë, këto raporte thonë ekspertët, më nuk janë si më parë.

“Kohëve të fundit ato po zhvillohen pak si më me rezervë, ndoshta pse Turqia nuk është më fuqia ekonomike që ka qenë dhe ka shumë probleme të brendshme dhe të jashtme, për  zgjidhjen e tyre hiq nuk i duhet Kosova, e as politikanët e saj”, thotë për albinfo.ch Ibrahim Rexhepi, ekspert për ekonomi.

Edhe Liridon Lika, studiues i prezencës turke në Ballkanin perëndimor flet për ‘ftohje’ të këtyre raporteve. “Jo vetëm pas grusht shtetit në Turqi, por ka disa vite që jo vetëm liderët politikë shqiptarë në Ballkan, por edhe liderët e Bashkimit Evropian si dhe ata të shteteve anëtare të fuqishme, sikurse Gjermania dhe Austria, kanë kuptuar qartë qëllimin e politikës turke ndaj rajonit tonë. Prandaj, nuk është e rastësishme që me nismën e kancelares gjermane, Angela Merkel, në gusht të vitit 2014 ka filluar Procesi i Berlinit i cili ka për qëllim që t’i mbështes, politikisht dhe ekonomikisht, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë) në rrugën e anëtarësimit europian”, ka thënë Lika. Në këtë mënyrë, sipas tij, evropianët po bëjnë përpjekje që ndikimet e jashtme sikurse të Turqisë, Rusisë, Kinës apo ato të vendeve arabe të biejnë në Ballkanin Perëndimor.

Sinjal Turqisë nga BE-ja se Ballkani është evropian

“Pra, konferenca e Berlinit (2014), samiti i Vjenës (2015) dhe i Parisit (2016) janë tregues të qartë që liderët evropianë po punojnë intensivisht në përafrimin e vendeve të Ballkanit ndërmjet tyre si dhe me Bashkimin europian. Në këto takime të rëndësishme ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Turqia nuk ishte e ftuar të marrë pjesë edhe pse ka disa vite që ajo është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian”, është shprehur për albinfo.ch studiuesi Lika.

Prandaj, ai ka thënë se me këtë gjest i është përçuar një sinjal i fortë Turqisë, Rusisë, Kinës apo edhe vendeve arabe, që vendet e Ballkanit Perëndimor janë evropiane dhe do të anëtarësohen në BE.

Ndërkaq, para zgjedhjeve të fundit në Turqi edhe lidershsipi kosovar ka qenë i izoluar nga bota perëndimore, kryesisht për shkak se “ata kanë mbytur shtetin e Kosovës”, apo kanë zhvilluar një shtet jofunksional, me demokraci deklarative, ku nuk funksionon ligji, e ku udhëheq mafia e korrupsioni.

Liderët kosovarë, inferiorë ndaj politikanëve turq

“Nga ana tjetër Turqia ka pasur një ekspansion në rajon, që do të thotë se edhe në Kosovë. Për më keq, liderët kosovarë kanë qenë tejet inferiorë në raport me politikanët turq. Madje, them, se ndoshta edhe tash iu mungon prania më e shpeshtë  e ‘vëllezërve’ të tyre nga Turqia”, thotë Ibrahim Rexhepi.

Por, i pari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shprehet se në ekonomi duhet të eliminohen emocionet. “Nuk jetohet nga ajo që kinse jemi vëllezër. Por, ekonomia duhet të jetë ajo që i ofron edhe popujt e ndarë e jo ata që nuk kanë probleme politike”, thotë ai.  

Edhe eksperti për ekonomi Ibrahim Rexhepi, thotë se nganjëherë liderët e shtetit turk, kanë shkuar edhe më larg se ajo që quhet përkrahje politike. “Kanë manifestuar edhe qasje tjetër – që mund të jetë edhe paternaliste, për të cilën Kosova nuk ka nevojë”, thotë ai.

Publicisti Gani Mehmetaj shprehet se pasojë e këtyre lidhjeve janë ndërtimet e xhamive që nuk ishin të nevojshme. “Sepse kishim faltore myslimane më shumë se kushdo në Ballkan. Pasojë e këtyre lidhjeve është arroganca e TIKA-s (organizatë qeveritare turke), sepse në shtetet normale organizata të tilla do të dëboheshin me të filluar rrënimin e kulturës së vendësve”, insiston Mehmetaj, duke u thirrë në veprimet që së fundi bëri kjo organizatë në Prishtinë kur pas renovimeve në një shkollë fillore vendosi orët me flamuj turq në klasë, duke zëvendësuar me to fotografinë e Skënderbeut.

(Nesër: “Perandoria” turke dhe interesat ekonomike në Kosovë )