Shkurt.ch

Pensionet, edhe jashtë vendit si në Zvicër

Shpenzimet dhe angazhimi administrativ do të kushtonin më tepër se sa kursimet që me atë rast synohej të realizoheshin

Pensionet e invaliditetit që u paguhen pensionistëve të cilët qëndrojnë jashtë vendit do të paguhen edhe më tej me shumën e njëjtë, sikur ato në Zvicër.

Këto pensione, pra, nuk do t`i përshtaten fuqisë blerëse në vendet përkatëse, siç kishte kërkuar SVP përmes një iniciative parlamentare në dhomën e kantoneve. Kjo dhomë ka hedhur përfundimisht poshtë këtë nismë, me 18 vota kundër dhe 7 pro, shkruan drs.ch.

Sipas sqarimit të refuzuesve, shpenzimet dhe angazhimi administrativ që do të duhej të ndërmerreshin, do të kushtonin më tepër se sa kursimet që me atë rast synohej të realizoheshin. Po ashtu në atë rast do të duhej të negocioheshin sërish marrëveshjet bilaterale të sigurimeve shoqërore me shtetet përkatëse. 

Veç kësaj, me atë rast do të dëmtoheshin edhe zviceranët me qëndrim jashtë. Pensionet e tyre do t`u përshtateshin çmimeve të tregut të vendeve ku ata jetojnë dhe kjo do t`i detyronte ata të ktheheshin në Zvicër. Këtu ata do të kërkonin pastaj edhe të ardhurat plotësuese (për të cilat kanë të drejtë ata që qëndrojnë në Zvicër) ose edhe ndihmat sociale.

Ky votim nuk ka të bëjë me pensionet e invaliditetit të shtetasve kosovarë, dërgimi i të cilave në Kosovë qe ndërprerë para një viti.