Shkurt.ch

Bashkim Berishës nuk i zbritet dënimi

Ai kishte bërë ankesë në Gjykatën Federale në Lozanë duke kërkuar që masa e dënimit t`i zbritej nga 14 vjet në 10 vjet e dhjetë muaj

Nuk i zbritet dënimi me 14 vjet burg, i shqiptuar dy vite më parë Bashkim Berishës për vrasjen e një shqiptari tjetër në vitin 2005. Bashkim Berisha ka qenë kampion botëror në Thaibox dhe ka qenë i dënuar edhe më parë për vepra të ndryshme penale.

Ai kishte bërë ankesë në Gjykatën Federale në Lozanë duke kërkuar që masa e dënimit t`i zbritej nga 14 vjet në 10 vjet e dhjetë muaj. Gjykata në fjalë, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër, e ka hedhur poshtë ankesën si të pabazë.

Berisha ankesën e tij e kishte mbështetur në faktin se sipas tij, paragjykimi që i është bërë atij nga mediet pa të drejtë nuk është marrë në konsideratë si masë lehtësuese. Mediet, duke paragjykuar veprën, e kanë quajtur atë në vazhdimësi “vrasësi nga parkingu”, në vend se të përdorin shprehjen e pranueshme “i dyshuari” për vrasje.

Në përgjigjen e Gjykatës Federale thuhet se Berisha është bërë i njohur për publikun, si sportist dhe bazuar në filmin dokumentar mbi jetën e tij. Kjo është arsyeja e interesimit të shtuar të opinionit për procesin e tij.

Por nuk është dëshmuar se mediet e kanë paragjykuar atë. Është e vërtetë se ai është cilësuar në medie si “vrasësi nga parkingu” dhe i është publikuar edhe emri, vazhdon arsyetimi i vendimit të gjykatës. Por, në asnjë mënyrë me këtë rast raportimet e medieve nuk kanë dalë jashtë temës dhe nuk kanë shkelur parimin e njohur të prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, mediet nuk e kanë anashkaluar as qëndrimin nga pikëpamja e tij.

Gjykata Federale i jep të drejtë gjykatës së lartë të Cyrihut që i ka shqiptuar masën e dënimit prej 14 vitesh burg Bashkim Berishës. Sipas saj, Berisha me ikjen e tij dhe qëndrimin në Kosovë, pas vrasjes, ka shkaktuar vetë zgjatjen e dënimit të tij.