Zhvillim
Mërgimtari nga Zvicra e bën Shalën me fshat turistik
Investuesi i këtij kompleksi turistik, Femzi Braha ka thënë se lidhja shpirtërore që ka me rajonin e Shalës dhe me Kosovën, e ka shtyrë ta bëjë këtë investim
Malet e Shalës tani e tutje do të jenë destinacion çlodhjeje për banorët e komunave përreth këtyre maleve. Kjo, pasi bashkatdhetari nga Zvicra, Femzi Braha përmes investimit që ka bërë në vendlindjen e tij e ka bërë Skromën me “fshat turistik. Nga 15 gushti kompleksi “Fshati turistik Skroma” është i hapur për vizitorë. Kështu, vetëm 10 kilometra nga qyteti i Vushtrrisë mund të vizitohet ky kompleks turistik, ku përveç ushqimit tradicional dhe bio, vizitorin e presin edhe bukuritë natyrore të Maleve të Shalës.
Investuesi i këtij kompleksi turistik, Femzi Braha ka thënë se lidhja shpirtërore që ka me rajonin e Shalës e ka shtyrë ta bëjë këtë investim.
“Afërsia shpirtërore që kam me vendlindjen time më ka motivuar të investoj këtu. Shala e Bajgorës ka qenë e anashkaluar si nga pushteti ashtu edhe nga investimet private sidomos në fushën e turizmit, prandaj kam gjetur forcën që të ndërtoj këtë kompleks”, është shprehur Braha.
Ai më tej ka bërë të ditur se planifikon që të vazhdojë investimet në fshatin Skromë. Braha ka thënë se brenda tri viteve planifikon t’i ndërtojë edhe disa anekse të këtij kompleksi turistik, duke përfshirë një amfiteatër të hapur, bujtinat, fushën e tenisit, zonën e fitnesit natyral, serra dhe stalla të kafshëve.
- Për pak minuta, nga Vushtrria në Skromë
Edhe pse “Fshati turistik Skroma” është hapur vetëm para pak ditësh, Braha thotë se është shumë i kënaqur me numrin e vizitorëve gjatë këtyre ditëve. “Më 15 gusht është hapur dhe deri më tani jemi shumë të kënaqur me fluksin e vizitorëve, madje jemi të befasuar. Fluksi i vizitorëve po rritet sidomos në fundjavë. Besoj që edhe mysafirët janë të kënaqur, pasi ambienti është shumë i këndshëm, ajri i pastër, natyra e bukur, ushqimi është bio. Ajo që vlen të theksohet është se kemi ushqim tradicional”, ka shtuar Braha duke thënë se tani banorët e komunave për rreth nuk kanë nevojë të humbin disa orë për të shkuar në vendet malore që janë më larg, pasi sipas tij për pak minuta mund të shkojnë fshatin Skromë dhe të shohin bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shalës.
Ramadan Halili qytetar nga Vushtrria, i cili e ka vizituar “Fshatin Turistik Skroma” ka thënë se ky është një investim i shumë i mirë, pasi sipas tij, Komuna e Vushtrrisë ka pasur nevojë për një ambient të tillë. “Ky është një investim i duhur, pasi deri më tani Vushtrrisë i kanë munguar ambiente të tilla, i kanë munguar restorantet e tilla në zonat malore. Ia vlen të vizitohet pasi është vetëm 10 kilometra larg nga qyteti dhe rruga është e asfaltuar. Ndërsa këtu përveç ushqimit të mirë, natyra është shumë e bukur. Është ambient çlodhës”, ka potencuar Halili.
Këshilltari politik në Ministrinë e Diasporës, Agim Kuleta ka thënë se duhet pranuar që në Kosovë ende nuk është vendosur përfundimisht në binarë një strategji e qartë për tërheqje të investimeve nga diaspora. Sipas tij ende ka zbrazëtira për t’u plotësuar duke u nisur nga sistemi i arsimit i cili vazhdon të mbetet jokompatibil me nevojat e tregut të punës, e deri te përcaktimi i plotë e i qartë i orientimeve zhvillimore në bazë të të cilave do të ofroheshin programe të detajuara zhvillimore.
- Askush nuk është më i predispozuar për të investuar në Kosovë se sa bashkatdhetarët tanë
“Megjithatë, përkundër kësaj, numri i investitorëve nga diaspora është mjaft i madh, edhe pse përcaktimi i saktë i numrit të tyre është i vështirë duke qenë se mungon një bazë e të dhënave e cila do t’i filtronte këta investitorë nga ata të huaj. Pra, në bazën e të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, figurojnë vetëm investimet e huaja, ku përfshihen edhe ato të diasporës sonë. Në këtë drejtim jemi duke punuar me këtë ministri që në të ardhmen të bëhet një filtrim i investimeve të huaja, në mënyrë që të evidentohen si të veçanta ato të diasporës”, ka theksuar Kuleta, duke thënë gjithashtu se një pjesë e investimeve bëhet përmes njerëzve që jetojnë këtu dhe figurojnë si biznese vendore.
Më tej, Kuleta ka thënë se një prej nevojave të mëdha të ekonomisë së Kosovës është infuzioni financiar i shprehur në formë të investimeve nga jashtë.
“Kur bëhet fjalë për investime nga jashtë, nuk ka asnjë investitor më të predispozuar për të investuar në Kosovë se sa bashkatdhetarët tanë. Përparësia e investitorëve nga diaspora jonë në krahasim me investitorët e huaj qëndron në raportet e ngushta që ata vazhdojnë t’i kenë me vendin, mundësia që të kenë informatat më shpejtë dhe më lehtë, njohja e ambientit, lidhja emocionale si dhe vullneti i tyre për ta ndihmuar vendin e vet”, ka shtuara Kuleta.
Sipas tij këto janë arsye të mjaftueshme edhe Qeverinë e Kosovës që diasporën tonë ta trajtojmë si komunitet biznesi me prioritet në aspektin e investimeve na jashtë.
Investimet e diasporës të veçohen nga “investimet e jashtme”
“Numri i investitorëve nga diaspora është mjaft i madh, edhe pse përcaktimi i saktë i numrit të tyre është i vështirë duke qenë se mungon një bazë e të dhënave e cila do t’i filtronte këta investitorë nga ata të huaj. Pra, në bazën e të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, figurojnë vetëm investimet e huaja, ku përfshihen edhe ato të diasporës sonë. Në këtë drejtim jemi duke punuar me këtë ministri që në të ardhmen të bëhet një filtrim i investimeve të huaja, në mënyrë që të evidentohen si të veçanta ato të diasporës”, ka theksuar këshilltari në Ministrinë e Diasporës, Agim Kuleta
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor