Integrimi

“Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës”, synon rolin e një lobi shqiptar

Themelimi i një lobi të komunitetit shqiptar në Zvicër ka qenë qëllimi i proklamuar i kuvendit të mbajtur të dielën, më 29 maj, në Bernë

“Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës”, quhet subjekti i ri, i themeluar të dielën në Bernë, i cili synon të përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Zvicrës para institucioneve zvicerane dhe atyre të vendeve të prejardhjes. Mbështetja nga institucionet e përmendura, të të dyja anëve, ishte evidente edhe në kuvend. Aty ishin të pranishëm përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ashtu si dhe përfaqësues të lartë të Drejtorisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (DEZA) dhe të Komisionit Federal për Migracion (EKM).

Anëtarët e kryesisë

DEZA ishte e përfaqësuar nga shefi i divizionit për Ballkanin Perëndimor Alfred Fritschi ndërsa EKM nga shefja e sekretariatit Simone Prodoillet dhe bashkëpunëtorja profesionale Pascale Steiner. Po ashtu edhe ambasadat e Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë përfaqësoheshin nga krerët e tyre, respektivisht: Naim Malaj, Mehmet Elezi, Ramadan Nazifi dhe Aziz Pollozhani (ky i fundit, ambasador i Maqedonisë në OKB).

Themelimi i një lobi, i cili do të përfaqësojë komunitetin shqiptar në Zvicër kundrejt institucioneve të këtushme dhe atyre në vendet e prejardhjes, ka qenë qëllimi i proklamuar i kuvendit. Këtë qëllim, siç u tha në fjalën e hyrjes, e kanë përpunuar në një sërë takimesh të tyre, grupe të ekspertëve dhe aktivistëve shqiptarë, të mbështetur fillimisht edhe nga Alfred Fritschi i DEZA-s dhe nga ambasadat tona në Bernë, kryesisht nga ajo e Kosovës.

Ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi 

Punimet e “Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës” i drejtoi një këshill ekspertësh, i dalë nga një aktivitet më shumë se njëvjeçar i një grupi më të gjerë, i ngarkuar me themelimin e një subjekti të tillë, kulmor, përfaqësues të shqiptarëve. Në emrin e këshillit, tubimin e ka moderuar Ylfete Fanaj. Ajo ka lexuar me këtë rast një parashtresë ku ka prezantuar arsyet dhe synimet e themelimit të kuvendit. Synimi i organizimit të ri është unifikimi “nën një çati” i subjekteve dhe organizimeve të ndryshme të shqiptarëve në gjithë Zvicrën”, ka thënë veç tjerash Fanaj në fjalën e saj të hapjes.

Falënderim “të vjetërve”, perspektiva u takon të rinjve

Bashkim Iseni dhe Bedri Krasniqi, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës

Ndërsa Bedri Krasniqi, po ashtu anëtar i këshillit të ekspertëve ka bërë një prezantim të synimeve të “Kuvendit…”. Sipas tij, ky organizim i ri njeh dhe respekton të gjitha organizimet e deritashme të mërgatës shqiptare në Zvicër, përfshirë edhe ato në baza partiake, por synimi kësaj here ka qenë për një organizim të ri, të drejtuar nga e ardhmja. Me këtë ai ka arsyetuar edhe praninë, kryesisht të brezit të ri, në strukturat e kuvendit. Krasniqi po ashtu ka sqaruar se në grupet punuese, që do të themelohen për fusha të ndryshme, do të ketë vend edhe për aktivistë dhe profesionistë tjerë.

Në përshëndetjet e tyre drejtuar kuvendit, ambasadorët e pranishëm kanë përgëzuar themeluesit për hapin e tyre dhe kanë trimëruar ata për punë të mëtejme. Kështu, ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi është shprehur se, ndryshe nga organizimi në vendet e prejardhjes, ky në Zvicër ka shanse të jetë më unik. Ai ka thënë se një organizim i tillë është i kohës dhe shmang organizimet në baza partiake e të tjera, që nuk mund të jenë të frytshme për këtë kohë.

Naim Malaj, ambasador i Kosovës 

Ambasadori i Maqedonisë në selinë e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani ka vlerësuar themelimin e “Kuvendit…” si një ditë historike të diasporës shqiptare në Zvicër. “Një faqe e re në jetën e diasporës shqiptare që kontribuon në afirmimin e interesave të shqiptarëve këtu dhe lidhjen me vendet amë”. Ambasadori i Maqedonisë në Bernë, Ramadan Nazifi, ndërkaq, u ka thënë organizatorëve se “kanë zgjedhur një moment të volitshëm për të dhënë një sinjal bashkimi. Në një kohë kur shqiptarët përçahen, një luks të tillë nuk mund t`ia lejoni vetes edhe ju në mërgatë”.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj e ka quajtur ditën e themelimit të “Kuvendit…” një ditë të rëndësishme për mërgatën tonë. Ka qenë koha e fundit që mërgata të bashkohet dhe organizohet. Ka ende punë për tu bërë. “Mërgata jonë paraqet një potencial të madh në të gjitha aspektet, potencial i pashfrytëzuar për shkak të ndarjeve të shumta. Është me rëndësi tash që shqiptarët të bëhen faktor unik, përballë të dyja Zvicrës dhe vendeve të prejardhjes”, ka thënë veç tjerash z. Malaj.

Nazmi Jakurti dhe Ylfete Fanaj, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës 

Shqiptarët në Zvicër bëhen me “altoparlantin e tyre”

 

Ndërsa Alfred Fritschi nga DEZA, pasi ka pohuar se ka qenë në rrjedha të këtij organizimi që nga fillimi, ka përgëzuar mërgatën shqiptare se po bëhej me “zërin e saj përfaqësues”. “Me këtë organizatë diaspora shqiptare ka tashmë një “altoparlant”, një zë. Ka pasur edhe deri tash një numër të madh shoqatash, mediesh etj. Por mendoj se ka munguar një organizatë-çati, për gjithë Zvicrën”, ka thënë shefi i DEZA-s për Ballkanin Perëndimor.

 

 

Simone Prodolliet, udhëheqëse e sekretariatit të EKM-së , e ka quajtur “moment historik” mbajtjen e kuvendit. “Qëllimi është që të bëhet një strukturë që të përfaqësohen interesat e juaja”, ka thënë ajo duke iu referuar themelimit të “Kuvendit…”. Ajo e ka quajtur këtë ide inovative dhe ka premtuar përkrahjen e komisionit që përfaqëson.

 

Shefja e sekretariatit të EKM, Simone Prodoillet 

 

Pasi ambasadorët liruan vendet e tyre, kuvendi vazhdoi punën me prezantimin e organigramit dhe statutit të tij, nga anëtarët e grupit të ekspertëve, përkatësisht nga Valentina Smajli, anëtare e kryesisë së Partisë Socialdemokrate dhe Nazmi Jakurti, sekretar i UNIA-s dhe aktivist i njohur i mërgatës shqiptare.

 

Në organigram që përbën skeletin e strukturës organizative të “Kuvendit…” sipas sqarimit, janë parashikuar kryesia e kuvendit, sekretariati, komisionet profesionale dhe këshilli mbikëqyrës. Ky i fundit ka për qëllim të përcjellë mbarëvajtjen e punës së kuvendit dhe dhënien e këshillave.

 

Ndërsa sa i përket statutit, z. Jakurti ka thënë se si bazë për përpilimin e tij, janë konsultuar një numër statutesh të organizimeve të ngjashme të diasporave të kombeve të ndryshme. Në mesin e tyre ka qenë organizimi i mërgatës zvicerane jashtë vendit, ai i spanjollëve, portugezëve, kroatëve etj. Por mënyra e organizimit të hebrenjve jashtë vendit, ka thënë Jakurti, ka shërbyer më shumë si model për përpilimin e statutit të kuvendit.

 

Ambasadori i Maqedonisë në OKB, Aziz Pollozhani 

 

Kritika dhe kundërkritika

 

Fillimi i propozimit të listës së anëtarëve për këshillin mbikëqyrës të “Kuvendit…” u përcoll me disa kundërshtime. Gazetarja Elida Buçpapaj kontestoi nivelin dhe kompetencën e të propozuarve ndërsa disa pjesëmarrës tjerë kërkuan që lista të bëhej nga ata që do të propozoheshin aty. Anëtari i grupit të ekspertëve, Bedri Krasniqi u sqaroi me këtë rast kritikuesve se në kushtet e një kuvendi themelues nuk është ende i rregulluar aspekti i përfaqësimit, dhe për këtë arsye edhe strukturat që do të zgjidhen do të kenë karakter të përkohshëm, njëvjeçar. Mandatet e rregullta, dyvjeçare, strukturat e kuvendit do t`i fitojnë pas një viti, kur të mbahet kuvendi i rregullt zgjedhor. Po ashtu edhe anëtari tjetër i grupit të ekspertëve, Bashkim Iseni ka bërë sqarimet e nevojshme rreth natyrës së punës dhe orientimit që ka “Kuvendi…”.

 

Në situatën e krijuar pas kontestimeve, anëtarët e propozuar për Këshillin Mbikëqyrës shprehën gatishmërinë për tu tërhequr në mënyrë komplete, që në vend të tyre të zgjidheshin kandidatë të tjerë. Por, pjesëmarrësit në kuvend me shumicë të madhe e kundërshtuan këtë dhe i legjitimuan të propozuarit për të qenë pjesë e këshillit.

 

Si përfundim, lista e propozuar për votim nga këshilli i ekspertëve, e plotësuar me një emër të ri (Elida Buçpapaj) u miratua nga kuvendi me shumicë votash.

 

Ambasadori i Maqedonisë në Bernë, Ramadan Nazifi 

 

Edhe rreth zgjedhjes së kryesisë pati disa reagime nga pjesëmarrësit. Kështu, poeti Brahim Avdyli, listën e ofruar për votim e quajti jo përfaqësuese dhe pa nivelin e duhur, ndërsa pati edhe të tjerë që kishin vërejtje për përfaqësimin regjional nga vendet e prejardhjes dhe në kuptimin e vendeve ku jetojnë shqiptarët në Zvicër. Por, edhe lista e kryesisë u votua me shumicën e votave të të pranishmëve. Vendi i lënë zbrazur, u plotësua nga anëtarja e re Merjona Telo, aktore nga Shqipëria, me qëndrim në Cyrih.

 

Marrë në përgjithësi, përkundër shprehjes së disa anomalive të kuptueshme për stadin në të cilin jemi si komunitet, zhvillimi i punimeve të kuvendit u përshkua nga një gatishmëri për të debatuar dhe për tu përballur edhe me kritikën. Kjo megjithatë përbën një hap inkurajues për avancimin e demokracisë në komunitetin tonë.

Në këshillin mbikëqyrës bëjnë pjesë:

 

Albana Krasniqi- Malaj, drejtoreshë e UPSH, Gjenevë; Dr. Bashkim Iseni, drejtor i portalit albinfo.ch dhe hulumtues shkencor në Universitetin e Neuchatelit; Dr. Hans-Peter von Aarburg, etnolog, Sarah Gretler, studiuese dhe përkthyese; Osman Osmani, Nazmi Jakurti dhe Hilmi Gashi, funksionarë në sindikatën UNIA; Ylfete Fanaj deputete në Parlamentin e Kantonit dhe në atë të qytetit të Lucernit; Bedri Krasniqi, kryeredaktor i revistës “Albsuisse”; Liri Lushi, aktore dhe drejtuese e QKI “A.Moissi”; Samedin Asllani, piktor; Shqipe Bajrami, filologe dhe juriste si dhe Fehmi Fetahu, afarist i njohur.

Kryesia e “Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës”

Anëtarët e kryesisë: Avni Binaku, Hamit Zeqiri, Orhan Spahiu, Valentina Smajli, Mirash Hajdaraj, Fatmir Thaçi, Sarah Grettler, Smail Tahiraj, Samir Zeneli, Shpëtime Kamberi, Jeton Kryeziu, Merjona Telo, Mimoza Sejdiu. Kryetar u zgjodh Orhan Spahiu.