Gruaja
“Nuk e kemi në plan të parë paranë por zhvillimin e Kosovës”
Drenusha Shala: “Nuk janë shumat e larta të parave të cilat vijnë në rendin e parë, por fakti se me duart tona kemi krijuar shumë vende pune dhe po e zhvillojmë vendin tonë. Motiv ky që nuk krahasohet me asnjë vlerë monetare”
Gjysmën e kohës e kalon në Zvicër, aty ku ishte rritur e shkolluar dhe gjysmën tjetër në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, aty ku për 4 vite po investon në biznesin e saj. E kishte filluar me 7 punëtorë ndërsa tani, firma që udhëheq Drenusha Shala, numëron 240 punëtorë. 26-vjecarja, e cila sivjet ka marrë çmimin “Mërgimtarja e vitit” ka folur për albinfo.ch lidhur me barrierat që ka kaluar kompania “Baruti” në këto vjet të funksionimit në Kosovë. Ajo thotë se Kosovës i duhet eksperienca nga diaspora. Shala përmend në këtë intervistë njërën nga sfidat me të cilat ishte përballur për shkak të reputacionit te Kosovës dhe faktit që shumëkush kishte paragjykime për hapjen e bizneseve në një vend të pasluftës.
Albinfo.ch: Ju jeni rritur në Zvicër. Prej nga ju erdhi ideja që të bëni biznes në Kosovë?
Drenusha Shala: Në vitin 2009, njëri nga bashkëthemeluesit e „Barutit“, Flamur Shala, ka qenë praktikant në Bankën Qendrore të Kosovës. Posa është kthyer nga përvoja 6 mujore në Kosovë, ai ka treguar për përshtypjet e tij dhe ndër të parat ka qenë se shumë kosovarë e flasin gjuhën gjermane. Në fillim nuk e kemi pasur si objektiv primar hapjen e një „Call center“, por qëllimi kryesor ishte si të shfrytëzojmë këtë kapacitet dhe këtë potencial për të krijuar sa më shumë vende pune.
Albinfo.ch:Me të njëjtin biznes ju ndoshta do të kishit fituar më shumë në Zvicër, pse pikërisht në Kosovë?
Drenusha Shala: Zvicra është një vend i cili ofron shumë mundësi, por pikërisht kjo ishte njëra ndër arsyet që na ka shtyrë të vijmë në Kosovë. Kjo sepse në Kosovë ka shumë gjëra që nuk funksionojnë dhe i duhet dituria apo know-how nga diaspora jonë, që të kthehet në Kosovë për të investuar këtu. Është e vërtetë se në Zvicër është fitimi më i madh, por në këtë rast nuk janë shumat e larta të parave të cilat vijnë në rendin e parë, por fakti se me duart tona kemi krijuar shumë vende pune dhe po e zhvillojmë vendin tonë. Motiv ky që nuk krahasohet me asnjë vlerë.
Albinfo.ch: Në Kosovë, ka pak gra në ndërmarrësi, sa ishte e vështirë për ju të vini nga Zvicra dhe të bëni biznes?
Drenusha Shala: Nuk kisha me thënë se ishte shumë më vështirë për mua për faktin se unë i përkas gjinisë femërore. Kosova e ka tashmë një kulturë dhe mentalitet evropian dhe nuk mund të themi se në krahasim me meshkujt kam pasur ndonjë problem, sfidë apo barrierë që ja vlen të ceket.
Albinfo.ch: Cilat ishin barrierat që ka kaluar kompania juaj “Baruti” në këto vjet të funksionimit në Kosovë?
Drenusha Shala: Njëra nga barrierat kryesore, e cila sidomos në fillim na e ka vështirësuar punën, ka qenë infrastruktura e dobët, duke përfshirë këtu energjinë elektrike jo stabile, interneti etj. Këtu kemi investuar shumë për të pasur një bazë të sigurt mbi të cilën këmi ndërtuar „Barutin“. Sfida e dytë ka qenë mungesa e një databaze të centralizuar mbi ndërmarrjet në Kosovë, të cilat ofrojnë shërbime dhe produkte të ndryshme. Sfida e tretë ishte reputacioni i Kosovës dhe fakti që shumë kush kishte paragjykime për hapjen e biznesit në një vend të pasluftës.
Albinfo.ch:Biznesi juaj në Prishtinë po rritet vit pas viti. Nga 7 punëtorët sa i kishit para katër vitesh tani keni mbi 240. Si arritët deri këtu ?
Drenusha Shala:Falë vullnetit dhe pasionit tonë dhe shpresës se ne mundemi ta ndryshojmë Kosovën dhe mundemi të sjellim një frymë të re të menaxhimit, ne qëndrojmë sot aty ku jemi. Ndër vite kemi krijuar një bazë shumë stabile të stafit menaxhues dhe firma jonë secilin vit e ka dyfishuar qarkullimin dhe numrin e punëtorëve. Një fokus të veçantë, të cilin dua ta cek dhe mendoj se ka ndikuar në suksesin tonë, është fakti që Baruti dhe ne si ndërmarrës i japim shumë rëndësi shkollimit si dhe zhvillimit të punonjësve tanë. Këtu qëndron edhe thelbi i një ndërmarrje të suksesshme.
Albinfo.ch:Simbolika e emrit Baruti bart ndonjë mesazh?
Drenusha Shala: Po. Fjala “Baruti” apo në gjermanisht „Schiesspulver“, ka qene në mënyrë simbolike mbrojtja jonë. Baruti me qindra vite na ka mbrojtur ne si komb prej armiqve. Ne të rinjtë duam t’ua përcjellim mesazhin, se Baruti i ditës së sotme për t’u mbrojtur nuk është ai Baruti i armëve por është shkollimi puna dhe dijenia.
Albinfo.ch: Çfarë përvoje sollët dhe çfarë iu kishte ndihmuar Zvicra?
Drenusha Shala:Kombinimi i tre personaliteteve të ndryshëm me një background të ngjashëm siç jemi ne, pra Flamuri, Muhameti dhe unë, ka qenë shumë i favorshëm. Që të tre kemi jetuar dhe studiuar një kohë në Zvicër. Kosovën e njohim shumë mirë nga pushimet tona dhe të dy mentalitetet, si atë të Zvicrës ashtu edhe të Kosovës, e njohim nga dora e parë.
Kjo na ka sjellë ne një përparësi shumë të madhe, pasi që dimë se çfarë klientët tanë zviceranë kërkojnë dhe atë se çfarë Kosova ka për t’iu ofruar tregut ndërkombëtar.
Albinfo.ch: A mund t’i atribuohet suksesi juaj edhe mentalitetit zviceran?
Drenusha Shala: Puna e mirë dhe kualitative nuk është çështje mentaliteti por çështje menaxhimi. Ne kemi pasur shumë përparësi, pasi që kemi pasur mundësi të krahasojmë dhe të shohim për së afërmi, se cila mënyrë apo stil i udhëheqjes po funksionon më së miri në Zvicër. Atë jemi munduar ta bartim në Kosovë. Fakti që ka shumë pak ndërmarrës apo konkurrencë për ne në këtë lami, tregon që Zvicra e ka meritën e saj në suksesin tonë.
Albinfo.ch: Çka mendoni, a ka firma të suksesshme në Kosovë, që janë të udhëhequra nga mërgimtarët dhe si mund t’i ndihmojmë që të përparojnë si kompania juaj?
Drenusha Shala: Në Kosovë kam njohur ndërmarrës të ndryshëm të cilët janë kthyer nga diaspora dhe kanë hapur ndërmarrjet e tyre në Kosovë, për t’i cekur disa si Arizona Partners, MIK Agency, Mergim Cahani me Firmen e tij “Gjirafa” dhe shumë të tjerë. Atë çfarë duhet ta bëjë Kosova për t’i sjellë edhe shumë investitorë tjerë, është të krijojë një bazë stabile nga ana e infrastrukturës, që edhe ata ta kenë një argument të fortë të shitjes se Kosova është vendi i duhur për investime dhe i plotëson standardet ndërkombëtare. Kjo ne na ndihmon në tërheqjen e klientëve dhe shumë benefite tjera.
Albinfo.ch: A do t’i ftoni afaristë tjerë shqiptarë në diasporë që të vijnë të bëjnë biznes në Kosovë?
Drenusha Shala: Patjetër. Këtë e bëjmë në secilin mundësi që na ofrohet. Qoftë në rrethin tonë familjar, shoqëror apo me partnerë dhe kolegë të lëmenjve të ndryshëm. Gjithmonë tregojmë për potencialin dhe aftësitë që i ofron Kosova dhe se ia vlen të investoni në Kosovë. “Baruti” i ka dyert e hapura për të gjithë të interesuarit, që të vijnë dhe të na vizitojnë dhe të marrin guximin për të bërë edhe ata këtë hap. Ne i mbështesim me këshilla dhe kur kanë pyetje, ju ndihmojmë kur kanë vështirësi në marrjen e hapave të parë etj. Për këtë të fundit e kemi edhe rastin konkret, ku ne kemi ofruar hapësira pune për ndërmarrje të reja që t’ua lehtësojmë fillimin në Kosovë.
Albinfo.ch: A mendoni se me Barutin keni ndryshuar perceptimin nga jashtë që është për Kosovën ?
Drenusha Shala:Po, dhe këtë e besoj fuqishëm. Ne deri tani kemi qenë 4 herë në mediat zvicerane dhe kemi treguar se çfarë pune po bëjmë, dhe sa mirë e flasin gjuhën gjermane bashkëpunëtorët tanë. Mendoj se kemi arritur të sensibilizojmë klientët tanë që Kosova është një treg me potencial shumë të madh, me një rini të mrekullueshme.
Gjithmonë kur vijnë klientët tanë për vizitë, ata e kanë mundësinë të shohin vetë dhe të binden se Kosova ka kapacitet dhe mund të ofrojë shërbime të standardit ndërkombëtar. Këto mbresa që i marrin me vete, ata kanë me i nda me kontaktet, shoqërinë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Albinfo.ch: Ju jeni zgjedhur edhe „Mërgimtarja e vitit“ nga Ministria e Diasporës. Çka do të thotë kjo për ju ky çmim ?
Drenusha Shala: Ndjehem e vlerësuar dhe shumë krenare për këtë çmim. Në të njëjtën kohë është edhe një përgjegjësi që të mos ju zhgënjejmë. Shpresoj që kjo ka për të na motivuar edhe me shumë për të krijuar më shumë vende pune dhe për të punuar më shumë që t`ia vlejë ndarja e këtij çmimi.
Pse “Baruti”?
Fjala “Baruti” apo në gjermanisht „Schiesspulver“, ka qene në mënyrë simbolike mbrojtja jonë. Baruti me qindra vite na ka mbrojtur ne si komb prej armiqve. Ne të rinjtë duam t’ua përcjellim mesazhin, se Baruti i ditës së sotme për t’u mbrojtur nuk është ai Baruti i armëve por është shkollimi puna dhe dijenia.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriDrenusha Shala
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Kosovë - Zvicër
- Profesioni:Afariste
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha