Opinione
Si (s)’po mësohet gjuha shqipe?
Sapo kaishte mbaruar lufta, mësimit në shkollat shqipe në Gjermani iu shmangën shumë fëmijë.Mbaroi lufta dhe për disa mbaroi edhe mësimi i gjuhës shqipe.Mirë,ata që u kthyen,po ku mbetën të tjerët?Ç’ishte kjo mendësi?Ç’ishte kjo ikje?Në vend që të dyfishoheshin forcat për më shumë dije e kulturë kombëtare,për dikë mbaroi kursi i gjuhës dhe i atdhetarisë shqiptare
Janë bërë më shumë se katër dekada që mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani ka hedhur hapat e parë për të ardhur deri në ditët e sotme.Ky lloj mësimi ka pasur rënie dhe ngritje në të gjitha etapat.Por zhvillim më të madh pati veçmas kur shkolla shqipe u pavarësua nga sistemi shkollor i Jugosllavisë dhe sa më e madhe që bëhej dhuna në Kosovë,mësimit të gjuhës shqipe në diasporë i shtohej edhe më shumë interesi dhe rëndësia.Përse mund të thuhet kështu?Gjatë historisë është dëshmuar se shqiptarët në rrethana të rënda historike dinë të bashkohen fuqishëm dhe të bëhen grusht i fortë,por këto rrethana sapo kanë ndryshuar dhe dhuna e pushtuesit sapo është zbutur apo është hequr fare, gjërat sërish kanë ndryshuar për të keq.Pse mund të thuhet kështu?
Mu në mes të luftës në Kosovë,një prind,teksa i solli fëmijët e vet në shkollë,po më thoshte me rrahagjoksi se fëmijët edhe mund t’i shkonte mendja t’i ndalte nga shkolla gjermane,por kurrë nuk do të ndodhte që fëmijët t’i ndalë nga shkolla shqipe.Ç’dashuri të madhe kishte ky njeri për gjuhën dhe kombin!Këtë prind “entuziast”dhe mburravec bashkë me fëmijët e tij kurrë nuk i pashë më në shkollë,sapo lufta mbaroi,edhe pse ai ende vazhdon të punojë e të jetojë jetën e tij bashkë me familjen e vet në Gjermani.Kaq zgjati entuziazmi dhe zjarri atdhetar i tij për gjuhën dhe shkollën shqipe.Dhe ky prind nuk është i vetëm,është vetëm njëri nga ata shumë prindër,të cilët nga fjalët e mëdha bëjnë punë të vogla,për të mos thënë kurrëfarë punësh.Po pse duhet ta mirrja këtë shembull?Pse duhej doemos ta tregoja këtë “rrahagjoksi”të këtij prindi mburravec?Për asgjë tjetër,veç për të thënë se kur neve na “nxehen telat”,flasim fjalë të mëdha dhe posa të ftohen ata “tela”emocionet tona fashiten dhe ndryshon krejt sistemi mendor,emocional e social.Atëherë a mos duhej ende të digjej Kosova,që t’ua rriste atdhetarinë dhe patriotizmën false këtyre njerëzve bosh, mendjefyell e mendjeçalë? .Jo,gjithsesi, jo!
Sapo ka mbaruar lufta, mësimit në shkollat shqipe në Gjermani iu shmangën shumë fëmijë.Mbaroi lufta dhe për disa mbaroi edhe mësimi i gjuhës shqipe.Mirë,ata që u kthyen,po ku mbetën të tjerët?Ç’ishte kjo mendësi?Ç’ishte kjo ikje?Në vend që të dyfishoheshin forcat për më shumë dije e kulturë kombëtare,për dikë mbaroi kursi i gjuhës dhe i atdhetarisë shqiptare.Dhe jo rastësisht,pastaj shkollat u reduktuan,u mbyllën,aq sa edhe numri i mësuesve u zvogëlua dhe sot gati mund të numërohen edhe në gishta.Sa mund të jetë përqindja e fëmijëve shqiptarë që ndjekin sot këto shkolla?Mbase edhe nuk mund të thuhet me saktësi,kur mendohet se në Gjermani ka rreth 400.000 shqiptarë,sado ministritë tona hamendësojnë dhe madje edhe i reduktojnë shifrat deri edhe në 150.000,atëherë për rreth 4000 fëmijët shqiptarë që e ndjekin mësimin e gjuhës shqipe (sipas monografisë “Ndërgjegje kulturore”,Dyseldorf,-Prishtinë,2015,f.6)kjo do të thotë,pak,tepër pak.
E sa mijëra refugjatë shqiptarë kanë ardhur vetëm një vit më përpara me fëmijë nën sqetull duke marrë botën në sy dhe si gjithë të tjerët kishin adresë të parë Gjermaninë?Sa e dhembshme aq edhe tragjike,për një vend kaq të vogël si Kosova.Po të tjerët ku kanë mbetur,ku janë tretur?Ata kanë mbetur aty ku kanë dashur të mbesin me dëshirën e tyre dhe të prindërve të tyre.Prindërit nuk kanë dashur,andaj edhe fëmijët nuk duan.
Shumë vite më përpara një burrë që mbahej goxha burrë me mustaqe më thoshte se do ta pyes fëmijën e vet 7 vjeç se a do, që ta mësojë gjuhën shqipe në shkollë?Mendova më vete se ç’prind qenka ky?Si nuk e ditka ende ky mendjeçalë se ku e di fëmija rëndësinë e gjuhës amtare në moshën e tij 7 vjeçare,derisa mendja atij i shkon më shumë te lojërat,karamelet dhe çokollatat?Asnjëherë më nuk e pashë atë njeri që sigurisht se ka marrë përgjigjje negative nga i biri.Po nëse fëmija nuk e di rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare,prindi ,të paktën duhet ta dijë,se më vonë ai fëmijë do të ndjehet keq,duke mos ditur se cilit identitet i takon,andaj edhe do ta akuzojë të atin.Ai do të mbetet pa identitet kulturor,gjuhësor dhe pa identitet kombëtar.
Fëmija nuk e di se Sami Frashëri ka thënë që pa gjuhë shqipe nuk ka shqiptarë dhe pa shqiptarë nuk ka Shqipëri.Po këtë nuk e dinë as shumica e prindërve tanë të cilët shpeshherë qëllojnë të jenë analfabetë funksionalë,që dinë të shkruajnë dhe lexojnë,por që nuk kuptojnë kurrgjë.Të tillë,mjerisht kemi shumë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri,e të mos flasim për diasporë.Madje statistikat flasin për gjendje përkeqësimi deri në alarm.Si mund të presim që këta prindër do të “ndizen” nga zjarri i dashurisë për gjuhën shqipe?Ata ndoshta mund ta kuptojnë vetëm atëherë kur fëmijët rriten dhe bashkë me ta rritet edhe drama e tyre personale ,identitare,sociale,morale dhe atdhetare.Kush jam unë? do të pyesin ,ata dikur veten,derisa nuk e di gjuhën e origjinës?
Fëmijët kur sapo zënë të rriten ngurrojnë të shkojnë në atdheun e tyre,apo në atdheun e etërve të tyre,sepse ndjehen të pasigurtë dhe inferiorë për mungesë gjuhe,për mungesë edukimi kombëtar dhe për mungesë identiteti.Ata fëmijë do të kenë më vonë probleme edhe me personalitetin e tyre!Kur para disa viteve më hyri në klasë një djalë më i gjatë se unë në moshën 15 vjeçare dhe filloi të më lutej gjermanisht, se a mund ta pranoja në klasë që të mësonte ndonjë fjalë shqipe,gati u tremba? Ç’ka ky djalë kaq i madh që më përgjërohet dhe që s’di asnjë fjalë shqipe e tash dashka të merret me shqipen?Ç’kërkonte tash në këtë moshë?Por pasi i tregoi rrethanat e tij familjare,i ofrova me butësi dhe ngrohtësi që ta ndihmoja në të gjitha mënyrat.Ai kishte turp të shkonte në Kosovë ,pikërisht nga mungesa e gjuhës.Pasi bëri dy vjet mësim(me të bëja punë të diferencuar),ky djalë kishte shkuar në Kosovë dhe kishte njohur gjyshen e vet.
Një ditë të bukur marsi bashkë me disa ish nxënës të tjerë me rastin e Ditës së Mësuesit më vjen pikërisht ky djalë me një karanfil në dorë,duke më uruar para të gjithë nxënësve Ditën e Mësuesit dhe gëzimin që kishte mundur të shkonte në Kosovë,falë atyre pak fjalëve që kishte mësuar në shkollën shqipe.Po pse ndodh kështu?Pse në disa familje tona ngurrojnë të flasin shqip?Ç’është kjo modë e shëmtuar e të mosfolurit shqip?Ç’është ky snobizëm për të pëlqyer gjërat e huaja duke mohuar veten,identitetin? Është kjo mendjemadhësi,është kjo injorancë,është kjo tëhuajësim,apo është thjesht gatishmëri për asimilim?
Shumë nëna shqiptare nuk e praktikojnë gjuhën shqipe në familje dhe kur fëmijët e tyre vijnë në shkollë shqipe,ata ndjehen të stresuar dhe mezi presin të heqin dorë pothuajse menjëherë ,sepse vallja e asimilimit është luajtur moti nga prindërit në shtëpi.Shumë nga ata prindër ,thonë se fëmijët me njëri-tjetrin flasin gjermanisht dhe nuk po arrijmë t’i pengojmë përderisa edhe rrinë nëpër dhomat e tyre.Mirë,edhe mund të kuptohet.Po ata vetë si flasin me ta?Një nënë kur e solli fëmijën e saj në shkollë, e përshëndeti gjermanisht në ndarje dhe poashtu me fjalë gjermane e mori nga shkolla,në sy të mësuesit.Dhe kur i thashë se ç’është kjo gjuhë me fëmijën,m’u përgjigj pa asnjë turp:po më vjen ma kollaj.Atëherë ç’kërkon pra ai fëmijë këtu?Nëse mësuesi punon me të në shkollë dhe krijon me mund të madh një fond modest fjalësh shqipe në shkollë,nëna i shemb të gjitha përnjëherë vetë në shtëpi.Atëherë a duhet filluar përsëri nga e para?
Po rasti tjetër që të nxitë humorin e zi është kur një prind,teksa po bisedoja në telefon,se pse nuk e sjell fëmijën në shkollë,përderisa e kishte lajmëruar vetë dhe ka firmosur edhe me dorën e tij,më përgjigjet se fëmija i tij e di gjuhën shqipe.Po sa vjeç është fëmija,e pyeta?Gjashtë vjeç, qe përgjigjja e të atit.Dhe kjo mjaftuaka për të njohur dhe ditur gjuhën shqipe?Për prindin edhe kur fëmija i di 100 fjalë mjaftuaka për të thënë se e di gjuhën shqipe!!!E ne mësuesit që u plakëm me libra në dorë dhe ende po përpiqemi të çëmtojmë ndonjë fjalë nëpër libra dhe fjalorë ,vetëm e vetëm që të jemi sa më shumë dhe sa më lart në nivel të detyrave të punës,që na janë besuar?Ç’mund të thuhet,prandaj?Ec e mos qesh, me kësi taravolash!Pse kjo vetëdije kaq e ulët e njerëzve tanë?Pse ky indiferentizëm ndaj gjuhës dhe kulturës shqipe,ndërkohë,që për një koncert shund,kiç apo tallava,gjoja në emër të shqiptarizmës dhe patriotizmit,dinë të harxhojnë pa hesap kohë dhe para.
Nëpër shkollat ku mbahet mësimi shqip,ka edhe fëmijë që janë shqiptarë dhe madje deklarohen “ich bin Albaner”. Por kur ndonjëherë si me shaka i pyes pse nuk vijnë të mësojnë ndonjë fjalë shqipe,përgjigjen se nëna apo babai nuk i lejojnë se gjuha shqipe “ua përzien”pastaj gjuhën e vendit,përkatësisht ua prish gjermanishten.Ja ku arritur injoranca e këtyre njerëzve!Shumë prindër e kanë në maje të gjuhës këtë fjalë si arsyetim.
Por çka thotë shkenca e pedagogjisë? Ç’thonë hulumtimet shkencore? Ç’thotë dija moderne pedagogjike?Le të përmendim njërin nga specialistët e kësaj fushe.Profesori universitar,Dr.Dr.Basil Schader nga Cyrihu në tezën e doktoranturës ”Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”,Tiranë,2005 ka konstatuar se gjuha shqipe i ka ndihmuar fëmijët shqiptarë,që të kenë suksese më të mira në gjuhën gjermane,krahasuar me fëmijët,të cilët nuk kanë ndjekur kurset e gjuhës shqipe dhe që suksesi i tyre në gjuhën gjermane për pasojë ishte shumë më i dobët.Po a e besojnë këtë shqiptarët tanë “të ditur”?
Kjo tregon botërisht se gjuha amtare nuk shkakton kurrfarë “përzierjesh gjuhësore”apo kurrëfarë tërmetesh mendore në kokat e fëmijëve,siç arsyetohen prindërit dembelë shqiptarë,të cilët nga mosdëshira për t’iu përgjigjur mësimit të gjuhës shqipe “shpikin”ide banale dhe aspak fisnike për gjuhën shqipe.Gjuha amtare përkundrazi ndihmon që të mësohet më lehtë dhe më drejt edhe gjuha e huaj,madje jo një,por edhe ca të tjera.Një mësuese gjermane në Këln,i kishte detyruar prindërit shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë shqipe dhe për këtë arsye i kishte dhënë mësuesit shqiptar edhe një fond më të madh orësh që në klasën e parë,gjithnjë me mendimin e drejtë se fëmija që mëson mirë gjuhën amtare,doemos do ta mësojë më vonë më mirë dhe më drejt edhe gjuhën e huaj,në këtë rast gjuhën gjermane.
Nuk e di a kanë guxuar këta prindër të kundërshtojnë këtë mësuese,e cila i ka detyruar ata fëmijë të mësojnë gjuhë shqipe? A nuk isjhin Fan Noli dhe Faik Konica ,poliglotët tanë të mëdhenjë që ditën aq shumë gjuhë të huaja,pikërisht për faktin se dinin mirë gjuhën e bukur shqipe?
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës