Sport

Gashi po shkëlqen në SHBA

Shkëlzen Gashi është vendosur edhe në formacionin më të mirë të javës në kampionatin amerikan të futbollit. Po ashtu, sulmuesi është në garë për trofeun e golit të më bukur

 

 

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, po shkëlqen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.ch.

Gashi është vendosur edhe në formacionin më të mirë të javës në kampionatin amerikan të futbollit. Po ashtu, sulmuesi është në garë për trofeun e golit të më bukur.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare ndihmoi skuadrën e tij në barazimin 3:3 kundër Vankuver. Futbollisti gjeti në fillim rrugën e rrjetës nga pika e 11-metërshit. Më pas shënoi edhe golin e dytë personal me një goditje spektakolare.

Pikërisht, ky gol është edhe në garën për atë më të bukurin e javës së 29-të të kampionatit amerikan të futbollit.

Por në pritje të vendimit, që do të merret pas votimit të tifozëve, Shkëlzen Gashi mund të shijojë një tjetër sukses personal.

Ai është vendosur në formacionin ideal të javës, duke u vendosur përkrah sulmuesit spanjoll David Villa dhe lojtarëve të tjerë të spikatur në javën e fundit të Ligës Amerikane të Futbollit. Të gjitha këto konfirmojnë formën e shkëlqyer që po kalon Shkëlzen Gashi në edicionin e dytë me Colorado Rapids. Në këtë kampionat, futbollisti i kombëtares shqiptare ka realizuar shtatë gola.