Zhvillim
Ortodoksizmi është po ashtu vlerë shqiptare
Kërkesa e ditëve të fundit e studentëve shqiptarë që ta shembin objektin kishtar ortodoks në Qendrën Universitare të Prishtinës nuk është aspak metoda e duhur për ta zgjidhur kontestin në fjalë. Edhe pse njihen qëllimet ogurzeza të ish-regjimit racist të Slobodan Milosheviqit në ndërtimin e saj, në situatën aktuale në Ballkan shtrohet nevoja e një kujdesi të veçantë në menagjimin e kësaj çështjeje, dhe atë për dy arsye të rëndësishme.
Së pari, që me vite ekziston një tendencë nga qarqe nacionaliste serbe, por edhe atyre të esktremeve të djathta në Evropë, që ta paraqesin çështjen e Kosovës si një vatër të mbrojtjes së civilizimit të krishter evropian nga invazionet e gjysmëhënës myslimane, dhe ku shqiptarët janë gjoja pjesë e saj. Po të njëjtit regjistër i shërbejnë edhe rrymat fanatike shqiptare që e interpretojnë konfliktin Serbi-Kosovë si të natyrës fetare. Kjo suazë, që u shkon për shtati tezave të tilla esencialiste, është në rritjen e sipër, sidomos gjatë viteve të fundit.
Në fakt, në kontekstin aktual ndërkombëtar, i karakterizuar me konflikte të hapura, shpeshherë, nga qarqe konzervatore privilegjohet një lexim „civilizues“ i krizave në fjalë. Ky është interpretimi më i lehtë që mund t‘u bëhet konflikteve moderne që de fakto fshehin kauzalitete komplekse, veçanërisht ekonomike. Kjo formë e etiketimit i thjeshtëson skajshmërisht gjërat, duke mobilizuar emocionet identitare të qytetarëve për të legjitimuar vendime politike me peshë. Po kjo lloj skeme „fetare“ është përdorur për t‘i kamufluar synimet historike të Serbisë ndaj territorit të Kosovës, por edhe vendeve tjera në Ballkan. Ekziston, pra, një rrezik real i instrumentalizimit propagandistik të rastit të faltores ortodokse në Prishtinë karshi opinionit ndërkombëtar, i cili bëhet qëllimisht pa u shpjeguar konteksti i ndërtimit të saj gjatë okupimit të Kosovës. Pra, me çdo kusht, duhet të evitohet dëmtimi apo demolimit të saj, ngase përndryshe kjo do t‘i shkojë për shtati disa tezave ndaj çështjes së Kosovës si një vend simbolik ku kryqëzohen shpatat e krishtera dhe ato islame (sic).
Së dyti, pa marrë parasysh kontekstin historik të ngritjes të këtij objekti, kërkesa e studentëve për rrënim të tij lë një përshtypje të hidhur se ortodoksia perceptohet si diçka e jashtme në kulturën shqiptare. Në rastin e Kosovës, është për keqardhje se si me naivitet vetë klasa politike si dhe disa qarqe intelektuale shqiptare i quajnë kishat ortodokse të Kosovës si kisha serbe. Kjo është anakronizëm historik. Në fakt, në kohën kur janë ndërtuar kishat në fjalë, nuk ka pasur vetëdije etnike apo nacionale serbe, por kanë dominuar forma identitare horizontale fetare si dhe të rangjeve socioekonomike feudale. Kjo edhe i shpjegon martesat e ndërsjella të asaj kohe mes familjeve të pasura, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre „etnike“. Prandaj, është non sens të quhen ato kisha serbe, ngase ortodoksia ka qenë gjithëpërfshirëse dhe jo e një grupi të caktuar paraetnik. Veç kësaj, dihet mirë se kush kanë qenë historikisht mbrojtësit e objekteve fetare ortodokse gjatë shekujve të periudhës osmane, pra shqiptarët, edhe pse në shumicë e kanë pranuar fenë e osmanlive. Ndër këta shembuj janë edhe familja e rilindasit Isë Boletini. Së fundi, nuk duhet të anashkalohet një fakt tjetër se ortodoksia është po ashtu pjesë e universit historik shqiptar, sepse një pjesë e rëndësishme e trungut demografik të tij është e fesë ortodoke.
„Therra“ e objektit kishtar të sipërpërfolur duhet tërhequr, por jo përmes metodës së rrënimit, pavarësisht rezultatit gjyqësor pronësor që mund të rezultojë. Si zgjidhje më racionale dhe e arsyeshme do të ishte gjetja e një ujdie për afektimin e këtij objekti drejt një hapësire ndërfetare, për shembull muze, që reflekton laramaninë civilizuese të Kosovës. Do të ishte ky një rast i mirë për ta krijuar aty një suazë artistike, kulturore dhe, pse jo, shkencore, ku do ta rikujtonim, vlerësonim dhe kultivonim tolerancën si dhe bashkëjetesën tradicionale ndërfetare në trevat shqiptare.
E-Diaspora
-
Hamza vazhdon fushatën në Gjermani, takoi bashkatdhetarët në Hannover e Köln Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të turneut të nëntorit...
-
Raportohet për eskalim gjatë tubimit të Edi Ramës me shqiptarët në Londër, rrahje mes protestuesish
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
Jeta në Zvicër
-
Bazeli miraton ndarjen e fondeve për të pritur Eurovizionin Votuesit e Bazelit të dielën miratuan me shumicë dërrmuese që qyteti të shpenzojë afro 40 milionë...
-
Kantoni Aargau refuzon uljen e moshës së votimit në 16 vjeç
-
Zviceranët i thonë “jo” zgjerimit të gjashtë seksioneve të autostradës
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq
-
Projeksionet e referendumeve sot në Zvicër