Zhvillim
Shqiptar apo Kosovar : dilemat identitare
Reagimet sporadike dhe emocionale që ditët e fundit e kanë përfshirë sferën shqiptare mbi manifestimin në arenën ndërkombëtare të ekipit futobollistik kosovar nxjerrin në shesh nevojën e shtruarjes së domosdoshme të një debati të mirëfilltë intelektual në relacionin Kosovë – Shqipëri. Këso lloj fërkimesh janë pasojë nga opcioni i zgjidhur i krijimit të shtetit të Kosovës. Në fakt, kjo rrugë e zgjedhur politike e mëvetësimit të Kosovës si shtet i pavarur tani po merr trajta edhe të natyrës simbolike, siç ishte rasti me ekipin e futbollit. Kjo gjë nënkupton fillimin e krijimit të ngadalshëm të një procesi institucional të identitetit politik kosovar, ose të sendërtimit në një shteti-komb eventual.
Ky konstelacion i zhvillimeve politike dhe shoqërore në Kosovë është një shkas i mirë për të shtruar tri çështje.
Së pari, si të shpjegohet paradoksi i angazhimit energjik të lidershipit politik kosovar në jetësimin simbolik të mëvetësimit si dhe identitetit politik të Kosovës, kurse po të njëjtit kanë dalë pikërisht nga struktura politike militante që kanë luftuar, me mish e me shpirt, për bashkimin me Shqipërinë. Tani, po ata aktorë që janë vënë në majat e shtetit, sot angazhohen fuqimisht për ta kristalizuar identitetin shtetëror, me synime të kombformimit kosovar, fakt që bie ndesh me zanafillen e lëvizjes së tyre. Dhe, ajo që bie ditët e fundit edhe më shumë në sy është se aktorët politikë që bien ndesh me vizionet e tyre politike, respektivisht aktivistë të Vetëvendosjes, stigmatizohen me metodat e vjetra të propagandës marksiste-leniniste, si bij të ish-udbashëve (sic).
Kjo çështje kallauz nuk do, sepse reflekton më së miri se sa retorika kombëtare, apo ta quajmë troq, diskursi nacionalist, shërben në shoqëri tradicionale, ku politika dominon çdo gjë dhe ku vetëdija qytetare (lexo: shoqëria civile) nuk është e aftë të imponohet, për të mbështjellë synime personale pushteti. Rasti i estabilishmentit kosovar në pushtet, por edhe edhe i atij shqiptar në Maqedoni, që është në qeveri qe mbi 15 vjet, të dala të dyja nga Lëvizja dhe që e kanë kapur shtetin furnizojnë materiale me bollëk për të nxjerrë në pah ambiguitetin si dhe prapavijat karrieriste dhe të pasurimit personal të anëtarëve të tyre në fazat e post-lëvizjeve politike identitare kombëtare. Në këso lloj konstelacionesh, mbajtja në pushtet është e vetmja rrugë edhe për ta siguruar (lexo: mbrojtur) veten shkaku i kontradiktave të vizioneve politike që i kanë promovuar në opinion, mungesën e kapaciteteve të tyre për t’i jetësuar ato, veçanërisht karshi faktorit ndërkombëtar të involvuar me peshë, si dhe angazhimeve personale me motivimeve esencialisht pushtetare dhe materiale.
Së dytë, shtrohet pyetja si ky proces i sendërtimit të shtetit-komb kosovar perceptohet nga shumica e banorëve të Kosovës dhe i shqiptarëve të tjerë që jetojnë në vende të ndryshme të Ballkanit, respektivisht jashtë Shqipërisë, të cilët janë, nga pikëpamja identitare kombëtare, të mishëruar historikisht me identitetin etnik shqiptar si dhe me Shqipërinë si shtet komb amë? Në fakt, në Kosovë, problemi shtrohet që nga atributet simbolike të shtetit të Kosovës, të krijuara artificialisht nga lart, duke filluar që nga Kushtetuta, himni, flamuri, me elemente të përkatësisë strikt qytetare, ku nuk artikulohet qartë lidhja me kulturën shqiptare. Në fakt, ky mikrokozëm shqiptaro-kosovar është në zemër të debatit konceptual mbi nocionin e kombit (nation), se a është ky i fundit një konstruksion politik nga lart (qasja moderniste), apo rezultat i lidhjeve pereniale etnike (qasja etnosubstancialiste). Në realitet, krijimi i kombit është një konstruksion politiko-historik, por që ndërtohet mbi sendimente të natyrës kulturore. Ky dimension i fundit, pra çimentoja që e lidh ndërtesën, mungon në definimin e shtetësisë aktuale kosovare. Është fakt të konstatohet se qytetarët kosovarë, me shumicë dërmuese shqiptare, ndajnë në përditshmëri atribute simbolike shtetërore që për nga pikëpamja kulturore nuk lidhen në asnjë mënyrë me ata për nga pikëpamja identitare. Sukseset sportive kosovare ngjallin një lloj ndjenje veçantie, mirëpo ajo sërish perceptohet si një sukses i një tërësie, asaj shqiptare.
Edhe nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e klasës politike kosovare, veçanërisht ajo e Vetëvendosjes, konteston procesin e ndërtimit simbolik të një identiteti shtet-komb të Kosovës, ngase krijimi i Kosovës aktuale si shtet shihet vetëm si një fazë drejt bashkimit politik, territorial, kulturor, me vektorin shqiptar, respektivisht Shqipërinë si dhe riparimin e padrejtësisë historike të Berlinit, Londrës dhe Versajit ndaj shqiptarëve, të copëtuar në 6 shtete. Këto lloje ndeshjesh bien konkretisht në sy që në pikën kufitare në jug të Kosovës, respektivisht të Hanit të Elezit, ku aty ku fillon kompetenca e komunës, është i ngritur lart flamuri me shqiponjë dykrerëshe. Po i njëjti qëndrim politik artikulohet edhe nga kreu i Komunës së Prishtinës.
Së treti, si të tejkalohet ky fërkim i neveritshëm i ditëve të fundit mes paragjykimeve të “vëllait të madh” apo edhe e idealistëve kosovarë ndaj këtij procesi të lartpërmendur në Kosovë, por edhe trumbexhinjve dhe pseudointelektualëve kosovarë aktivë në rrjete sociale, që nuk e kanë kapacitetin epistemologjik për të shtjelluar çështjet në suaza të proceseve historike. Kjo është, pra, temë tepër serioze për t’ua lënë sehirxhinjve të internetit që krijonë opinionin, por edhe të demagogëve politikë në pushtet që për synim e kanë biznesin dhe që instrumentalizojnë ndjenjat e qytetarëve për qëllime thuaja tërësisht personale ose për t’i fshehur mungesën e vizioneve politike si dhe moskapacitetet e tyre e të qeverisurit të mirëfilltë. Prandaj, për të mënjanuar dilema të tilla identitare, një konsultë e mirëfilltë akademike, e hapur, imponohet, në mënyrë që të shoshitet mirë se si identiteti etnik shqiptar, dhe ai politik kosovar, të mos shihen si koncepte përjashtuese, por inkluzive, ose thënë ndryshe, se si identiteti politik kosovar të sendërtohet si një përplotësim të identitetit të përgjithshëm shqiptar.
Dr. Bashkim Iseni – Drejtor i platformës Albinfo.ch. Autori ka doktoruar në vitin 2005 në Universitetin e Lozanës mbi temën e çështjes identitare kombëtare shqiptare në Kosovë e në Maqedoni.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës