Shkurt.ch

Raport sekret për radikalizim në fushë të azilit

Sommaruga: Një procedurë e azilit sot, zgjat mesatarisht 1400 ditë ose afër 4 vjet dhe kjo i kushton tepër shumë Zvicrës

Sipas një raporti të cilin autoritetet federale nuk kanë dashur ta publikonin, por të cilin e ka në dispozicion gazeta “Tages Anzeiger”, procedura e azilit në Zvicër mund të shkurtohet në mënyrë radikale.

 

Kështu, sipas ministre së drejtësisë Siomonetta Sommaruga, të cituar nga gazeta në fjalë, një procedurë e azilit sot, zgjat mesatarisht 1400 ditë ose afër 4 vjet dhe kjo i kushton tepër shumë Zvicrës. Jo vetëm shpenzimet materiale por edhe mungesa e vendeve për strehimin e azilkërkuesve po paraqet problem gjithnjë më të theksuar.

 

Për të dalë nga kjo gjendje, Sommaruga ka propozuar tre skenarë të mundshëm. Skenari i parë parasheh që refugjatët gjatë tërë kohës sa zgjat procedura e tyre të strehohen në qendrat e pranimit që administrohen nga federata.

 

Ndryshe nga praktika e sotme, vendimet për njohjen ose jo të azilit duhet të sillen më shpejtë. Sipas raportit, është kërkuar që shkalla e parë e procedurës të përfundohet brenda pak ditëve. Ndërsa azilkërkuesit do të mund të shpërndahen nëpër kantone vetëm kur për ndriçimin e rasteve të tyre nevojiten hulumtime më të thelluara.

 

Opsioni i dytë parasheh që e gjithë kompetenca në fushë të azilit të përqendrohet në nivelin federal. “Federata do të jetë përgjegjëse edhe për strehimin gjatë zhvillimit të procedurës së mëtutjeshme si dhe për zbatimin e dëbimit të azilkërkuesve, pas vendimit negativ”.

 

Një opsion i tretë parasheh “përmirësimin në fushën konkrete”. Ai nuk synon ndryshimin radikal të sistemit. Sipas gazetës “Tages Anzeiger”, ministrja e drejtësisë, Sommaruga e favorizon këtë opsion për punën e mëtejme me azilkërkuesit.