Shkurt.ch

Moti i ngrohtë, shterojnë lumenjtë

Prilli i vitit 2011 ka qenë prilli i dytë më i ngrohtë që kur matet temperatura në Zvicër (nga viti 1864)

Thatësia në Zvicër po merr përmasa shqetësuese. Sipas sf1, që i referohet të dhënave nga Zyra Federale për Ambient, prilli i vitit 2011 ka qenë prilli i dytë më i ngrohtë që kur matet temperatura në Zvicër (nga viti 1864). Kjo ka bërë që ujërat e shumë lumenjve të zbresin në nivele rekorde.

Në një gjendje të tillë, Zyra Federale për Ambient ka alarmuar kantonet që të shikojnë se ku munden të kufizojnë shfrytëzimin e ujit. Kështu, në kantonin Vaud tashmë nuk lejohet mbushja e pishinave private dhe larja e makinave.

Në motin e thatë që ka kapluar Zvicrën rreziku i djegies së pyejve është tepër i lartë. Shirat që ranë të martën e javës së kaluar kanë sjellë një ngritje minimale të sasisë së ujërave.