Shkurt.ch

Hidhet poshtë ankesa e oficerit zviceran të konvertuar në islam

Një komision u kishte sugjeruar eprorëve që oficerit të konsideruar si të rrezikshëm, t`ia ndalonin qasjen në informatat sekrete

Një oficer i ushtrisë zvicerane, i konvertuar në fenë islame, është vendosur me të drejtë në listën e rrezikuesve të sigurisë. Këtë qëndrim e ka marrë Gjykata Federale për Çështje Administrative lidhur me ankesën e oficerit, të përshkruar si njeri me tendenca ekstremiste islamike.

Po ky oficer nga Thurgau më parë kishte rënë në konflikt me ligjin edhe për konsum narkotikësh, shkruan nzz.ch.

Në vitin 2010 ai i ishte nënshtruar një kontrolli të sigurisë, për shkakun se si oficer, kishte qasje në informata sekrete. Gjatë këtij kontrolli u konstatua se ai, në vitin 2007 ishte dënuar me gjobë për blerje dhe konsumim të marihuanës. Pas kësaj, ai ishte prezantuar në medie të ndryshme si njeri i konvertuar në islamizëm dhe në deklaratat e tij kishte shprehur edhe tendenca ekstremiste.

Këto konstatime kishin shtyrë komisionin që tu sugjeronte eprorëve që oficerit të konvertuar t`ia ndalonin qasjen në informatat e besueshme, sekrete. Pikërisht për këtë, oficeri kishte bërë ankesën, tashmë të hedhur poshtë.

I ankuari ka deklaruar se është anëtar i organizatës së konsideruar si ekstremiste, të Këshillit Qendror Islamik me seli në Biel-Bienne.

Gjykata, në vendimin e saj ka theksuar se ndalimi që eprorit ushtarak i është bërë me të drejtë, nuk ka të bëjë me çështjen e besimit fetar.