Shkurt.ch

Stërmbushen qendrat e pranimit të refugjatëve

Drejtori i BFM, Alard du Bois-Reymond, thotë se gjatë kësaj vere, 9 strehimore të reja emergjente, do të jenë në gatishmëri të plotë

Nga shpërthimi i trazirave në Afrikën e Veriut, qendrat e pranimit të refugjatëve, si në nivelin federal ashtu edhe në nivele kantonesh janë përballur me mungesë të skajshme vendesh për strehim, njofton emisioni 10vor10 i sf1.

Në veçanti ky problem brengos kantonet, për faktin se çështja e refugjatëve në parim i takon federatës. Për zbutjen e gjendjes, ndërtesat për nevoja të ushtrisë do të duhet të përshtaten në strehimore emergjente.

Autoritetet thonë se për strehimin e refugjatëve tashmë janë në dispozicion 1000 vende ndërsa edhe 1000 vende tjera do të jenë të gatshme së shpejti. Siç ka thënë drejtori i Zyrës Federale për Migracion Alard du Bois-Reymond, bëhet fjalë për 9 strehimore të reja emergjente, të cilat pritet që gjatë kësaj vere të jenë në gatishmëri të plotë.

Refugjatët që hyjnë në Zvicër do të detyrohen të paraqiten në njërën nga qendrat federale të strehimit që janë të vendosura në afërsi të kufijve. Në këto qendra ata do të presin deri sa të qartësohet situata e tyre.

Por në praktikën e përditshme procedurat e stërzgjatura të sqarimit të arsyeve për azil kanë bërë që qendrat që janë nën administrim të federatës të stërmbushen me azilkërkues.